Nga Mero Baze
Beteja e Partisë Demokratike kundër reformës në drejtësi do të hyjë në historinë e politikës shqiptare, si beteja më e neveritshme që udhëheqësit e një krahu politik kanë bërë kundër Perëndimit dhe shumicës së popullit të tyre, në këtë vend.
Për gati një vit e gjysëm, ata u detyruan të lëvizin nga refuzues dhe bojkotues të procesit, në pjesmarrës, kundërshtarë dhe në fund, në votues të tij.
Veçanërisht dy javët e fundit, beteja i ka kaluar të gjitha kufijtë e një raporti normal negociatash, duke e bërë të pakuptueshme përse Lulzim Basha duhet të ekspozohej si përfaqësues i një pakice shqiptarësh antireformë dhe si një kukull kallçuku, përballë udhëheqësve të nivelit të lartë politik, që nga Angela Merkel, Elmar Brook e deri tek Viktoria Nuland, të cilëve ju desh të merren me të.
Partia Demokratike ka qenë në opozitë për vite të tëra dhe në pushtet disa herë dhe i ka ndodhur që për tetë vite në opozitë dhe katër vite në pushtet, nuk ka pas fare akses politik mbi pushtetin gjyqësor dhe prokurorinë, madje i ka patur armiq politikë. Por asgjë nuk e ka gjetur. Sali Berisha ishte pas vitit 1997 në duart e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i kishin zgjedhur politikisht socialistët pa asnjë balancë politike, por asgjë nuk e gjeti.
Socialistët po ashtu kanë qenë deri në vitin 1997 dhe pas vitit 2008, pa asnjë pushtet mbi gjyqësorin dhe prokurorinë, por kjo nuk i ka penguar në asgjë. Beteja e neveritshme për të llogaritur se kujt i takon gjysëm anëtari komisioni, është diçka që nuk justifikon as lodhjen e nervave të ndërkombëtarëve, dhe as tensionin e krijuar në shoqëri.
Shpjegimi duhet parë përtej reformës.
Kryearsyeja e këij refuzimi ka qenë përpjekja për ta përdorur procesin e miratimit të reformës kushtetuese, si një pykë për të çarë koalicionin PS-LSI dhe për të krijuar një hendek mes Ramës dhe Metës, çfarë pjesërisht e kanë arritur.
Reforma shënoi një shpërthim të pazakontë paranojash dhe skenarësh që shoqëronin miratimin e saj, a thua nesër në mëngjes, këtu do zbarkojnë ushtarët e Erdoganit dhe do arrestojnë këdo që u del para.
Reforma do së paku tre-katër vite të implementohet dhe nuk ka bazë reale për frikëra selektive apo për burgosje e ndëshkime politike. Reforma po bëhet që sistemi ynë i drejtësisë, të mos bazohet më tek hakmarrja politike apo përdorimi politik, por tek raporti i barabartë i çdo qytetari përballë ligjit, përfshi dhe udhëheqësit politik.
E gjithë kjo klimë e induktuar nga opozita synonte të frikësonte aktorët politikë dhe të përçudnonte objektivin e reformës.
Brenda këtij dimensioni kishte dhe një dimension fyes për mënyrën se si PD e trajtonte LSI, si parti që duhet t’i bashkohej aleancës me PD si e rrezikuar nga ligji, dimension që e bëri deri diku punën e vet.
Por duhet thënë se në orët e fundit, vendimtar për gjunjëzimin e Lulzim Bashës, ka qenë pranimi i ofertës perëndimore nga Ilir Meta dhe ngritja e tij nga tavolina e bisedimeve, duke lënë të vetëm Lulzim Bashën. Ai është momenti që reforma u quajt e mbyllur politikisht dhe mesazhi i ardhur nga Brukseli ishte të ndërpriten negociatat dhe drafti të shkojë në Kuvend.
Në këtë pikë mund të thuhet pa frikë se Ilir Meta i shpëtoi nderin Lulzim Bashës, duke e tërhequr zvarrë në proces në minutat e fundit, nëse kemi parasysh dhe kërcënimin e tij se nëse nuk votonte PD, do jepte dorëheqje dhe vendi do shkonte drejt zgjedhjeve. Basha nuk ishte i gatshëm për asgjë nga këto, as për çarjen e votave brenda PD, dhe as për zgjedhje në vjeshtë.
Një tjetër arsye që PD bëri këtë betejë të pakuptimtë kundër reformës dhe ndërkombëtarëve, është dhe përpjekja e Bashës për të testuar mbështetjen politike në grupin e tij parlamentar dhe për të testuar se kush mund t’i dilte nga rreshti. Dhe këtu është dhe paradoksi. Mbështetësit e reformës brenda PD, ku shquhet Eduard Selami dhe Majlinda Bregu, po votojnë sot të njëjtin draft, që duhet ta pranonin dhe dy ditë më parë, por ata u fyen dhe sulmuan nga brenda partisë, vetëm se e pranuan atë që pranon Basha sot, pa leje të tij. Biles vetë Berisha i kërcënoi me përjashtim në deklaratën e tij. Është e çuditshme se si një parti që tërhiqet zvarrë dhe më në fund voton reformën, urren në finale, më shumë ata që ishin qysh në fillim pro reformës, se sa ata që e zvarritën atë. Kjo tregon se sa zemërthyer po shkojnë ata në votim.
Së fundmi, ka dhe një dimension personal të Sali Berishës në këtë histori, një gjë të ligë që drejtohet dhe kundër Lulzim Bashës.
Dje paradite, Basha dukej njeri i dorëzuar dhe e vërteta është se ai i lejoi t’i thonin “Po” ndërkombëtarve dy kryetarë të partive aleate Shehi e Duka, për të justifikuar klithmën e tij “fitore” në drekë. Por Berisha ja ngriu buzëqeshjen në mbrëmje.
Spiralja, në të cilën ai detyroi të futej Lulzim Basha, ishte e neveritshme dhe e pashpjegueshme për çdo njeri normal në Perëndim. Frika se Basha po dilte si njeri i Perëndimit në PD, ia bën atij më të pasigurtë selinë e SHQUP dhe i heq asaj funksionin për të qenë një mburojë politike e tij. Berishës në thelb i intereson një pasardhës i damkosur nga Perëndimi dhe i pabesueshëm për ta, për të qenë i sigurt se nuk e thërrasin ndonjë ditë t’i flasin kundër tij. Dhe duket se në fund ia arriti. Basha është sot një figurinë qesharake në sytë e atyre që u desh të merren me atë këto ditë, ku gjysëm ore pasi kishin folur, dukej sikur flisnin me një fantazëm.
Sulmet e paprecedenta nga PD ndaj dy ambasadorëve më të rëndësishëm të Perëndimit në Tiranë, deliranca e tyre që donin ta zgjidhnin çështjen “me mik” në Bruksel apo Uashington, i çoi në një zyrë me kondicioner të prishur në Kuvend, përballë dy ambasadorëve, të cilët kanë një muaj që i shajnë me nënë e babë, dhe të firmosin me bisht në shalë para tyre.
Është po ai Lulzim Basha dhe Sali Berisha që dje klithnin si mashtruesë “fitore”, duke nënkuptuar fitore kundër Perëndimit, dhe fakti që të huajt nuk kanë fuqi ekzekutive në sistem, dhe sot rrinin si pula para dy ambasadorëve që nuk kanë asnjë fuqi ligjore as në Kushtetutë, as në ndonjë ligj tjetër të vendit. Dhe kur dy ambasadorë që nuk kanë asnjë fuqi me ligj, bile as rekomanduese, i bëjnë zap, nuk e kuptoj pse gëzoheshin se gjoja kishin arritur fitore ndaj të huajve në drejtësi, roli i të cilëve është përcaktuar me ligj.
Shqipëria sot po hap një kapitull të ri, i cili ndoshta do të ndryshojë për mirë të ardhmen e këtij vendi, por kjo betejë e egër kundër interesit të shqiptarëve dhe miqësisë së Perëndimit do të mbahet mend, si beteja më regresive që ndonjë politikan ka bërë në këtë vend kundër popullit të vet dhe miqve të kombit shqiptar. Për bythë të tyre!
/gazetatema.net/