Nga Dom Gjergj Meta
Tri çështje kanë zënë faqet e shtypit dhe kanë shkaktuar debat në opinionin publik në këto kohët e fundit në Shqipëri. E para ka qenë protesta në Rrugën e Kombit, e dyta debati rreth kampeve të regjimit komunist në mënyrë të veçantë debati rreth kampit të Tepelenës dhe e treta debati rreth komunitetit LGBT. Për të parin nuk kam shumë çfarë të them më shumë, sepse Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë, ku bëj pjesë edhe vetë, ka folur duke mbështetur të drejtën e protestuesve, qoftë si e drejtë porteste e qoftë në kauzën e tyre, që është kauza e varfërisë së pjesës më të madhe të shqiptarëve, duke dënuar në të njëjtën kohë dhunën.
Për dy çështjet e tjera do të doja të shpenzoja disa fjalë, jo pse është hera e parë që flas dhe që marr pjesë në këtë debat, por sepse paraqitet çdo herë në forma të ndryshme.
Unë e kam ndjekur me kujdes debatin rreth kampeve të përqendrimit në regjimin komunist. Me kampin e Tepelenës jam njohur nga historia rrënqethëse e Drane Jakës e cila mbarti kufomën e djalit për ta çuar e për ta rivarrosur në vendlindje, në Tropojë. Një histori e rrallë që kur doli në shtyp u bë virale. Prej asaj kohe jam përpjekur të informohem, nëpërmjet njerëzve që kishin qenë aty, dhe kam mbetur i shtangur nga dëshmitë e tyre.
Emisioni “Opinion” i para dy ditëve i Blendi Fevziut, të cilin gjej rastin ta falenderoj edhe publikisht për këtë shërbim që i ka bërë historisë dhe vuajtjeve të atyre njerëzve, si edhe dëshmitë e Sokol dhe Simon Mirakës, të cilët i njoh personalisht, apo të dy pinjollëve të familjes Mena nga Lura, më shtynë të mendoj se negacionizmi, reduktivizmi apo thjeshtëzimi i krimeve të asaj kohe, të konsumuara në ato kampe, janë po aq kriminale sa edhe ideimi apo përdorimi i atyre kampeve për të poshtëruar dhe persekutuar qindra e mijëra familje nga kjo Shqipëria jonë e vogël. Kjo për mua është një axhendë neokomuniste që, në një mënyrë apo në një tjetër, çohet përpara e nxjerr krye sa herë ne fillojmë të harrojmë apo të zhvendosim vëmendjen në gjëra të tjera.
Hidhen si shashka teori, nxirren dokumenta apo pseudodokumenta, ndërkohë që ekzistojnë dokumenta frymorë, njerëz ende të gjallë, protagonstë të vuajtjes së asaj kohe të mbrapshtë. Dhe kjo më së shumti quhet sarkazëm, ironi, poshtërsi, cinizëm dhe tallje. Është si t’i thuash një njeriu që ka luftuar me një tumor: hë mor burrë se ke qenë i ftohur në mushkri, ethe ke pasur, ankohesh kot. Kjo agjendë diku e është hapur e diku tjetër fshihet në nënvetëdijen e atyre që nuk duan të dorëzohen e të thonë: Po! Ai sistem ishte kriminal, antishqiptar e antinjerëzor. Nuk duan të dorëzohen qoftë ata që ishin protagonistë, në administratë apo në propagandë, e qoftë pasardhësit e tyre biologjikë apo ideologjikë. Deri tani vetëm një njeri kam hasur që ka qenë i qartë, i vendosur, fisnikërisht njeri dhe me një sens përgjegjësie për t’u admiruar e ky është Bashkim Shehu. Vetëm ai arriti të çlirohet nga kompleksi edipik, duke u distancuar nga aktet kriminale të të atit. Deri tani, së paku publikisht, nuk kam njohur njeri tjetër, edhe pse në privatësinë e bisedave shprtërore kam njohur situata të tjera.
Çfarë synon kjo axhendë? Me vetëdije apo pa vetëdije, kjo është përpjekja e fundit për një rehabilitim të një epoke që ka dhënë tashmë shpirt dhe të shumë personave që nën peshën e fajit përpiqen të mbajnë kokën lart për të mos u mbytur. Por, po ashtu, me vetëdije apo pa vetëdije, është përpjekja për krijimin e një nënshtarti të ri në të cilin idetë e komuniste të vlerësohen përsëri e të kenë mundësi të ripropozohen edhe politikisht. Ndërmjet përpjekjes neotomaniste të këtyre kohëve të fundit dhe asaj neokomuniste ka një analogji shumë të fortë edhe pse në dy rrugë e mendësi krejtësisht të ndryshme. Kjo duhet ndalur, jo si ndalesë e kërkimit historiografik, por duhet ndalur si përpjekje për të mohuar apo reduktuar krimet dhe vuajtjet e njerëzve që meritojnë respekt dhe mirëkuptim.
Çështja tjetër është ajo e LGBT. Ka një lloj agjende imponuese rreth kësaj çështje, pasi agjenda LGBT vjen nga lart dhe nga larg. Duhet ndarë agjenda LGBT dhe personat LGBT. Ndërhyrja e fundit në parlament e përfaqësuesve të dipolmacive të huaja, sidomos USA në personin e ambasadorit Donald Lu, apo edhe disa deputetëve tanë, është një paternalizëm krejtësisht i pavend dhe hipokrit. Paternalizëm që vjen si pasojë e një vendi të vogël e me plot probleme, i paaftë për të vendosur vetë e për të marrë në dorë fatet e vetvetes. Kur u miratua Reforma në drejtësi, Ambasadorët e vendeve europiane e të USA heshtën përballë heqjes së nenit të mosdiskriminimit në Kushtetutë. Atëherë heshti edhe Avokati i Popullit dhe shumë ojq e ojf, madje edhe vetë LGBT. Kjo do të thotë se në këtë çështje oportunizmi është kriteri i veprimit dhe jo kujdesi ndaj personave LGBT.
Në prag të votimit për Reformën në Drejtësi kundër këtij neni foli vetëm Mesila Doda dhe Tritan Shehu. Në atë kohë e kritkova Mesila Dodën dhe e quajta oportuniste, por më duhet të pranoj se ajo kishte të drejtë dhe jo unë. Dua t’i qortoj vetes një lloj naiviteti përreth kësaj çështjeje. Axhenda LGBT, ashtu si paraqitet ndër ne dhe në shumë vende të tjera perëndimore, është një çështje oportunizmi dhe ekonomie. I ngjan OJQ-ve që punojnë për pyllëzimin e pyllëzim s’ka askund. Në këtë pikë jam dakort përsëri me Mesila Dodën dhe Tritan Shehun të cilët së fundmi e kanë artikuluar qartë këtë gjë. Shumë qeveri dhe politika të majta e liberale çojnë përpara agjenda të tilla. Zhgënjimi që kanë pasur nga eksperimenti stalinist në kampin socialist, i ka hedhur shumë ndjekës të marksizmit në krahët e një liberalizmi antropologjik dhe social apo në integralizma ideologjikë të natyrave të ndryshme, përfshi edhe ato fetarë, pa mundur të gjejnë një të mesme të artë.
Ndërsa për personat LGBT ka një rrugë tjetër, drejt së cilës shoqëria jonë duhet të ecë. Çështja e lirisë nuk është një çështje qejfi, por një çështje sociale. Liria jetohet dhe zhvillohet jo si një hapësirë ku ekzistoj vetëm unë, por si një hapësirë ku bashkëjetohet dhe ku duhet të ecim të gjithë sëbashku. Na takon të gjithëve që të kujdesemi në mënyrë që personat me orientim seksual të ndryshëm, të mos ndjehen të përjashtuar në jetën e përditshme. Por integrimi i tyre duhet të kalojë patjetër nëpërmjet një procesi të brendshëm, i cili duhet të mbajë parasysh rrethanat kulturore, shoqërore, politike, antropologjike, e kështu me rradhë, të një vendi dhe të një kohe. Integrimi nuk kalon nëpërmjet luftërave identitare që u ngjajnë kryqëzatave, pavarësisht nëse kanë ngjyrë fetare apo ideologjike, si ajo e axhendës LGBT, apo asaj neokomuniste, e as nëpërmjet manifestimeve publike nëpër parada krenie. Kujdesi ndaj personit është primar, por jo ndaj një personi që vendos veten e tij në qendër të gjithçkaje pa pyetur askënd e pa marrë parasysh jetën e të tjerëve.