Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Grip në Gjirokastër… nuk ka “fair play”

Nga 27.al 0

Nga Saimir Demi

Që ndonjëherë futbolli që luhet në Shqipëri të duket si pronë private e dikujt, mjafton të jesh disi i interesuar për të dhe instiktivisht bëshesh here-herë dëshmitar se si kalendari i parashikuar në fillim të edicionit nuk merret parasysh, madje deformohet me shumë lehtësi. Ndryshohen data dhe orare ndeshjesh, aq sa të duket vetja sikur je përpara asaj tabelës së pisët në stacionin e vjetër të trenit, ku asnjëherë nuk e dije me saktësi kur ishte ekzakt koha jote për t’u nisur. Sa herë luan Kombëtarja e De Biazit, qoftë edhe ndonjë ndeshje miqësore, ndërpritet edhe kampionati i Kategorisë së Parë, megjithëse nuk ka asnjë futbollist të grumbulluar dhe jo më të aktivizohet në nivel kaq të lartë. Ndërsa së fundi është shtyrë gjysma e po këtij kampionati, pra saktësisht Grupi i Jugut, dhe jo pak, po për 98 orë, ndërsa arsyeja është për Guinness: Ka rënë gripi në Gjirokastër… Më e keqja është, se në këtë rast nuk bën punë as justifikimi: Kjo është njëlloj për të gjithë. Sepse në këtë rast nuk do të ankoheshin vetëm ata që janë të interesuar për të ruajtur ritmin e kampionatit dhe kështu që nuk i shkojnë për shtat pushimet midis “semestreve”, por pikërisht skuadrat që do të përfitonin direkt nga një kundërshtar me formacion të cunguar. Kështu Apolonia dhe Pogradeci janë në garë direkt me gjirokastritët për një gjë të madhe, një vend në Superiore sezonin e ardhshëm. Ishte Turbina që do ta priste Luftëtarin një ditë pasi futbollistët që kryesojnë tabelën e klasifikimit lanë spitalin e qytetit. Dhe cërrikasve u duhen ato tri pikë më shumë se kurrë, pasi kërkojnë t’i shpëtojnë rënies një kategori më poshtë. Pra, flitet për skuadra të cënuara drejpërdrejtë nga një vendim arbitrar i FSHF-së. Çfarë do të ndodhte nëse disa futbollistë në Cërrik nuk do të ndjeheshin mirë dhe do të dërgonin raport mjeksor në FSHF, madje të shoqëruar me një justifikim nga prindërit? Sigurisht që edhe Grupi i Jugut do të luante të shtunën.

Por sidoqoftë, sado pedant në gjykim, një rast i tillë meriton një debat pak më të gjerë, pasi flitet për një rast specifik, për të cilin nuk ia vlen të shfrysh vetëm për hir të interesave të prekura. Këtu bëhet fjalë për një çështje humane. Sipas pamjeve të ofruara ato ditë, dalloheshin qartë një pjesë e mirë e futbollistëve të Luftëtarit të shtruar në spital pothuajse në të njëjtën kohë dhe që kërkonin terapi intensive të mjekëve. Dhe që t’u lihej e gjithë koha që do t’u duhej bluzave të bardha, si dhe e gjithë koha në dispozicion atyre djemve të rinj të merrnin veten plotësisht, padyshim që është shumë më e rëndësishme se tri pikët e Turbinës, apo edhe synimet madhore të Apolonisë e Porgadecit. FSHF ndoshta duhej të tregohej më transparente në marrjen e vendimit dhe vetëm kaq, sepse në të kundërtën edhe reagimet vijnë me arrogancë.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej