Fjala e plotë mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë
Nga Shpëtim Idrizi
Kur shkoja këtë verë për pushime në bregun e Jugut, para se të hyja në Orikum hasa tek një shitore, e cila krahas mallrave të dobishme për pushime në plazh, ishte e mbuluar me flamuj dhe objekte me simbole kombëtare.
Ndala makinën dhe nuk e fsheh që m’u ngacmua kërshëria. Ai zotëri nga Orikumi që shërbente e kuptoi habinë time se përse në mes të komardareve shihja flamuj apo plisa. Më tha se dëshironte që sadopak të provokonte atdhetarinë e shqiptarëve që “sulmonin” rivierën. Ky burrë i urtë më tha se sikur ne, shqiptarët ta donim kaq shumë Shqipërinë, sa grekët e dëshirojnë vendin tonë, me siguri do bënim shumë përpara.
Gjatë gjithë këtyre ditëve më ka ardhur ndër mend ky njeri dhe po jua tregoj përse pak më poshtë. Dje, në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit kishim nje seancë dëgjimore për marrëdhëniet me Greqinë, një nisëm e mirë kjo e kryetares së Komisionit, por nuk e kuptova çfarë kishte specifike që duhej bërë pa praninë e mediave.
Në prani të disa funksionarëve të lartë të Ministrisë së Jashtme bëra një denoncim të rëndësishëm.
Siç tregon ky njoftim zyrtar, Ministria e Jashtme Greke ka zhvilluar përpara dy ditësh një konferencë shkencore mbi çështjen çame dhe marrëdhëniet shqiptaro-greke. Në këtë konferencë, u fol për për të ashtëquajturin “irredentizëm shqiptar”, për qëndrimin kundërhistorik grek për çështjen çame dhe për të ashtëquajturin “Vorio-Epir”. Nga kjo konferencë dalin disa përfundime, të cilat nuk mund t’i anashkalojmë.
Së pari, del qartazi se shteti grek jo vetëm e di se çështja çame është një çështje që ekziston dhe kërkon një zgjidhje, por po merr të gjitha masat që të ketë argumentetet ligjore dhe historike kundër saj. Në këtë pikë, nuk prisja ndonjë qëndrim tjetër nga Greqia, veç faktit që fqinjët tanë vazhdojnë të jenë tejet seriozë në shovinizmin e tyre, ani se kush është në pushtet komunistë si Cipras apo Agimi i Artë nesër. Kjo histori rrëfen se shteti shqiptar nuk është në lartësinë e duhur.
Nuk ka asnjë konferencë shkencore, të organizuar nga ju, ministri Bushati, për çështjen çame, për të krijuar një dosje të plotë dhe serioze me argumenta të forta juridike dhe historike përballë Greqisë. Qoftë edhe një konferencë, në të cilën të marrin pjesë edhe këta përfaqësues grekë, për të ballafaquar qëndrimet.
Së dyti, Ministria e Jashtme Greke, zyrtarisht përdor një term irredentist, Vorio Epirin. Është fakt se Çamëria është një territor gjeografik, që shtrihet në dy shtete sot, me shumicë shqiptare dikur. Ndërkohë, Vorio Epiri nuk është territor gjeografik, është një shpikje politike e vitit 1914, e tenton të karakterizojë trojet që shteti grek rivendikonte brenda shtetit shqiptar. Pra, është një term irredentist, i papranueshëm për dy shtete që kanë një traktat miqësie dhe që janë pjesë e një aleance ushtarake si NATO.
Ministria e Jashtme duhet të kundërveprojë menjëherë përballë këtij precedenti të rrezikshëm të përdorimit të një termi irredentist, që cënon tërësinë tokësore të Shqipërisë. Akoma më keq se kaq, informacione të sigurta më thonë se i pranishëm në këtë konferencë ishte dhe një diplomat shqiptar. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë kemi të bëjmë me një skandal. Ish-ambasadori shqiptar në Britani, në një rrethanë të ngjashme ka ngritur zërin për të mbrojtur të drejtën historike mbi shqiptarët e Çamërisë, pak kohë më parë.
Po ky zyrtari tjetër çfarë bëri aty? Qëndroi si i ftuari që e rrahin dhe kënaqet nga ndjenjat mazokiste?
Apo më keq, e ndjen veten në një ndërthurje të çuditshme që duhet t’i shërbejë interesave të një shteti tjetër dhe jo të shtetit që përfaqëson? Kështu e konceptoni diplomacinë ju? Në çdo rast, unë do t’i drejtohem ministrit Bushati, si drejtues i politikës së jashtme, mbi përfundimet që dalin nga kjo konferencë.
Zoti ministër, ka një fjalë, që të gjitha qeveritë shqiptare duket se e harrojnë, dhe ajo fjalë është reciprocitet. Kjo konferencë na ngre disa pyetje, që duhet të përgjigjeni. Greqia po përgatitet me konferenca zyrtare shtetërore për të mbrojtur qëndrimin e saj kundërhistorik ndaj çështjes çame. Po Ministria jonë e Jashtme, kur ka në plan të shkruaj në letër dosjen për çështjen çame me fakte kokëforta historike, bazuar në konferenca shkencore të organizuara prej jush?
Greqia madje merr guximin dhe shkon në kundërsulm, na flet dites për diell për “irredentizmin shqiptar”. Po ju zoti ministër kur do të lëshoni një note proteste për përdorimin e këtij termi irredentist, “Vorio Epir”, që shteti grek po guxon për herë të parë pas 20 vitesh ta rifusë në terminologjinë e vetë zyrtare? E këtu, ju ftoj haptazi, të përdorni pa ndroje termin “Çamëri”, një term gjeografik, që ka ekzistuar para ekzistencës së shtetit grek, të cilën edhe shteti grek në dokumente zyrtare e ka përdorur e po vazhdon ta përdorë. Greqia ka ndërtuar varreza për ushtarët grekë në Shqipëri. Po ju, zoti ministër, kur do të mundësoni që të ndërtohen varrezat për shqiptarët e Çamërisë të vrarë në genocidin e 27 qershorit të vitit 1944, në Paramithi, Margëlliç, Filat dhe Gumenicë, e gjetkë siç ka kërkuar prej vitesh Shoqata “Çamëria”? Ka nje kerekese te kahershme te Shoqates “Çamëria” për këtë gjë.
Zoti ministër bëhet fjalë për varreza masive, për të cilat ne disponojmë hartat e vendodhjeve të tyre ..
Greqia mban me paratë e saj ose nëpërmjet institucioneve të financuara prej saj, katër shkolla që mësojnë në greqisht në zona ku nuk ka minoritarë, si Korça, Himara dhe Tirana. Po ju, zoti ministër, kur do të mundësoni çeljen e shkollave shqipe, të financuara nga shteti shqiptar, për 800 mijë emigrant, 100 mijë çamë ortodoksë e qindra mijëra arvanitas që jetojnë në Greqi?
Greqia financon haptazi shoqata të minoritetit në Greqi. Po ju zoti ministër, çfarë keni bërë për të bashkuar emigrantët shqiptar në Greqi në një shoqatë të financuar nga shteti shqiptar, për të ngritur e financuar shoqata të çamëve ortodoksë e arvanitasve?
Zoti ministër në Çameri ka me mijëra shqiptarë që jut ë dashur kolegë i keni parë e dëgjuar që flasin shqip, tek shkoni për turizëm a pushime në këtë zonë të bekuar me bukuri e histori nga Zoti. A nuk ka ardhur koha zoti ministër që shqiptarët etnikë që jetojnë në trojet e tyre që sot ndodhet në territorin e shtetit grek, të kenë statusin e minoritetit etnik shqiptar në Greqi, status të cilin e kanë patur në vitin 1927. Shteti shqiptar ka pranuar të mos shkruajë emrat e toponimeve shqiptare në Greqi në shqip. Në fakt, nuk kemi asnjë dijeni për termat e kësaj marrëveshje dhe asnjëherë nuk na është bërë e njohur. Por, ndërkohë Greqia vijon të përdorë terma si “Argjirokastro” për Gjirokastrën, “Dhelvino” për Delvinën, “Koritsa” për Korçën, në letërnjoftimet elektronike, megjithëse i ka ndryshuar në pasaporta. Po shteti ynë, zoti ministër, kur do të shënojë Margëlliç, Paramithi, Gumenicë e Filat në letërnjoftime, meqë në pasaporta nuk mundemi?
Zoti ministër veç padrejtësisë historike dhe të drejtës së mohuar, ne shqiptarët e Çamërisë kemi dhe sensitivitete e ngarkesa të mëdha emocionale me prindërit tanë e ata që kanë mbetur gjallë e që kanë lindur në Çamëri.
A mundet dot unë t’i them babait tim që ka lindur në Margëlliç që duhet të heqë nga pasaporta vendlindjen e tij sot dhe që duhet të ndërrojë pasaportën me shpenzimet e tij e në çertifikatën e lindjes të vendosë emrin Margariti?!
Janë me mijëra të moshuar që nuk po rinovojnë dot pasaportat e tyre përveç kostos së një pasaporte të re. A nuk ka ardhur koha të negocioni me palën greke që këta pleq në fund të jetës së tyre t’u mundësohet një vizitë e organizuar në Çamëri e të shohin dhe një herë, para se të ikin nga kjo botë vendin ku kanë lindur e që ka shënuar një kalvar të madh vuajtjesh në jetët e tyre të vështira?
Greqia ka këmbëngulur dhe ia ka dalë që shërbesat fetare të zhvillohen në greqisht në fshatrat minoritare, por edhe në vendbanime shqiptare si Himara, Sopiku, Mursia apo Saranda. Po ju, zoti ministër, kur do të mundësoni që emigrantët, çamët dhe arvanitasit në Greqi të kenë të drejta reciproke dhe që në zonat shqiptare në Shqipëri të mos ketë influence greke?
Të nderuar zotërinj deputetë,
Kjo që po ju them sot unë nuk është fantazi, është detyrim që e keni edhe ju si ligjvënës. Ky Kuvend ka miratuar Rezolutën për çështjen çame. Kjo rezolutë nuk është një dokument bakalli, por një dokument detyrues për shtetin shqiptar që i jep përgjigje të gjitha këtyre pyetjeve, të cilat sot nuk janë më retorikë, por detyrim ligjor i kësaj qeverie këtu, por edhe i juaji, meqë keni zgjedhur të bëni ligjet e këtij vendi.
Ne jemi një shtet i pavarur dhe ne duhet të kërkojmë dinjitet përballë fqinjëve tanë. Sidomos përpara një fqinji që kemi traktat miqësie dhe që jemi pjesë e NATO-s.
Kjo arrihet vetëm nëpërmjet reciprocitetit. Ne jemi më të interesuarit që të kemi marrëdhënie të mira me fqinjin tonë, Greqinë. Zgjidhja e problemeve me Greqine, dialogu e në veçanti zgjidhja e Çështjes Çame në kuadër të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Traktatit të Miqësisë dhe Rezolutës Çame nuk është pengesë, por përkundrazi është guri i themelit për një fqinjësi të mirë të dy popujve miq e që kanë pasur shumë herë histori të përbashket e kanë ndihmuar njeri-tjetrin në mënyrë reciproke.
Investimi i qeverisë shqiptare dhe Presidentit të Republikës për heqjen e ligjit të luftës më në fund çoi në faktin e pranimit më në fund nga e qeverisë greke të këtij atavizmi të kohës është një hap për t’u përshëndetur, por është edhe tregues se si ballafaqimi me problemet është rruga më e mirë.
Nëse, kemi përgjigje pozitive për secilën prej pyetjeve që ngrita, atëherë jemi në pozita të barabarta me Greqinë e rrjedhimisht mund të ndërtojmë marrëdhënie për të zgjidhur çdo çështje të mbetur mes dy shteteve tona, e kryesisht çështjen çame.