Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Ditari i një karantine… dita e gjashtë…

Nga 27.al 1

Nga Kujtim Xhaja

I dashur ditar,

Kurrë nuk e kisha imagjinuar se do të të shkruaja, madje njerëzit që mbajnë ditare deri dje, më dukeshin të mërzitshëm, melankolikë dhe romantikë të pandreqshëm, por ja ku jam, po të drejtohem ty. Në këto ditë të vështira që po jetojmë mbase ti mbetesh ngushëlluesi më i mirë…

Sot është dita e gjashtë e karantinës, në lajme dëgjova se të gjithë këmbësorët do të lëvizin vetëm në dy orare: 06:00- 10:00 dhe 16:00-18:00, madje do të ndalohet dalja në këmbë rrugëve me persona të tjerë në krah. Mbase unë nuk jam shembulli perfekt i izolimit, pasi më duhet të dalë për të shkuar në punë, por sërish e ndiej dita-ditës këtë gjendje.

Dje kur u ktheva nga puna në darkë, ndjeva një erë të rëndë hudhre në shkallët e pallatit. Kur u futa në shtëpi kuptova se kjo erë vinte nga dera ime. Pashë nënoken time me faqet flakë të kuqe si molla. E kur asaj i skuqet fytyra, me patjetër diçka nuk shkon…E pyeta çkish ndodhur, më thotë se  gjithë ditën kish vuajtur nga tensioni shumë i lartë i gjakut. Më vonë më tregon se kish komunikuar me gjyshen time në distancë, të cilën ka javë të tëra që nuk e sheh dhe aq shumë kish dashur ta fuste brenda në shtëpi, por frika kish qenë më e madhe. Kjo e kish bërë të ndihej keq gjatë gjithë ditës..

Nëna ime, një grua kaq aktive në jetë, e cila është e gatshme të kryej njëmijë gjëra brenda një ore, ashtu siç bëjnë të gjitha gratë e vuajtura shqiptare, nuk e koncepton dot të rri e mbyllur në shtëpi 24 orë në 24. Dita e saj e vrullshme që niste herët në mëngjes, e përfundonte në mesnatën vonë tashmë do të mbyllet brenda 4 mureve të shtëpisë. Kjo është jashtë çdo imagjinate për të.

Si t’ia shpjegosh asaj të qëndroi e mbyllur me ditë të tëra pa parë vajzën, nënën, nipin, vëllanë?

Për të kjo është një vetëvrasje e ngadaltë…

Pak nga pak tani po e kuptoj edhe unë…

Rutina ime e përditshmërisë është shtëpi-punë, punë-shtëpi, asnjë veprimtari tjetër. Dita-ditës po ndiej nevojën aq të madhe të kontaktit fizik. Tani po e shoh sa i rëndësishëm qënka!

Sa më ka marrë malli të ndiej aromën e ngrohtë mishtore dhe të butë të nipit tim të vogël, i cili ende nuk i ka mbushur 3 vjeç. Sa më mungon ajo puthja mbrapa kokës, të cilën ja rrokja ashtu vjedhurazi, pak me detyrim dhe më mbushte me jetë. Sa më mungon ai përqafim i fortë me motrën time, e cila është një stacion autobusi larg. Sa e ndiej të largët atë shtrëngim shpatullash me miken time të ngushtë, me të cilën edhe kur takohesha pas dy-tre muajsh, më dukej sikur kisha folur dje. Sa të nevojshme e kam të përkëdhel ato flokët e thinjur të gjyshes, tek më tregon ato historitë e saja të mundimeve dhe të punëve të fshatit.

Eh, mor ditar i dashur…a e beson dot? Më duket sikur jam zgjuar nga një ëndërr e keqe dhe ashtu në një mëngjes pranvere, krejt papritur shoh të gjithë njerëzit me disa maska të çuditshme në fytyrë, të transformuar. Rrugët e qytetit bosh, si një shkretëtirë.

Është e frikshme ta mendoj, ta çoj nëpër mend në një kohë tjetër, sikur teknologjia, interneti, rrjetet sociale të mos ekzistonin, dita-ditës, pak nga pak do të filloja të harroja mimikat, fytyrën e të dashurëve të mi, në një gjendje, të cilën asnjë nuk e di sa do zgjasë, sa do shkojë.

Ja ç’na bëri ky virus, na ndau nga njëri-tjetri, na bëri të panjohur. Po jetojmë në ca kohra të cuditshme, absurde. Të gjithë jemi duke luftuar një luftë të vetme kundër një armiku të padukshëm,i cili erdhi ashtu..krejt papritur, si një mik i paftuar. U ul këmbëkryq në sofër dhe po na dikton rregullat e shtëpisë. Një armik i përligjur i mallkuar, të cilin nuk e njohim, nuk e shohim, të cilit rëndom i kemi vënë një emër, një epitet, një titull, ashtu si të mocmit tanë, ia vinin të keqes së kobshme, për të qëndruar sa më larg, i thoshin “qoftëlargu”.

Ja kështu jemi bërë edhe ne! Eh sa kam dëshirë të dëgjoj këto ditë një trokitje të derës, të kem një njeri që ta pres…

Ditari im, nuk e di se sa do vazhdoj kjo gjëndje, me ditë, muaj a vite, por dicka me siguri e di, do bëhem I fortë…po, po më duhet të duroj, do pres tek e fundit. Njerëzit kanë pritur me vite( vallë si duroi im atë në kampet e përqëndrimit aq gjatë?!)…Jo, jo e kam vendosur…ky virus nuk do me mund. Unë jam më i fortë se ai…Sa  kam shpresë, dëshirë dhe gjak unë do të luftoj…!

 

Loading...

Komente (1)

  1. Super shkrim, i vecante dhe plote jete.🦋

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej