Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako është shprehur se projekti për ndërtimin e sheshit “Veliera”, do të zbatohet.
Në një intervistë për emisionin “5 pyetjet nga Babaramo”, i pyetur për vlerat arkeologjike të zonës, Dako thotë se vlerësimi do t’u takojë ekspertëve, ndërsa vendimin e gjykatës për pezullimin e punimeve e quan të marrë nën presion.
Dako shtoi gjithashtu se objektet antike do të respektohen, por që qyteti do të ketë edhe ndërtime moderne. Sipas tij, kjo nuk do të thotë që trashëgimia kulturore të mbetet në hije, por që qyteti ka nevojë edhe për ndërtime të reja.
“Do të thotë që edhe në kodër mund të ketë pasur gjurmë të periudhës romake, ndoshta edhe më të hershme. sepse ka patur një logjikë edhe në atë kohë, njerëzit kanë tentuar të jetojnë në kodra për arsye që të shohin armikun që vjen nga deti dhe kanë përdorur fushën për të mbjellë, por më tepër në fillim qyteti ka qënë i shtrirë në kodër pastaj me popullimin ka ardhur dhe ka zbritur më pranë detit. Pra, mendoj që edhe kodra e Moisiut dhe kodra e qytetit janë potenciale për të gjetur site arkeologjike” thotë Dako gjatë intervistës.
Ta nisimi nga zhvillimi më i fundit. Shoqëria Civile po ju thotë se jeni duke thyer vendimin e gjykatës. Ka një vendim gjykate për pezullimin e punimeve, ndërkohë që punimet vazhdojnë. Si është e vërteta?
Është e vërtetë që Gjykata Administrative e Durrësit ka marrë një vendim, i cili përcakton që në zonën që ne po kryejmë ndërtimet, por jo në të gjithë zonën, vetëm në zonën që kanë dalë rrënoja arkeologjike të pezullohen punimet. Këtë vendim që ka marrë gjykata që për mendimin tim është një vendim absurd, sepse ne e kemi marrë vendimin që në datën 4 shkurt. Bashkia e Durrësit ka ndërprerë punimet në bazë të një shkrese të ardhur nga Insitututi i Monumenteve të Kulturës, e cila ka ndjekur punimet. Në momentin që kanë rënë në gjurmët e rrënojave arkeologjike, ata kanë kërkuar që të ndërpriten punimet dhe ne këtë vendim e kemi marrë. Gjykata dha po të njëjtin vendim që ne e kemi marrë. E detyruar nën presionin, Gjykata ka marrë këtë vendim. Mua nuk më shqetëson, sepse është një vendim që përkon me vendimin tonë. Gjykata me shkresat tona, duhet të ishte shumë e qartë, se pezullimi është bërë.
Si është vendimi i gjykatës?
Vendimi i gjykatës është i përcaktuar në pjesën, ku kanë dalë rrënojat arkeologjike përtej rrugës, pranë pallatit ‘’Fly’’. Ne në të gjithë zonë nuk jemi duke punuar. Kemi një sipërfaqe afro 400 m2 që është në dispozicion të arkeologëve, për të bërë gërmime arkeologjike. Të gjithë punonjësit që shikon në këtë zonë, janë punonjës të arkeologjisë.
Ju keni thënë se ndërtimi është imitimi i një vele. Mundet ta ilustroni, si do ndërtohet dhe ku do të ndërtohet?
Ideja e ndërtimi të Velerias, nuk ishte ndërtimi i një vele. Ideja ishte për të zgjidhur problemet e trafikut. Duke përfituar nga sheshi shumë i madh, do të përfitonim ta kthenim në një pedonale për qytetarët e Durrësit. Është menduar që rruga kryesore të ketë një nënkalim dhe gjithë sipërfaqja e përfituar sipër të jetë për këmbësorët. Njerëzit nuk do të shkojnë me makina në këtë shesh, por do të jetë hapësirë publike për ta. Ndërsa vela në vetvete është një element, një mobilim urban që arkitektët e kanë zgjedhur. Mund të bënin një skulpturë, por zgjodhën të bëjnë një velë. Pra, një shesh i mbuluar, i cili bën hije në kohën e verës, por jep edhe një shenjë të qytetit të Durrësit. Sheshe të tilla ka edhe në vendet e tjera europiane, nuk është një gjë që po e shpikim ne.
Një nga akuzat që ju bëhet është që vela do të ngrihet pranë Torrës Veneciane, dhe në një farë mase e sfumon atë, e mbyt atë.
Përkundrazi, unë mendoj që ka një konkurencë ndërmjet të resë dhe trashëgimisë kulturore dhe ajo do i nxjerrë më në pah vlerat e Torrës. Sot, kemi debatin që njerëzit janë bërë më të ndjeshëm, sepse ne po ndërtojmë këto. Ne sapo kemi nisur dhe ka qytetarë, që vijnë dhe shohin murin bizantin. Ndërkohë që e kanë pasur aty dhe nuk kanë pasur kuriozitet. Pra, dua të them, që e reja me të vjetrën, në një qytet si Durrësi janë shumë të afërta dhe rivlerësojnë njëra-tjetrën. Ne nuk duam që të shkatërrojmë të vjetrën, por përkundrazi dua t’i rrisim vlerën. Por, ne edhe në këtë kohë duam të ndërtojmë vepra.
Debati nisi kur këtu u gjetën rrënoja arkeologjike dhe thatë që do pres Këshillin e Arkeologjisë, për të marrë vendimin përfundimtar. Çfarë janë këto rrënoja?
Në fakt, para fillimit të punimeve, ne nuk kemi pasur një njohje të thellë të situatës në këtë zonë, për arsye sepse ne mendonim që nga Torra Veneciane drejt murit antik bizantin, do të ishte zona, e cila ka rrënoja arkeologjike të periudhës romake, sepse qyteti është zhvilluar brenda murit rrethues të tij. Ndërsa jashtë murit rrethues, ka qenë det, dhe do të kishte më tepër mbeturina nga më të ndryshmet. Gjatë gërmimit ne gjetëm këto. Duke u njohur me gjetjen arkeologjike, kemi konstatuar, që kemi të bëjmë me një mur dhe mbi këtë mur të ndërtuar një që ka shërbyer të një objekti të përiudhës 1870. Ndërsa muri është më i hershëm ndoshta i periudhës 1700. Për mendimin tim, ky mur nuk përbën ndonjë vlerë të madhe për qytetin e Durrësit, sepse realisht Durrësi ka vlera më të mëdha se ky mur. Ky mur i përket periudhës otomane. Ne kemi murin bizantin të qytetit 20 metra larg.
A ekziston mundësia që muri bizantin të jetë më e thellë se muri romak?
Jo. Ne i kemi gjurmët sesi ka qenë ndërtuar ky mur bizantin. Deri në 1450 gjithçka që është brenda këtij muri, është para asaj kohe. Gjithçka që është jashtë këtij muri i përket periudhës otomane. Periudha romake është brenda murit rrethues bizantin, të cilin ne e kemi dokumentuar me objektin më të rëndësishëm të Shqipërisë, që është Amfiteatri i Durrësit. Amfiteatri, është një nga veprat më të mëdha jashtë Rome, për 18 mijë vende ulur. Gjithë qyteti minimumi ka qenë 18 mijë. Gjithë ky qytet ka jetuar rreth këtij amfiteatri. Dua të them që ne brenda murit rrethues, kemi mbetje arkeologjike, të periudhës romake dhe ndoshta edhe më të hershmë se romake. Ndërsa në këtë zonë kanë dalë rrënoja të periudhës otomane. Shqipëria, ka shumë dëshmi të periudhës otomane. Për mendimim tim Durrësi ka më tepër vlera, që dëshmojnë rëndësinë e këtij qyteti sesa ky objekt.
Ju këmbëngulni që ky mur, mbi të cilin do të ndërtohet vela, është i periudhës osmane, por ndërkohë përfaqësues të Shoqërisë Civile tregojnë një mbishkrim të periudhës së Perandorit August, që daton në periudhën romake.
Tani bëhen të gjithë specialista, arkeologë, hedhin shashka dashakeqe. Nga mosdija, ka një amalgamë teorish në këtë punë që po bëjmë. Por, mund t’ju ftoj që të vini që ta vizitoni këtë mur, që nuk është i njëtrajtshëm. Ky mur është i ndërtuar me mjete rrethanore. Nuk ka të njëjtin element. Ai gur që ka dalë aty me mbishkrimet romake, së pari është i vendosur mbrapsht. Tregon që është gjetur diku, dhe është marrë dhe është vendosur aty. Arkeologët, specialistët, të gjithë kanë qenë të të njëjtin mendim që ky gur i përket periudhës otomane.
Në Butrint kemi një rast, që brenda të së njëjtës, ka disa shtretëzime, duke u nisur që nga periudha helenistike, romake, pastaj bizantine, edhe otomane. A ekziston mundësia që poshtë këtij muri otoman të ketë shtretëzime të kulturave, qytetërimeve?
Poshtë këtij muri fillojnë shtresat e leshnikut, rërës. Pra nëse do të kishim këtë objekt, të ndërtuar mbi objekte të tjera nuk do të kishim atë rërë. Janë të argumentuara që poshtë këtij muri nuk ka më rrënoja arkeologjike.
Në fakt, ata përfaqësues civilë që janë kundër këtij projekti, kanë thënë për ju që keni qenë kundër ligjeve në fuqi dhe thonë që kanë një hartë që zona arkeologjike e Durrësit ndahet në zonë A që është kategorikisht e ndaluar të ndërtohet dhe zona B që është përtej rrugës. Ata thonë që pjesa tjetër bën pjesë tek zona A?
Kufiri me letra i zonës A është ky muri. Këtu ku jemi fillon zona B. Zona B është 5 metra e gjerë dhe pastaj fillon zona zero. Megjithatë, për mua si kryetar nuk ka rëndësi zona. Për ne është e rëndësishme kudo që punojmë, sepse edhe në një zonë ku arkeologët mendojmë se nuk mund të ketë mbetje arkeologjike, ne jemi të detyruar të gërmojmë dhe të shikojmë, nëse ka gjë apo jo.
Këtu është hera e parë që gërmohet në historinë moderne?
Jo, po të vini më lart kemi një kanalizim, jemi këtu, që po të shikoni këtë kolektor, i cili është ndërprerë, ka vazhduar për gjatë gjithë rrugës tregtare i cili mbledh të gjitha ujërat e shiut për t’i kaluar në det. Ky kolektor është ndërtuar në vitet ‘70 dhe e ka prishur një pjesë të këtij muri. Pra, që në vitet ‘70 kemi ndërhyrje në këtë zonë. Plus që e gjitha kjo, ka qenë një hapësirë, që ka pasur ndërtime të lehta, ka qenë një hapësirë që është punuar për rikualifikimin urban të kësaj zone. Para viteve 1870-1880 ka qenë godia dhe kryetari i bashkisë asaj kohe ka filluar dhe ka hapur për të ndërtuar një lulishte. Dua të them që qyteti është ndërtuar mbi shtresa. Punët publike asnjëherë nuk janë penguar, përkundrazi, kanë nevoja njerëzit, ose do kishim luksin ta zhvendosnim qytetit, por që ata që kanë vendosur më përpara e kanë ditur më mirë dhe kanë vendosur që qyteti i ri të bashkëjetojë me qytetin e vjetër. Punët publike, unë mund të jap një shembull në Athinë, te metroja e Athinës, të jeni të sigurt që kanë dalë shumë rrënoja, por nuk është penguar ndërtimi i metrosë. Janë gjetur skulptura, monumente, por janë çuar në ekspozitë. Nuk duhet parë sikur po shkatërrojmë, por si rivlerësim dhe jemi të ndjeshëm ndaj momunemtet e kulturës.
Këtu kur filluan gërmimet e para u gjetën dy topa mesjetar. Ku janë ata?
Topat janë marrë nga arkeologët, janë pastruar, janë dërguar në Muzeun Arkeologjik që është një aset i këtij qyteti, por edhe i Shqipërisë, dëshmitarë që tregon historinë e qytetit me vepra jo me fjalë.
Ça periudhe i datonin sipas arkeologëve?
Topat i datonin 200 vite më parë. Nuk kanë qenë topa të hedhura në këtë godinë. Kanë gjetur disa gjyle betoni më të hershme, si element zbukurues i këtij objekti. Janë gjetur pranë njëra-tjetrës gjë që tregon se dikush është përkujdesur për to që përpara kur është prishur objekti apo kur kanë dashur të bëjnë gërmimet.
Kemi një vendim gjykata, ju që thoni presim vendimin e arkeologëve, kur prisnin që gjërat të qartësohen?
Ligjërisht momentin që ndërhyn arkeologjia u jep kohë arkeologëve të bëjnë gërmimin, mbasi bëjnë gërmimin dhe bëjnë relacionin për objektet që kanë gjetur ia përcjellin KKR, (Këshilli Kombëtar i Restaurimit) që vendosin se çfarë vlerë ka objekti dhe çfarë do të bëhet.
Opinioni publik ka qenë shumë i sensibilizuar, që mos të shkojmë më larg se 100 metra larg atij murit rrethues është ndërtuar një pallat, njerëzit mund të shkojnë në rastin e mirë me idenë që “i fryjmë kosit, pasi jemi djegur nga qumshti”, është dhe versioni tjetër që mund të vihemi sërish para një rasti të tillë. Në cilin vit është dhënë leja për këtë pallat?
Ky objekt ka filluar procedurën që në vitin ‘99 deri në vitin 2003. Është dhënë leje nga Bashkia e Durrësit e asaj preiudhe, sepse jepen lejet e sheshit dhe pastaj lejet e punimit. Pra rreth vitit ‘99, 2002- 2003 kanë nisur punimet për këtë objekt.
Në gjykimin tuaj ajo është zgjidhje e duhur apo nuk duhet të ishte ndërtuar aty?
Përfitoj nga rasti që të ndaj rolin e kryetarit të bashkisë që japin leje ndërtimi dhe rolin e Institutit të Monumenteve. Kryetarët e bashkisë mbasi japin leje për sheshet e ndërtimit i japin mundësi pjesës arkeologjike të gërmojë dhe në atë kohë ishte Instituti i Monumenteve siç është KKR sot që të vendoste vlerat, vazhdimin e projektit, ruajtjen e murit apo çdo lloj trashëgimie që del. Në këtë rast ata kanë dhënë zgjidhje që të ndërtohet në këtë objekt dhe paguajnë të paprekurit për vizitorët. Ky pastaj është opinion specialistësh, opinion i kryetarit të bashkisë në atë kohë që kanë vendosur për të vazhduar punimet dhe për të ruajtur murin transparent për vizitorët.
Në rastin konkret, në ndërtimin që keni marrë si bashki, ku prisni që gjërat të qartësohen dhe çfarë sinjalesh keni nga arkeologët?
Ne kemi qenë shumë të kujdesshëm duke mos i vënë nën presion institucionet, arkeologët të bëjnë punën e vet, ministria të bëjë punën e saj ne si bashki jemi në pritje të vendimarrjeve të tyre dhe do të respektojmë pa dyshim çdo vendim në rrugë institucionale. Dhe unë mendoj që nuk kemi nxitim, pavarësisht se palët që më akuzojnë, apo që mundohen të hedhin baltë mbi ne kanë një qëllim; kanë qëllim që vepra të mos përfundojë në 18 qershor, kur janë zgjedhjet. Unë dua të garantoj qytetarët e Durrëit që ne nuk e bëjmë këtë vepër për fushatë. Kjo është një vepër monumentale që do t’i mbetet Durrësit në shekuj dhe ne nuk jemi të nxituar. Jemi në garë me kohën që mos të bezdisim qytetarët, por përkundrazi duam që vepra të përfundojë, që sezoni turistik ta gjejë të përfunduar jo me rrëmujë, trafikun, të shijohet vepra. Por nuk është qëllimi ynë që vepra të përfundojë para 18 qershorit. Ndërsa qëllimi i atyre që na kundërshtojnë është që kjo vepër të mos përfundojë para 18 qershorit e them këtë sepse kemi rastin e sheshit në qendër të qytetit. Sa ishte fushata elektorale nuk lanë gjë pa thënë, duke hedhur baltë mbas 18 qershorit 2015 nuk folën më për shatërvanin përkundrazi sot e shijojnë si qytetarë të Durrësit. Me këtë dua të them se koha për ne është flori jo domosdoshmëri për zgjedhjet. Kjo është një vepër që duhet ta fitojnë qytetarët e Durrësit të majtë e të djathtë, ta shijojnë atë e aq më tepër vizitorët që vijnë në Durrës që të shohin se Durrësi çdo ditë ndryshon çdo ditë zhvillohet dhe të ketë më shumë besim te qytetarët se gjëra më të mira po vijnë për këtë qytet e për Shqipërinë. Sensibilizimi për Durrësin apo më saktë Dyrrahun e dikurshëm është i jashtëzakonshëm, sepse është i vetmi qytet ku jeta ka vazhduar edhe në kohët moderne nuk është si Apolonia, si Butrinti apo nuk është si Bylisi.
U bë viti i 8 si kryetar bashkie çfarë keni konstatuar në lidhje me këtë ku ka mundësi për të identifikuar site të reja arkeologjike, gjurmë të hershme të periudhës ilire romake?
Qytetet janë ndërtuar mbi shtresa, çdo qytetërim është ndërtuar mbi shtresat dhe kështu vijon edhe në ditët e sotme. Jemi të angazhuar çdo ditë që të kemi gërmime, të kemi mundësinë të gjejmë trashëgiminë tonë kulturore, të pasurojmë sitet që ka ky qytet dhe janë të përcaktuara zonat në të cilat ne presin nga gërmimet.
Cilat janë këto zona?
Zona brenda murit rrethues të qytetit që është zona me potencialin më të madh për të gjetur rrënoja romake, por nga ana tjetër ka shumë mundësi që në kodrat e qytetit të kemi mundësi të gjejmë site të ndryshme arkeologjike. Më ka rënë rasti para 5 vitesh një shtëpi private po rregullonte banesën dhe iu shfaq një mozaik në shtëpi.
I kujt periudhe?
Ndoshta vitet 600-700. Do të thotë që edhe në kodër mund të ketë pasur gjurmë të periudhës romake ndoshta edhe më të hershme, sepse ka patur një logjikë edhe në atë kohë, njerëzit kanë tentuar të jetojnë në kodra për arsye që të shohin armikun që vjen nga deti, dhe kanë përdorur fushën për të mbjellë, por më tepër në fillim qyteti ka qënë i shtrirë në kodër pastaj me popullimin ka ardhur dhe ka zbritur më pranë detit. Pra, mendoj që edhe kodra e Moisiut dhe kodra e qytetit janë potenciale për të gjetur site arkeologjike.
Një nga sitet më të rëndësishme është Amfiteatri, por ai është në gjendje të mjerueshme, i rrethuar nga ndërtime pa leje, këto ndërtime po legalizohen ka një projekt që amfiteatri të evidentohet?
Amfiteatri, fatmirësisht në vitet ’67 është zbuluar nga arkeologu Vangjel Toçi i cili u zbulua rastësisht dhe i gjithë amfiteatri ishte i mbuluar me banesa, pra banesat që ndodhen rreth amfiteatrit janë banesa të vjetra nuk janë të reja. Por, ka edhe ndërtime rreth e qark që janë ndërtuar që kanë prishur disi imazhin. Por, realisht amfiteatri sot funksionon është i hapur për shumë vizitorë, dua të them rreth 23 mijë vizitorë kanë vizituar amfiteatrin në vitin 2016. Bashkia e Durrësit në bashkëpunim me qeverinë kanë shpërngulur nga arena e këtij amfiteatri 4 shtëpi, të cilat ishin bërë pengesë për hapjen e amfiteatrit, pra ka financuar qeveria shqiptare dhe i kemi hapur mundësi gërmimeve arkeologjike. Universiteti i Parmës ka bërë disa gërmime në atë zonë dhe mendojmë që sot Amfiteatrin është në gjendjen e tij për tu ekspozuar për tu njohur nga vizitorë. Ajo që kërkojmë është që platea të hapet për spektakle, për vallëzime. Mendohet që të kemi një projekt më bashkëkohor më të mirë dhe nga ana e peisazhit të kemi restaurtim të gjihë ndërtesave që janë përreth tij për të krijuar një model ashtu sikurse janë amfiteatrot në vende pranë nesh. Pra, mendojmë që rëndësia si nga qeveria dhe bashkia e asetit më të madh që ka Durrësi pas muzeut është Amfiteatri dhe ne jemi të vendosur ta çojmë përpara duke restauruar, duke investuar duke menduar çdo ditë për këto dy asete, për muzeun dhe amfiteatrin.
Duket sikur është krijuar përceptimi sikur këtu nuk gërmohet ad hoc, nuk bëhen gërmime arkeologjike si kohë më parë, para 30 viteve, gërmimet këtu janë, kur një ndërtues merr një leje ndërtimi hap themelet dhe këto janë të vetmet gërmime arkeologjike që bëhen apo e kam gabim?
Tamam, është problemi i fondeve për temat arkeologjike është gjetur si zgjidhje më e mirë në momentin që dikush do të bëjë një ndërtim ata vijnë gërmojnë dhe investitori merr riskun nëse gjendet një trashëgimi me vlera të pezullojë ndërtimin dhe janë KKR që vlerëson se çdo bëhet. Kjo është mënyrë e re pas viteve ’90 për bërthamën arkeologjike të Durrësit.
Kjo mënyrë pak e çuditshme të paktën ka qënë e suksesshme?
Muzeu arkeologjik i Durrësit është pasuruar pas viteve ’90. Pra, në çdo gërmim, pavarësisht se ka raste të abuzimeve sot ai muze është falë atyre objekteve që janë gjetur gjatë këtyre viteve që është ndërtuar në Durrës. Ka abuzime nga ndërtues sidomos gjatë viteve ’96 – ’99 duke përfituar edhe nga periudha e kohës edhe kanë shkatërruar trashëgiminë kulturore, por në përgjithësi bërthama arkeologjike e qytetit të Durrësit dua të falenderoj Arif Matin, një nga arkeologët më të vjetër që ka qënë prezent në çdo ndërtim të bërë në Durrës.
Ku ti kesh mo gush, po ky … si e nxjerr n intervist? Njeri mor shkr nan e mor!