Pas seancës së djeshme në Kuvend, Jozefina Topalli nxitoi të shkonte tek gazetarët. Ajo zakonisht flet rrallë dhe mjaftohet me do fjalime të rrudhura në foltore dhe body language nga vendi.
Por, dje nxitoi të shkonte tek tufa, sepse nuk priste dot studion e hard talk-ut. Për herë të parë u vu re se kishte një dilemë të madhe, nëse duhej ta mbante ende mandatin e deputetit apo ta lëshonte, se Parlamentin e ka zënë krimi nga gryka. Nuk e zgjidhi dilemën, i la dhe gazetarët gojëhapur. Shkoi tutje duke tërhequr mbi supe këtë barrë të rëndë dyshimi. Në fakt, ka gjasë që si përherë Jozefina mos ta ketë të sajën këtë idenë e mandatit, sepse para seancës një gjë të këtillë gatoi doktori me gazetarët. Pak më ndryshe dhe pak më rrjedhshëm Berisha e la të hapur edhe këtë histori, por nuk nisi të tjerrë ndonjë dilemë. Argumentimi është po ai i njëjti, i kriminelëve në Kuvend.
Duke lënë mënjanë pathosin e ditës së djeshme opozitare, Jozefina sërish bëri zërin e dytë të ish-kryetarit të saj. Ndërsa Berisha shkonte tek zyra e Lulzim Bashës të ushtronte presionin e duhur për një vendim kaq radikal e të ashpër, ajo u lëshua tek reporterët dhe me fjali të lëna në gjysëm, ripërsëriti fjalët e Berishës para se të ndodhte sulmi me vezë i kanakarit të saj, Strazimiri. Kështu ka qenë gjithmonë që e vetmja vlerë politike e Topallit ishte të përsërisë tezat e shefit me një ndryshim të vogël, doktori i thoshte para ngjarjes, ajo pas tyre. Fjala vjen në 21 janar, ajo u soll dhe tha të njëjtat fjali si Berisha, por pas ngjarjes, sepse gjatë saj ishte fshehur në vilën e Bllokut në plazhin e Durrësit.
Ideja e lëshimit të mandatit është një instrument politik ekstrem, i barazvlefshëm me vetëvrasjen, por një mjet i sakrificës. Nëse opozita do ta ndërmerrte një hap të këtillë me siguri do ta gjymtonte skenën politike, por edhe do ta fuste vendin në një kllapi krize të pashoqe. Kjo do ta vendoste pakicën në pozitat më radikale të historisë politike të Shqipërisë dhe me siguri do ta izolonte krejtësisht në raport me ndërkombëtarët, megjithatë ka guximtarë që mund ta bëjnë. I tillë është Ramush Haradinaj, i cili zgjodhi individualisht ta hedhë mandatin tutje, nuk tërhoqi pas vetes në këtë aventurë forcën politike që drejton dhe as opozitën. Dha një shembull që politikisht mund ta krahasosh me vetëdjegien me benzinë për të arritur kulmin e sensibilizimit.
Prandaj, nëse do të ishte kështu, dilema e Jozefinës mund të merrte zgjidhje shumë thjesht duke i thënë: “Jozefinë, dorëhiqu, moj burrneshë!”. Por, ajo edhe në këtë rast është si firmat kineze që imitojnë origjinalet, pret që hallin, motin e mirë dhe të keq t’ia bëj prapë doktori.
/27.al/
Sa kam qesh