Nga Bjorn Kamberi
Sikur çdo vit ardhja e vjeshtës përkon me një pranverë të re, atë të çeljes së debatit dhe përballjes ndërmjet pjesëmarrësve në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Moment ky, që përtej lajmit, e monopolizon edhe vëmendjen e politik-bërësve e analistëve anekënd. Për shkak të zhvillimeve të rëndësishme në aktet e këtij teatri ndërkombëtar, këtë herë “loja” e aktorëve përfaqësues të publikut, u ndoq me kureshtje të shtuar, e duke pasur parasysh skenarin intrigues, nuk zhgënjeu të ndizte polemika dhe debat gjithpërfshirës.
Ky sesion përkoi me presidencën e SHBA-ve mbi Këshillin e Sigurimit dhe hapsirën që ky moment i la fjalimit të shumëpritur të Presidentit Trump, praktikë që është kthyer tashmë prej opinionistëve në një pellg reflektues ku të gjithë afrohen për të parë të vërtetat e shteteve, e ku gjithnjë e më shumë shquajnë vetëm të vërtetat e tyre. E ky rast ilustroi një skenar në prime-time të përplasjes së SHBA-së me iluzionin e shumëkujt për to dhe të së ardhmes me ata aktorë e rryma që do ta shënjojnë atë. Për shumë kënd fjalimi i Trump, vjen si një pjesëz plotësuese e mozaikut të tij qëndrimor, pra një gur kilometrik i një të ardhmeje të qëndrueshme e për të tjerë, një gurkre ngrehine të turbullt e të humbur në kryqëzim të atyre politikave të heshtura e tensioneve që i luajnë fijet e pushtetit që prej godinës së OKB-së në New York. Kjo analizë mëton të hedhë dritë mbi ata çelësa zbërthimorë të retorikës që e bëjnë më pas parashikueshmërinë e vijimësinë llogjike të rrokshme e të përdorshme në analiza të tjera krahasimore, e njëherësh praktike për të ilustruar zhvillimet që pritet të pasojnë.
Fjalimi i Trump përpara Asamblesë së OKB-së, me gjithpërfshirësi ndër syresh, ishte mbi të gjitha një përpjekje për largimin prej idealizmit shterpë drejt një pragmatizmi lakonik. U vërejt se mungonte për herë të parë vija ideologjike orientuese që ka shenjuar tradicionalisht qendrimet amerikane në të tilla sebepe, aq sa komentatorë të ndryshëm aluduan nëse fjalimi ishte produkt i së njëjtës penë këshillimore apo një kombinim penash kontradiktore. Përkundrazi, ky fjalim është derivat i një analize strategjike që përqafon qasje të ndryshme për tematika dhe interesa me peshë specifike të ndryshme. Përqafimi i zgjidhjes diplomatike për Korenë e Veriut, i artikuluar nga Trump e Pompeo edhe përgjatë punimeve të asamblesë, përveçse një rikonfirmim i zhvillimeve spektakolare të muajve të fundit sa i takon de-nuklearizimit të gadishullit Korean, i shkon për shtat zgjidhjes elegante e aq të nevojshme të një krize të eskaluar rishtazi në një rajon gjithnjë e më delikat për SHBA. E megjithatë retorika e rreptë karshi Iranit dhe përpjekjes së parreshtur të rregjimit teokratik për të shtënë në dorë armët bërthamore, dëshmon koherencë në qëndrimin Amerikan karshi balancës së fuqisë që përfaqsojnë të tilla armë si edhe ekuilibrave në Lindjen e Mesme. Për të arritur këtë qëllim Trump ka zgjedhur një ekip këshillimor kompleks, në mënyrë që të përftohet një mijshelë gjithpërfshirëse ideologjike dhe planifikuese, duke shijuar kontribute që variojnë prej konservatorizmit të John Bolton, tek pragmatizmi ushtarak i Sekretarit të Mbrojtjes Mattis, prej eksperiencës së Dan Coats, Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, deri tek karizma dinamike e Nikki Haley, ambasadores së SHBA pranë OKB.
Ndër rreshta mund të veçojmë propozimin për një sistem që e riorienton vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar prej grand-ideve liberale që deri diku i takojnë fosileve të Luftës së Ftohtë, drejt multilateralizmit që ravijëzohet në favor kryesisht nëpërmjet zhvillimit ekonomik, bosht ky i premtimeve programore të Trump që prej garës Presidenciale, duke i dhënë rëndësinë e duhur zhvillimit të pamohueshëm të fuqive të reja që duhen akomoduar me një përqasje më inovative. Bash këtu zë vend edhe kritika therëse për situatën hipnotike që ka krijuar qoftë edhe metaforisht, thënia e Fukuyamës se me rënien e Murit të Berlinit, historia politike botërore njohu fundin e proçesit evolutiv, dhe se demokracia liberale do të triumfojë per-se, duke shërbyer si opium që mpak në sytë e shumëkujt rëndësinë e qëmtimit të zgjidhjeve serioze për sfidat e reja të pas Luftës së Ftohtë. Levizjet e Trump kësisoj nuk duhen parë si braktisje e aleancave tradicionale por si një modifikim dhe përshtatje e tyre për t’i shërbyer më mirë interesave dhe vizioneve strategjike, si edhe një sfidë kurajoze karshi iluzionit ngushëllues të hegjemonisë unilaterale e përtace. Në këtë kontekst, kundërshtia dhe skepticizmi karshi këtyre nevojave mbart naivitet duke pasur parasysh rritmet eksponenciale të lëvizjeve tektonike të zhguallit politoko-ekonomik global.
Rendi i liberalizmit “idealist” është sfiduar jo vetëm në dëm të interesave të demokracisë liberale, duke dëshmuar pasoja në pjesë të ndryshme të globit duke përfshire këtu Bashkimin Europian e jo vetëm, por edhe duke përftuar një enigmë shqetësuese karshi lindjes së fuqive te reja ekonomike duke përmendur ndër të tjera Kinën e Indinë, Brazilin e Meksikën, që sjellin ndryshime gjithpërfshirëse në tablonë gjeopolike dhe makro-ekonomike botërore.
Në këtë prizëm, politika e Trump kërkon që për herë të parë SHBA të ndajë legjitimisht barrën e mirëmbajtjes së sistemit të tregtisë së lirë dhe shtyrjes së kufinjve të shkëmbimit të dijes dhe informacionit si edhe çmimin e garantimit të zbatueshmërisë së atyre rregullave që mundësojnë përfitim të përbashkët brenda këtyre kufinjve me bashkëpërfituesit, të cilët përgjatë dekadave të fundit e kanë shfrytëzuar lidershipin amerikan si një buffer, zonë rrufepritëse për prokopi individuale a rajonale pa përgjegjësi globale. Ky orientim nuk është asesi izolacionizëm por multilateralizëm që sidoqoftë e nënvizon rëndësinë e lidershipit amerikan, por me një theks të veçantë që i vihet analizës së kostos. Borxhi kombëtar i SHBA-së, duke përfshirë këtu edhe borxhin e jashtëm, ka arritur një kulm të ri me mbi 100 % të GDP vjetore, çartitur prej nivelit të 40 % rreth mesit të viteve 80’, paraqet një medium sfidant dhe nevojë urgjente për planfikim dhe përqasje relevante. “Lufta” tashmë e shpallur tregtare me Kinën shërben si dallëndyshe lajmëtare e kësaj nevoje.
Në anën tjetër të medaljes, diskursi veçse në fasadë liberal e globalist që vlen gjithnjë e më tepër në kolanat e publikimeve mediatike por gjithnjë e më pak si zgjidhje e problemeve reale, është diskretituar tashmë empirikisht dhe katandisur në një shemër të qëllimeve të virtytshme që e patën themeluar duke u shfazuar në kohë e hapësirë. Këto politika që vazhdojnë të trumpetohen prej një pjese të opinionit si të domosdoshme, e që mungojnë në diskursin e Trump, kanë dështuar duke krijuar një hon ndërmjet perceptimit publik dhe realitetit. Është pikërisht kjo hapësirë midis pritshmërisë së intelektualëve e akademikeve dhe ndjesive të popujve që shërben si mama e foshnjës populiste, dhe si mami e dasisë dhe paragjykimit, ringjalljes së nacionalizmit dhe racizmit, e që në lentet e një bote tashmë globaliste, të tilla dukuri në vend që ta humbnin peshën, e kanë shtuar, si kadavra që na kujtojnë se ende nuk jemi ndarë prej të shkuarës e gjithnjë e më të paqartë jemi karshi së ardhmes.
Ndaj edhe taktika e zgjedhur prej kritikëve për t’i anatemuar qëndrimet mbase të pazakonta por jo të pamenduar të Administratës Amerikane është ajo e mahisë intelektuale, përqafuar prej shumë analistëve brenda SHBA-së dhe jashtë saj, një “banaliteti i konspiracionit”, koncept i përngjashëm për nga deduksionet logjike me frazën e Hannah Arendt, “banaliteti i ligësisë”, duke ja humbur kështu tharmin kritikës konstruktive, por që është sidoqoftë ushqim për mendim të një tjetër thellimi analitik. Përshtypja se këto qëndrime dhe veprime, por edhe mosveprime, janë pjesë e një makrostrukture ktonike a konspiracioni të planifikuar, mendime të përqafuara prej kundërshtarëve të brendshëm politikë të Trump, por edhe prej liderëve aventurierë ndërkombëtarë a komentuesve gjithfarë, janë në gjykimin të analizës, prirje të rrejshme të cilat e kërkojnë argumentin obskurantist ashtu sikur kultura post-truthmediatiko-fotografike lajmin sensacional.
Qëndrimet e Administratës 45’si edhe ato modifikime rishtazi të prezantuara e të tjera që me gjasë do prezantohen në të ardhmen në politikën e jashtme amerikane mundet fare thjesht të vështrohen si një proces i natyrshëm brenda një vizioni kryekëput racional. Ky multilateralizëm i ri sidoqoftë gjendet në hulli të diktatit Amerikan që i ka çimentuar edhe pse duke ndjekur metodika të ndryshme konstruktive, aftësitë për ta kornizuar diskursin e progresit global, duke i latuar ato nëpërmjet konceptit të soft power. Koncepti sidoqoftë ka evoluar, prej teorisë së Joseph Nye, në praktikën ekzekutive të Shtëpisë së Bardhë duke iu përshtatur presidentëve dhe politikave të tyre pa e humbur në brendësi qëllimin dhe efikasitetin. Ushtrimi i ndikimit nëpërmjet soft power-it i është nënshtruar kësisoj një cikli të plotë metamorfik, që prej idealit të ndërhyrjes agresive në dobi të demokracisë, doktrinë e mirënjohur e Administratës Bush, tek përpjekja e orientuar drejt bashkëpunimit tolerant e kulturor të Obamës, e së fundmi tek qendrimet në dukje populiste por mirëfilli pragmatiste të Trump, që po i shton prakticitet kontemporan kësaj praktike.
Ky proçes legjitimon idenë se një ndër cilësitë më të vyera të fuqisë që projekton tashmë prej një shekulli SHBA, është përshtatshmëria dhe koherenca e rrënjosur në vlerat themeltare, si antitezë kundrejt modeleve të rigjidësisë dhe stanjacionit veprimor e ideologjik që i ka karakterizuar superfuqitë e dikurshme, aspekte tek të cilat mund të gjurmohen edhe shkaqet e vjetërimit dhe shkërmoqjes së influencës së këtyre fuqive ndër faqe të shekujve. Po këtu mund të zbulojmë sesi Amerika ka dëshmuar dhe shoqëruar lindjen e shumë fuqive dhe zbehjen e shumë të tjerave duke vazhduar ta rifreskojë dhe kontekstualizojë ndikimin dhe udheheqë drejtimin e zhvillimit global.