Kryeministri Rama ka publikuar sot një fotografi ku shfaqen imazhe të ngjarjeve të vitit 1997, kur si pasojë e kaosit nga rrëzimi i kompanive piramidale, u vranë mijëra shqiptarë. Janë imazhe që të kthejnë 20 vjet pas në kohë dhe kjo duket të jetë e qëllimshme nga ana e kryeministrit. Pamjet e ngjarjeve të vitit 1997 janë përdorur edhe më herët nga socialistët, madje në atë kohë kur Rama ishte ideatori i fushatave elektorale të PS-së e kur shkruante edhe fjalimet e kryetarit të kësaj partie, Fatos Nano.
Edi Rama ishte kryetar bashkie në vitin 2005, kur Partia Socialiste kishte dalë e ndarë në dy pjesë nga një debat i ashpër brenda rradhëve të saj. Ilir Meta dhe një grup deputetësh të Partisë Socilaiste u larguan për të themeluar Lëvizjen Socialiste për Integrim. Partia Socialiste e drejtuar nga Fatos Nano, po hynte në fushatë elektoale pas tetë vitesh qeverisje, e ndarë dhe me akuza shumë të ashpra për korrupsion. Edi Rama ishte një ndër titullarët e lartë të pushtetit të socialistëve që ishte përzier në debatet e brëndshme, por edhe ishte një prej të akuzuarve për korrupsion. Rama ishte akuzuar dirtekt nga kryetari i PS-së Fatos Nano. Megjithatë, në finalen e debatit ndërmjet grupeve kundërshtare, Rama zgjodhi të bëhej palë me Nanon kur ky i fundit po ndahej përfundimisht me Ilir Metën.
Beteja e socialistëve në vitin 2005, do të ishte shumë e vështirë. Edi Rama bashkë me Gramoz Ruçin, por edhe Fatmir Xhafën ishin në krye të ekipit për organizimin e fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005. Ata u angazhuan fort për të ideuar fushatën elektorale, por edhe për detaje të tjera shumë të rëndësishme siç ishte përzgjedhja e kandidatëve për deputet.
Edi Rama u angazhua kryesisht me ideimin e fushatës. Në atë kohë, ai vendosi që imazhet e tmerrshme të vitit 1997 të shfaqeshin nëpër mitingjet e Partisë Socialiste për t’i trembur shqiptarët që të mos votonin një PD të drejtuar nga Sali Berisha, të cilit i faturoheshin të gjitha mëkatet e ngjarjeve kaotike të vitit 1997.
Kanë kaluar 20 vjet nga viti 1997 por Rama duket se e ka ende fiksim të rikthejë ato imazhe. Duket se ngjarjet e vitit 1997 do të jenë sërish në boshtin e fushatës së socilaistëve për t’i përdorur si “gogol” për shqiptarët që të mos votojnë demokratët, tashmë të drejtuar nga Lulzim Basha.
Nuk kuptohet mirë pse Rama ka zgjedhur sërish t’i trembë votuesit me ngjarjet e 1997 kur ka plot mëkate të tjera të Berishës dhe qeverisjes së tij në dy mandate, 2005-2013. Ka ngjarjen e Gërdecit por edhe atë të 21 janarit. Janë dy ngjarje për të cilat Rama pati premtuar solemnisht se do t’i çonte përgjegjësit para drejtësisë. Por nuk e ka bërë as për njërën e as për tjetrën ngjarje edhe pse në tragjedinë e Gërdecit humbën jetën 26 shtetas të pafajshëm dhe në atë të 21 janarit katër të tjerë. Nëse do të donte një “gogol” për të trembur demokratët janë këto dy ngjarje pa pasur nevojë t’i kthehet 97, por ndoshta vetë Rama, ka mëkatet e tij në 21 janar e në Gërdec.
Cilado qoftë strategjia e kryeministrit Rama në këtë fushatë elektorale, një gjë është e sigurt: pavarësisht premtimeve të bëra për të zbardhur ngjarjet e tmerrshme që kanë shokuar Shqipërinë që nga komunizmi, ’97-a, Gërdeci, 21 janari e të tjera ngjarje ndërmjet tyre, askush nuk ka paguar për viktimat që në çdo rast janë në rradhët e qytetarëve të thjeshtë e pa lidhje me politikën e përfitimet që vijnë prej saj.