Nga Spartak Ngjela
Vështirësi më të madhe se sa të sigurohej pavarësia e Shqipërisë në vitin 1913 nuk ka pasur në historinë botërore.
Por edhe pavarësia e Kosovës sërish po del si një akt shumë i vështirë.
Në fakt kjo është rrjedha e historisë kundër shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.
Në vitin 1912 me përjashtim të Austro-Hungarisë, të gjitha fuqitë e mëdha kanë qenë kundër shqiptarëve.
“S’ka shqiptarë”, kanë thënë. “Ata janë turq dhe osmanë”. Kështu thonë dhe sot në Athinë, por, të lodhur nga e vërteta që po del hapur, janë në panik, sepse me lloj-lloj dhunërash çnjerëzore Athina dhe Beogradi kanë dërguar në Turqi rreth 4 milionë shqiptarë. Po tani?
Nërkaq po duket që edhe kryeministri i lodhur shqiptar kërkon të shkojë në osmanizëm, që të ruajë pushtetin e tij. Por, tani kjo quhet komedi.
l.
Është falsifikuar e gjithë historia antike vetëm e vetëm që të fshijnë historinë e Shqipërisë si Arbëri. Është krijuar një Greqi false që nuk ka lidhje me antikitetin, nëse aty nuk do jenë shqiptarët arvanitas. Të gjithë kundërshtarët e shqiptarëve po i tmerron gjuha shqipe.
Duhet theksuar se shqiptarët në fakt mbijetuan se kanë bërë një vepër të çmuar historike: ata në shekujt shtypës kundër tyre, kanë ruajtur gjuhën të paprekur. Dhe, në një rrafsh historik, gjuha shqipe i shpëtoi shqiptarët nga shfarosja e imponuar në mbi 300 vjet.
Historia e gjashtëqind vjetëve të fundit, e gjitha ka qenë një histeri makabër kundër gjuhës shqipe. Stambolli, Athina dhe Beogradi në këtë histori kanë treguar një tërbim kriminal kundër gjuhës shqipe. Në fund asgjë.
Gjuha shqipe, me e vjetra dhe më frutdhënësja gjuhë e botës, sot është në lulëzimin e saj të sigurt.
Megjithatë, lufta kundër saj dhe kundër shqiptarëve nuk ka përfunduar. Por ka një risi në këtë kohe: është aleanca e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ka sjellë ndryshimin.
Shqiptarët, në të gjithë botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor, kaluan realisht nga mbijetesa në riformim kombëtar.
Kjo është koha e sotme historike për shqiptarët: me anë të reformës së saj të përgjithshme në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni, të shkohet në bashkimin kombëtar shqiptar.
ll.
Janë kohët e pasluftës së Kosovës që po ngrenë kudo shqiptarët. Shtetet e Bashkuara i dhanë pavarësinë Kosovës, e cila tani është një qëndër e rëndësishme e politikës botërore amerikane. Kosova ka filluar ngritjen e ushtrisë së saj me ndihmën amerikane. Aty sot ndodhet baza më e madhe që amerikanët kanë në Europë.
Dokumenta të fshehura po dalin, dhe ngjarjet që pritet të vijnë do ta rishkruajnë plotësisht historinë e Ballkanit, e cila si fakt historik, lidhet vetëm me historinë e Arbërisë.
Reformimi i Arbërisë duket tani se është domosdoshmëri për politikën amerikane. Lufta e tregjeve dhe lufta politike, që ngaherë janë të lidhura me njëra-tjetrën, kanë sjellë në skenë pozicionin gjeografik të Shqipërisë dhe të Kosovës si qëndër për zhvillimet e ardhëshme globale.
Sot në Ballkanin Perëndimor janë dy shtete shqiptarë që po kuptohet nga gjithkush se po shkojnë drejt bashkimit të tyre. Por në të njëjtën kohë në Tiranë është prezente një klasë politike dirigjente e korruptuar që është vënë kundër shqiptarëve dhe politikës amerikanë në këtë zonë. Në fakt ky është konflikti aktual i shitjes së interesit kombëtar, me politikën antikorrupsion që po zhvillohet në Shqipëri, nën drejtimin e politikës amerikane dhe politikës gjermane.
Historia e Shqipërisë tani është kthyer sërish të viti 1912 – 1913, kur intetesi i saj ishte i bashkuar me Austro-Hungarinë dhe Gjermaninë, të cilat me politikën e tyre mundën të krijonin një shtet shqiptar me 28 mijë km2, në një kohë kur idea e tyre ishte për krijimin e një shteti me rreth 100 mijë km2.
Po sot?
Sot gjithçka këtu është kthyer sërish, por tani në vend të Ausro-Hungarisë dallon akti real i politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pikërisht këtu fillon loja e re e politikës globale amerikane: asaj i duhet një shtet shqiptar i fuqishëm dhe me bashkim. Kjo tani është një rrugë politike që po spikat hapur e po e sheh kushdo. Si rejedhim, ky fakt, ka ngritur tensionin në Moskë, në Athinë, në Beograd dhe në Stamboll. Si gjithmonë. Por tani këta grabitës shekullorë të shqiptarëve kanë përballë forcën amerikane.
A e keni parë si flasin? Me një shqetësim të brendshëm dhe në një mision sërish antishqiptar.
lll.
Gjithsesi, do apo nuk do Moska, Beogradi dhe Athina, tani historia po ndërron. Por kjo ka hedhur në sulm të hapur autorët e gjymtimit të Shqipërisë: Rusinë, Turqinë, Greqinë, dhe Serbinë. Janë të gjithë bashkë kundër politikës pro arbërore amerikane. Dhe bashkë janë hedhur në përkrahje të korrupsionit aktual shqiptar në Tiranë. Gjithçka duan ta paraqesin te filozofia e tyre vjetër: “nuk ka shqiptarë, janë osmanë”. Për këtë kanë paguar e paguajnë ca hoxhallarë injorantë me të cilët tallen të gjithë sot në Shqipëri, por paguajnë edhe politikanë e gazetarë që janë fakirë e fukarenj nga mendja.
Është frika e ndëshkimit nga antikorrupsioni si reformë në Shqipëri, që po sjell bashkimin e qarqeve shekullore antishqiptare me të korruptuarit e sotëm të Shqipërisë.
Frika e Ramës, dhe shpresa te neoosmanizmi i Erdoganit, kjo duket se është realisht politika pa sens e kryeministrit shqiptar.
Ky kryeministër, pas Esat Toptanit, sigurisht që është ithtari më i madh i osmanizmit.
Në fakt është i goditur. Nuk ka fare arsye politike për historinë e Shqipërisë, dhe i ka hapur dyert një tjetër marrëzie: marrëzisë Erdogan; për të krijuar ideologjinë osmane në Shqipëri dhe për të mbretëruar vetë. (!)
Edi Rama sot është i futur në budallallëkun më të madh: ai urren Perëndimin se ka vjedhur dhe nuk mund qëndrojë në pushtet. Por as vetë nuk e di përse e do këtë pushtet kur nuk di të bëjë asgjë.
Urren Perëndimin se nuk pranon demokracinë.
Urren Perëndimin si Enver Hoxha dhe e kërkon që me aziatikët të përvetësojë pushtetit.
Dhe kot të zgjatemi: është në depresionin që i vjen nga frika e ndëshkimit për korrupsion.
Po nuk ka forca të shëndosha demokratike në Parlamentin shqiptar që të krijojnë qeverinë që i duhet vendit. Mazhoranca duket e tularur, por duhet ta kuptojë se me një kryeministër të tillë ajo rrezikohet tërësisht.
Është e pamundur të ndalohet reforma shqiptare që ka nisur. Ajo është politika e re e bashkimit shqiptar në Ballkanin Perëndimor. Dhe është krejt e krejt një politikë amerikane.
E pra, Rama me Erdoganin do ta mundin politikën amerikane për Ballkanin Perëndimir?! Kjo politikë tani është doktrinë amerikane e strukturuar me konsolidim historik. (!) Rama me Erdoganin do ta mundin!!!
Dhe gjithçka po ngrihet kundër Reformës shqiptare.
lV.
Deri para një viti Ramë ziu priti që ndalimin e reformës ta bënte Berisha në Shqipëri. Por kur e pa që ai doli si i rrënuar nga çadra e tij dhe u fut në parlament për të votuar reformën, Rama në budallallëkun e tij doli në skenë të ndalonte reformën. Por asgjë. Ai tani po luan me frikën e tij.
Rama kërkon të bllokojë plotësisht politikën anerikane dhe nuk e di as vetë se ku po shkon.
Në të vërtete kryeministri shqiptar e mori goditjen frontale nga studentët shqiptarë. Dhe jo vetëm kaq, por si pasojë e kësaj goditjeje, afër dy vjet pas kërkesës amerikane, nga frika, Rama e nxori më në fund të padëshirueshëm ambasadorin iranian në Tiranë. Po kështu do të vazhdojë ky pafille?
Studentët mendohet se do të vijojnë. Ata janë një masë kompakte që nuk pranojnë asnjë forcë politike korruptive që t’iu afrohet. Dhe, nëse vijojnë kështu, sigurisht që do të rrëzojnë kryeministrin.
Le të flasë Edi Rama si të dojë, studentët duan realizimin e tetë pikave të tyre.
Në fakt, tetë pikat e studentëve janë preludi i procesit antikorrupsion që do të ndërmarrë SPAK-u gjatë muajit shkurt.
Rama bërtet se e ka ndërruar qeverinë dhe po pranon studentët. Por është i pushtuar ndërkaq nga psikika e tij e rënë. Nuk shpëton dot.
Çfarë do të ndodhë nëse studentët do të vijojnë protestën kundër tij? Asgjë e veçantë. Sigurisht që Rama duhet të japë dorëheqjen, sepse përplasja me studentët, nuk i lejon forcat regresivë të Partisë Demokratike dhe të LSI – së që të futen në lojën e destabilizimit të Shqipërisë, e dëshiruar nga Breisha, Rama dhe Meta.
E pra, çfarë duhet të bëjë kryeministri aktual? Duhet të japë dorëheqjen. Të gjithë rrugën që po ndjek i ka në rrezik tërësor kundrejt vetes.