Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Historia e njërit nga “ata”

Nga Media 0

Nga Kujtim Xhaja

Pas një ditë të lodhshme pune, zbres në qendër të Tiranës…Me kufjet në vesh, ashtu i shpërqendruar ndaloj përpara një semafori…

Në krahun tim të djathtë sytë më shquajnë një burrë rreth të pesëdhjetave, i ulur në një karrige me rrota. Serioz, në pamje, me një fytyrë të ngrysur, sytë e tij ishin drejtuar drejt meje dhe dukeshin sikur diç do më thoshin…

Zhurma e muzikës së lartë më kish gufmuar veshët, arrita të dalloja me zor një mërmëritje nga buzët e tij të thata, një mimikë lutëse nga fytyra e tij. Semafori ish ndezur, turma e njerëzve më mori përpara dhe unë bëja të ikja, por koka më mbeti mbrapa tek ky njeri misterioz. Doja të dija me çdo kusht ç’më kish thënë…

Heq kufjet nga veshi, ashtu i hallakatur siç isha, e dalloj atë njeri po në të njëjtin vend. Sytë e tij ishin drejtuar sërish nga unë. Seç më bëri një shenjë me dorë. E kuptova se ai, s’kërkonte gjë tjetër, veç të kalonte rrugën përtej. I duhej një ndihmë. Vetëm kaq më kish kërkuar…

Dhe unë ç’kisha bërë? I kisha hedhur atë vështrim të ftohtë, menefregist dhe arrogant dhe kisha kaluar rrugën matanë, pa e vrarë shumë mendjen.

I zënë si në faj, vrapoj me nxitim për të shlyer “gabimin” e sapobërë, kaloi rrugën dhe sa hap e mbyll sytë gjendem në anën tjetër të rrugës…

I kërkoj ndjesë për atë veprim të nxituar, vendos duart e mia në dy mbajtëset e ftohta të karrocës me rrota dhe i jap një shtysë përpara me sa kam fuqi. Kësaj here arrij të dëgjoi të pastër zërin e tij. Papritur ai ndryshon, mbase kanë ndryshuar mendimet e mia.

“Faleminderit o bir, kisha me minuta të tëra që po prisja aty”, më tha. Po priste për një njeri që t’i jepte një dorë.

“S’ke pse më falenderon. Unë duhet të kërkoj ndjesë”, i thashë me turp.

‘’Pse? mu kundërvu, “ti u ktheve nga rruga për mua”, dhe e vuri buzën në gaz. Fytyra iu çel dhe mori papritur një pamje të re. Unë e vështroja pa rreshtur. Pesë minuta kisha me atë njeri dhe po më dukej sikur e njihja një jetë. E kisha gjithë kohës nën vete dhe arrija t’i dalloja çdo vogëlsi.

I shihja flokët e zinj me ca kaçurrela të pabindur. Ishte i veshur keq, me ca rroba të vjetra dhe me një zë kumbues filloi të fliste. Mu lut ta lija aty dhe të vazhdoja rrugën, por nuk e dëgjova. Diçka e fortë s’më linte, doja të vazhdoja udhën me të…

“Jo”, i thashë, pak rrugë në këmbë më bën mirë. Vazhduam ashtu, drejt rrugës së Durrësit. I kërkova të më fliste pak për veten, si e shtynte ditën, çfarë bënte, si e vriste mërzinë, vallë mërzitej…

Përgjigjia e tij më shtangu: “Njeriu nuk duhet të mërzitet kurrë”, ma ktheu. “Ai asnjëherë nuk e di se çfarë i ka rezervuar e nesërmja”.

Dhe filloi të më tregonte i qetë rutinën e përditshmërisë:

“Ngrihem cdo ditë në orën pesë të mëngjesit.Jetoj vetëm me plakën(nënën) e cila më ndihmon me c’mundet.”-më thotë.

Çdo ditë të re, ai gjen një strehë apo një qoshe të re ku vendoste kutine e bananeve.

“Ato janë buka e gojës time”, më tregon. E rëndësishme është që kur vjen darka, mos të shkoj në shtëpi me duar bosh. “Ndonjëherë njerëzit ndiejnë keqardhje për mua dhe blejnë edhe pa arsye. Po unë jam mësuar tashmë, e kam pranuar këtë jetë dhe nuk mërzitem”, më tha. Ai fliste, unë i kisha bërë veshët katër dhe po e dëgjoja me vëmendje.

Në mëndjen time kisha krijuar një imazh plot me komplekse dhe dobësi për këta persona, ndërsa ai më shfaqej përpara syve të mi me një siguri te pashoqe per vetveten. Ajo bisedë më bëri të mendoj më shumë, më riktheu njëherë tek vetja ime. Sa herë na rastis në ditë të ankohemi për jetën tonë, për punën, paratë, për atë makinën që s’e blemë kurrë, për atë vajzën që nuk na “e vari”, apo për ato pushime që s’i bëmë ndonjëherë? Dhe harrojmë, nuk duam ta pranojmë, që në fund të fundit ne gëzojmë një shëndet të mirë dhe të plotë dhe kjo është pasuria më e madhe e njeriut. Të gjitha këto zemërata, hatërmbetje, mërzitje, mu dukën krejt të kota, të pakuptimta përballë atij njeriu sa të thjeshtë, aq edhe të madh njëkohësisht që kisha nën vete.

Jeta në kryeqytet na ka robëruar pak nga pak. Kultura e masës, e cila çdo ditë prodhon dhe vetëm prodhon, na ka diktuar përherë çmimin dhe jo vlerën e gjërave. Nevojat e rreme, që krijohen rishtas nga industritë komercialiste e kanë bërë njeriun të kërkojë përherë e më shumë. Ai ka mbetur më i pangopur se më parë. Të pangopur për të blerë, për të pasur dhe për të fituar. U bëmë pjesë e këtij zinxhiri dhe tanimë e kemi të vështirë të dalim prej tij. Ndërsa ky njeri që kisha aq pranë më çudiste me lehtësinë aq të natyrshme, që e kish marrë jetën e tij. ishte aq në paqe me të dhe mbi të gjitha, nuk mërzitej ndonjëherë…

Ai fliste, gëzonte, ndonjëherë fishkëllente pa të keq. Në fytyrën e tij ndjeva më shumë jetë, forcë, energji, se në të gjitha fytyrat e miqve dhe kolegëve të mi. Kjo bisedë më shijoi më shumë se bisedat e shtirura, hipokrite, ndonjëherë edhe kryeneçe të ca njerëzve të kollarisur dhe të veshur mirë. E adhurova këtë njeri dhe e dëgjoja me endje të madhe ç’më tregonte.

Unë lëvizja. Bashkë me mua lëvizte edhe ai. Papritur ishim bërë një mekanizëm i vetëm. Të dy u bëmë pjesë e atij rrugëtimi, i cili nuk zgjati shume, por më mësoi shumë.

Më mësoi, se ndonjëherë jeta të flet edhe me këto copëza historish njerëzore. Kjo ish historia e njërit nga “ata” të cilët rrinë, jetojnë, tregtojnë nëpër rrugët e Tiranës. Dita e re i gjen në rrugë dhe shtigje të reja, janë shumë pranë nesh e janë krejt të padukshëm, sepse vetë ne kemi vendosur mos t’i shohim….

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej