Nga Skënder Minxhozi
Kush kujton javën para 21 korrikut (duket sikur kanë kaluar gjashtë muaj), e ka ende të gjallë elektrizimin dhe tendosjen që pësoi ambjenti politik dhe mediatik në Tiranë. Duheshin 94 vota për reformën në drejtësi dhe ato nuk i kishte asnjëra nga palët. Të paktën në letër. Hyrja e fuqishme e ambasadës amerikane në lojë, në orët e fundit para votimit dhe presioni i shtuar i europianëve, bënë që Lulzim Basha të hapte rrugë dhe që i gjithë Kuvendi të votonte një projekt që tani pritet të bëhet funksional nga miratimi i një liste ligjesh që prekin prokurorinë speciale, vetingun dhe forumet e tjera të larta të sistemit të ri të drejtësisë.
U duk sikur parlamenti, e bashkë me të e gjithë shoqëria, u shtendosën pas votimit të 21 korrikut. Të gjithë i kthyen sytë nga deti me një dëshirë të tillë, saqë pakkush nga politikanët qëndroi në Tiranë gjatë gushtit, me përjashtim të anëtarëve të komisionit të reformës.
Ky vakuum u përpoq të mbushej disi me disa fabula dhe gjysëm-fabula, më shumë të sajuara sesa të vërteta. E para, ishte e ajo e presidentit që nuk dinte ç’të bënte me Këshillim e Emërimeve në Drejtësi. Përplasja e dispozitës kushtetuese me ligjin e munguar që përcakton procedurat konkrete, bënë që kreu i shtetit ta humbasë të drejtën për të shpallur kandidaturat e KED. Zhvillimi i dytë, ishte ai i një debati për shkeljen eventuale të lirisë së shtypit, me rastin e ruajtjes së sekretit hetimor, gjatë punës së prokurorisë speciale. Një debat në thelb bosh, ku shumica u konformua, më shumë e kompleksuar nga “ekstremistët e konsensusit” të LSI, sesa nga vetë përmbajtja e nenit të famshëm 13.
Dhe së fundi, më e rëndësishmja nga të treja këto zhvillime verore, ishte negociata pas perdeve për vetingun. Për fatin e mirë të Fatmir Xhafës dhe Edi Ramës, ligji i vetingut është shkruar thuajse i gjithi nga ndërkombëtarët, të cilët ishin edhe oponenca e vërejtjeve të opozitës për vetingun. Rezultati ishte i qartë: pjesa më e madhe e listës së gjatë të propozimeve të PD u konsideruan në konflikt me esencën e procesit të vetingut. Gjasat janë që edhe këto orë të mos sjellin përmbysjen e këtij ligji, i cili në fakt është pika e gravitetit e të gjithë reformës në drejtësi.
Java ku po hyjmë, deri në orët e fundit të muajit gusht, do të jetë përcaktuese për këmbën, me të cilën reforma në drejtësi do të hyjë në skenën shqiptare. Rrethana kryesore që e lehtëson procesin e miratimit të ligjeve që do t’i japin asaj jetë, është se tashmë do të duhen vetëm 84, e jo 94 vota. Që do të thotë se në rast kolapsi taktik nga secila palë në Kuvend (mund të imagjinohet lehtë se cilët janë më të prirur për ta bërë këtë), shumica prej 84 votash është gjithsesi më e lehtë se ajo prej 94 votash. Fundi i gushtit do të shënojë fillimin e zbatimit të reformës në drejtësi. Këtë rradhë pa fanfara, duartrokitje dhe shpresohet…as edhe tension.
Tashmë të gjithë janë pajtuar me faktin se reforma në drejtësi, nga mundësi është kthyer në realitet. Priten vetëm dorëheqjet e para brenda sistemit, të cilat thuhet se do të jenë jo të pakta. Natyrisht, në formën e “protestës” për shkeljen e të drejtave e lirive kushtetuese, personale apo familjare. Bëhuni gati ta dëgjoni shumë shpesh këtë frazë në javët e ardhshme.
/javanews.al/