Nga Enkel Demi
Në të gjitha besimet monoteiste vdekja konsiderohet kalim në një jetë tjetër, vazhdimësi, dëlirësi në shumë raste. Shqiptarët besimpakë dhe në shumicën dërrmuese ateistë, paganë ose bestydë janë krejt në një raport tjetër me vdekjen.
Fjala vjen, ditën kur vdiq Gogo Nushi, Stalini apo Hysni Kapo, Enver Hoxha lëshonte piskamën e jetës së tyre në zemrat tona. Ditën që shkoi Enver Hoxha, Ramiz Alia afroi zemrën e tij dhe tonat, pasi i kishte kaluar hipoteka e pronësisë. Pyetja ishte si rronte ai në zemrat tona? Përderisa ishim materialistë, ne besonim që kufomën e hanin krimbat dhe bëhej ushqim për baltën, plehroste tokën, nga toka dilte bima, bimën e hante njeriu (se mishi ishte me tollon) dhe gjaku i ushqyer me të furnizonte zemrat tona. Kështu që kemi ngrënë në këtë farë mënyre shokun Gogo, të na ndjejnë pasardhësit e ndritur, por kemi kullufitur shokun Hysni, shokun Enver. Stalini na ka shpëtuar, por ka gjasa ta kemi përpirë me qumështin dhe bulmetin në kohën e Çernobilit, ku helmi toksik preku fqinjët tanë, por vetëm vendin e shqipeve jo, sepse ndali tek kloni në kufi.
Megjithatë, historikisht ka themele ky raporti ynë me vdekjen si etnitet. Rozafa lë gjysmën e trupit jashtë në muret e kalasë dhe urojmë vetëm për qëllimin e saj legjendar. Kostandini shkon e merr Doruntinën dhe hapen fjalë për inçest. Kënga e Ali Pashait, e cila është çast hareje në çdo dasëm toskësh, bën fjalë për një ndarje anatomike të trupit të bujarit nga Tepelena.
Pas viteve ’90 nuk ka ndërruar shumë kjo histori, mund të jetë bërë pak më e kuruar, por në thelb është e njëjta. Në çdo gur kilometrik gjen vende peligrinazhi të fatkeqëve që kanë lënë jetën prej shpejtësisë ose kanë prerë autostradën mes për mes. Lapidarët është bërë e pamundura që të ruhen dhe xhaxhi veterani është si orë zviceriane në Festën e Pezës. Edhe po vdiq xhaxhi e zëvendëson Pandi që rrëfen ngjarje para se t’i zbardheshin flokët.
Në këtë këndvështrim virgjëria e Nexhmies ditën e dasmës ishte tronditëse për gjindjen dhe nanuritëse për çikën që i mbeti mikrofoni në dorë. Sa histori kemi rrëfyer netëve verore poshtë shtyllës së dritës duke luajtur tavllën për Qemalin e ndjerë? Pas kësaj bisede të stilit Electric blue që Nexhi na fuste zhurmuesin, janë shtuar ata që i kanë futur asaj Qemalin.
A nuk pati një marrëdhënie kolektive me vdekjen e një personazheje të një filmi indian? Video të tëra shpërthyen në rrjet sa Fevziu bëri një program të tërë dhe nuk është çudi të mbajë shënime e të nxjerrë në vigjilje të Panairit një libërth me titullin “Sadna”.
Kemi Lulin që bëri të vdekur një proces zgjedhor brenda partisë dhe u marros pas kutive sa i thyente nga afshi i fitores, nga epshi që përjeton i përzgjedhuri. Tani Luli dëshiron të shohë një proces të këtillë, gati mistik, madje jep receta për kundërshtarët e majtë që tani për tani kanë bërë të vdekur statutin dhe ia kanë hedhur Benit si kukull plastike gati për kalërim.