Nga Mero Baze
Ka shumë kritika për atë që Partia Demokratike thotë, apo tenton të bëjë këtë fillim sezoni parlamentar. Debati i parë u hap për qëndrimin ndaj Gramoz Ruçit. I gjendur bosh, Lulzim Basha dëgjoi se kishte disa thirrje në portalet e Zenit për ta bllokuar zgjedhjen e tij, dhe ju bashkua thirrjeve. Dhe nuk është ndonjë mëkat i madh të kundërshtosh si opozitë antikomuniste zgjedhjen e Gramoz Ruçit në krye të parlamentit. Por për ta bërë këtë duhet ta ndash mendjen çfarë je.
Së pari, bërthama antikomuniste e PD, ose pjesa e saj më konservatore, është jashtë parlamentit, jo nga Gramoz Ruçi, por nga Lulzim Basha. Pasardhësit e familjeve të mëdha antikomuniste, ose brezi i dytë i tyre, që në një farë mënyre ju bashkangjitën PD, nuk janë më sot në grupin parlamentar të PD, falë Lulzim Bashës. Ata që janë aty janë jo vetëm bijë komunistësh, por disa dhe bijë shërbëtorësh të Gramoz Ruçit. Më e fundmit e racës antikomuniste, Jozefina Topalli, është në shtëpinë e saj e papunë në moshën 50- vjeçare, njësoj sikur ta hiqnin komunistët e Gramozit per biografi nga puna, në vitin 1989.
Brezi më i ri i familjeve konservatore shqiptare, që janë të besueshëm si pasardhës antikomunistësh, si Alizoti, Këlliçi etj, fytyra të reja qytetare të pakompromentuara dhe me një dinjitet personal, janë nesër në Postribë, aty ku përkujtohet një kryengritje e vërtetë antikomunste e vitit 1946.
Në Kuvend është Grida Duma, vajzë e një familje oficerësh të lartë të Sigurimit të Shtetit, që e kanë nisur karrierën duke qëlluar mbi viktimat e Postribës. Të tjerët po i njihni vetë!
Pengesa e dytë në liri, është modeli i Lulzim Bashës. Për koençidencë, ai dhe Gramoz Ruçi kanë të njëjtin aksident tragjik në karrierën e tyre shtetërore. Gramoz Ruçi u bë ministër i Brendshëm në pluralizëm, më 27 shkurt 1991, dhe më 2 prill 1991, pra një muaj më pas, ju vranë katër demonstrues në Shkodër, nga një polici e pamësuar me demokracinë dhe pluralizmin, që në vend të shkopinjve të gomës, mbante në duar kallashnikovë. Në burg përfunduan dy zëvendësministra dhe dy shefa të lartë policie, plus policët e përfshirë në atë histori.
Lulzim Bashës i ndodhi po ashtu më 21 Janar 2011, 20 vite më vonë. Ishte ministër i Brendshëm dhe ju vranë katër demonstrues paqësorë, të paarmatosur, të parrezikshëm dhe të pambrojtur. I qëlloi kur ishin me duar në xhepa, nga policë që u hoqi shkopinjtë e gomës dhe u dha kallashnikovë. Nuk shkoi dhe nuk ka shkuar akoma në Prokurori, le më në gjyq.
Gramoz Ruçi shkoi në mes të Shkodrës i vetëm, hyri në sallën e gjyqit dhe u mbrojt para drejtësisë që ishte në duart e Sali Berishës. Lulzim Basha nuk guxoi të shkonte as tek gjyqtarët e Sali Berishës. Kështu që e ka të humbur garën dhe në liri me Gramoz Ruçin, duke dëmtuar rëndë PD dhe kauzën e saj.
Pengesa e tretë është vetë mungesa e guximit dhe qartësisë së Luzlim Bashës, për të qenë protagonist në këtë betejë. I pavendosur, i paqartë dhe i pamotivuar për të bërë këtë protestë që i ka ngelur në dorë, ai ka nxjerrë nga një anë një shoqatë të persekutuarish, që është më shumë e gëzuar që po rinjeh PD, se sa që do protestojnë ndaj Gramozit, dhe nga ana tjetër vetë merr përsipër të jetë mbështetës.
Ka njëqind komplekse në këtë histori dhe nuk ja del dot, të jetë në një betejë të qartë për veten dhe për PD. Qoftë dhe për arsyen e thjeshtë, se ai nuk ka pasur guximin ta zbojë Gramoz Ruçin nga dasma e tij, pasi nusja e ka mik shtëpie, dhe jo më ta zbojë nga Parlamenti. Dhe kjo është taksa që duhet të paguajë PD për profilin e udhëheqësit të emëruar të saj, i cili nuk di se çfarë duhet të bëjë me historinë e asaj partie, por di ç’të bëjë vetëm me karrigen e tij në krye të asaj partie.