Ekziston mendimi në administratën publike që koalcioni PS-LSI ka marrë fund. E ndesh këtë konstatim tek nënpunësit e PS-së dhe të LSI-së të cilët në të vërtetë nuk kanë më asnjë bashkëpunim mes tyre. Ka një lojë deklaratash të ndërsjellta mes deputetësh të dy palëve ku spikasin sulmet mes tyre. Një prej debateve të kohëve të fundit ka qënë edhe ai për arsimin, ku deputetët të LSI-së kanë sulmuar hapur ministren Nikolla. Madje ka qënë bashkëshortja e kryetarit të LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila ka nisur betejën për tu mbështetur më pas edhe nga deputete të tjera të LSI-së.
Por sot u duk se Meta e ka rrëzuar atë betejë të bashkëshortjes së tij pasi u shfaq në krah të ministres Nikolla dhe kryebashkiakut socialist Erjon Veliaj, për të inaguruar restaurimin e shkollës, “Kongresi i Lushnjes”. Në fakt është shkolla ku ka studiuar kryeparlamentari dhe ndoshta ky është shkaku që e ka çuar atë të shkojë atje bashkë me Veliajn e Nikollën. Por batutat plot dashuri të Ilir Metës ndaj “lali Erit”, thonë më shumë se kaq.
Po aty Meta ka lëshuar një sinjal ndaj kryeministrit Rama i cili është shprehur se: “Do të hyjmë në zgjehdje edhe pa opozitën më 18 qershor”. Për këtë deklaratë të Ramës, Meta u shpreh nga “kongresi i Lushnjes”, “ Njoftojini të gjithë që pluralizmi ka ardhur që në 12 dhjetor të vitit 1990 në Shqipëri dhe ne duhet të gjithë të punojmë që këto të jenë zgjedhjet e shkëlqyera larg qëndrimeve kategorike që mund të na sillnin pasoja katastrofike, të padëshiruara për Shqipërinë, shqiptarët dhe sidomos për të ardhmen e këtyre fëmijëve të mrekullueshëm”.
Është një situatë e paqartë në raportet mes drejtuesve të PS-së dhe LSI-së e cila nuk dihet se sa do të zgjasë në këtë amulli, ndërsa po afron 1 prilli, kohë kur LSI-së ia ka ënda të bëjë surpriza.