Është mbledhur Këshilli Kombëtar i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Kreu i kësaj partie është shprehur se ministri i jashtëm Nikos Kotzias ngjante me Enver Hoxhën, kur thoshte se Sazani është hekur dhe beton.
Ai ka shtuar se elementët politikë brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilët synojnë izolimin e Çështjes Çame vetëm tek çamët, synojnë dështimin e zgjidhjes së saj.
Sipas tij Çështja Çame është Çështje Kombëtare.
Më poshtë fjala e plotë e kreut të PDIU-së, Shpëtim Idrizi.
Të dashur motra dhe vëllezër,
Takohemi në Këshillin Kombëtar pas një Kongresi tejet të sukseshëm dhe kapilar, ndërsa sot na duhet të plotësojmë edhe më shumë piramidën e partisë, por dhe të gjitha strukturat tona për t’u bërë gati për një vit elektoral që do të trokasë pas pak për të gjithë ne.
Qysh nga Kongresi i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet duket sikur ka kaluar shumë kohë, sepse në fakt kanë rrjedhur si ujë ngjarjet e rëndësishme, në të cilat PDIU është gjetur në qendër të tyre. Kjo rrëfen më së miri forcën në rritje të kësaj partie, e cila shpesh e kthen atë shumë të kërkuar në skenën politike si për të prodhuar politikë stabile, por edhe për ta sulmuar, zvogëluar, intimiduar. Pak më poshtë do të ndalem me dëshirë edhe në këto zhvillime, por një gjë mund ta them me plot gojën qysh tani.
Nuk na cekin dot me sulmet e tyre, as na zvogëlojnë dhe as na intimidojnë, sepse në asnjë hap të udhës sonë nuk kemi tradhëtuar as edhe një nga parimet tona, në të cilat besojmë të patundur.
PDIU nuk dyshon tek Çështja Kombëtare dhe bashkimi i trojeve shqiptare.
PDIU nuk dyshon tek rruga paqësore e zgjidhjeve të çështjeve të mprehta me fqinjët dhe këdo.
PDIU nuk dyshon se duhet të hapen dosjet dhe të dënohen krimet e komunizmit.
PDIU nuk dyshon tek fuqia e pronës private dhe gjetja e rrugëve që ajo të shkojë tek i zoti.
PDIU nuk dyshon tek tregu i lirë dhe konkurenca e ndershme.
PDIU nuk dyshon tek nevoja e një shteti të vogël dhe taksave të ulëta.
PDIU nuk dyshon tek familja shqiptare dhe konservimi i saj, ashtu si na e kanë lënë të parët tanë qysh në lashtësi.
Duke qenë kaq të bindur në shtyllat tona bazë, rreth së cilave është ngritur kjo forcë politike, sido që të jenë ziliqarët apo sponsorët e sulmit, ne kemi rrugën tonë dhe ecim në të pa frikë.
Të dashur miq,
Sa herë kam ardhur në këtë foltore një pjesë të mirë të fjalës sime e kam patur për Çështjen Çame. Kjo çështje është guri i themelit të ekzistencës sonë politike, ndaj vëmendja jonë ndaj saj është krejt e veçantë.
Përherë ju kam raportuar, madje me hollësi rreth zhvillimeve për ndërkombëtarizimin e kësaj çështje, përpjekjet tona si parti politike apo edhe të Shoqatës “Çamëria” për të gjetur aleatët e duhur si brenda, ashtu edhe jashtë vendit për të kryer presionin e duhur, në mënyrë që gjejmë zgjidhjet sa më të shkurtra të kësaj tragjedia 70 e kusur vjeçare.
Por, sot nuk e kam të nevojshme të raportoj, sepse jo vetëm ju që jeni këtu të pranishëm, por të gjithë shqiptarët kanë mësuar në lidhje me zhvillimet e gëzueshme në këndvështrimin e zgjidhjes së Çështjes Çame.
Tashmë, Çështja Çame ka hyrë në agjendën e Brukselit dhe është shtruar për zgjidhje. Komisioneri Johanes Hahn e tha qartë dhe shkoqur që Çështja Çame është një çështje e të drejtave të njeriut dhe i takon Greqisë dhe Shqipërisë të ulen në tryezë për të gjetur zgjidhjet e duhura.
Pa dyshim që ky është një nga zhvillimet kulmore të ndërkombëtarizimit të Çështjes Çame dhe falë një aktiviteti të lavdërueshëm dhe të palodhur të aktivistëve, politikanëve të Çështjes Çame, por edhe të diplomacisë shqiptare, sot kemi mbërritur këtu në një majë që ndoshta nuk na shkonte as ndër mend, kur realizuam kongresin e partisë pak muaj më parë.
E gjej me vend që nga kjo foltore të falenderoj Komisionerin Hahn, stafin e tij profesional, i cili kaloi mbi paragjykimin dhe krahinizmin që ishte raportuar deri më sot Çështja Çame, duke e përfshirë atë hapur dhe qartë në agjendën e bisedimeve Athinë-Tiranë, krahas problemit të shelfit territorial dhe sinoreve detare.
Si shqiptar i Çamërisë vlerësoj pa masë këtë ngjarje dhe jam i lumtur që jam bashkëkohës i këtij zhvillimi gjeopolitik që përcakton jo vetëm fatet e shqiptarëve, por edhe ato të rajonit.
Si kryetar i PDIU-së dëshiroj të falenderoj nga zemra ministrin Ditmir Bushati për punën e madhe që ka bërë, por edhe për qëndrimin e tij të pathyeshëm ndaj kundërshtive që ka hasur si në Athinë, por edhe në Tiranë nga shumë elementë politikë dhe mediatikë.
Padyshim dëshiroj të falenderoj të gjithë ato zëra të politikës si të opozitës, si të shumicës në pushtet, komentatorë të shtypit dhe gazetarë, të cilët pa drojë, si partiotë të vërtetë janë vendosur në ballë të Çështjes Çame, megjithëse nuk janë pjesë e formacionit tonë politik.
Ata si shumica dërrmuese e shqiptarëve kanë kuptuar se Çështja Çame nuk është pronë e një krahine të vetme, e Çamërisë sonë, por e të gjithë shqiptarëve.
Zonja dhe zotërinj,
Dëshira e madhe për ta kufizuar Çështjen Çame si problem vetëm i një krahine dhe i një grushti njerëzish që vjen prej saj, është një tezë dinake që na çon në dështimin e çështjes. Madje, unë kam bindjen e plotë që kufizimi i Çështjes Çame, vetëm tek çamët sponsorizohet nga ata që thonë se Çështja Çame nuk ekziston, është e paqenë.
Jo Çështja Çame ekziston, por që të jetë e këtillë dhe megjithë forcën e saj është një çështje shqiptare dhe për pasojë i përket gjithë Kombit dhe jo vetëm PDIU-së apo Shoqatës “Çamëria”.
Nuk mund të zgjidhet Çështja Çame, nëse në politikë do e perceptojnë vetëm të PDIU-së, por ajo e gjen zgjidhjen e vrullshme, kur është në agjendën kryesore të politikës qeveritare dhe opozitare.
Nuk është çam Ditmir Bushati, por është një ministër që po zbaton një nga pikat e programit të qeverisë, ku është e shënuar Çështja Çame.
Edhe deputetët shqiptarë nuk kanë nevojë të ngrenë Çështjen Çame, vetëm nëse i përkasin partisë sonë, sepse janë të detyruar nga Rezoluta Çame ta ngrenë këtë çështje kudo që u jepet mundësia. Këto rezoluta në Kuvend nuk janë letra bakalli, por kanë fuqi detyruese për ligjvënësit, në të gjitha nivelet që ata mund të jenë në drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Kjo është arsyeja që ne, deputetët e PDIU-së kemi kërkuar me forcë në Kuvend që Çështja Çame as mos të zbehet, as mos të fshihet mes rreshtave, por të thuhet jetë atje në qendër të bisedimeve dypalëshe të të gjitha niveleve, ashtu si rekomandon edhe Komisioneri Hahn.
Pra, nuk e kërkon këtë detyrim Shpëtim Idrizi nga Margëlliçi, por Johanes Hahn nga Brukseli.
Natyrisht, tani që jemi më shumë të ekspozuar ndaj Çështjes Çame, edhe dashakeqësia është më e madhe, por edhe nevoja për të njohur dhe ditur më shumë është më e madhe.
Kjo është arsyeja që unë gjatë gjithë kësaj kohe i jam drejtuar jo vetëm politikanëve, por mendimtarëve të shqiptarisë që të punojnë për njohjen në thelb të historisë, dokeve, kulturës së Çamërisë. Kjo është arsyeja që ne kemi nevojë për punën historianëve, arkeologëve, folkloristëve, shkrimtarëve, poetëve, etnografëve që të zbulojnë këtë mrekulli që në mënyrë tragjike janë munduar ta vrasin, këtë mrekulli që quhet “Çamëri”.
Një rol të pazëvendësueshëm në zgjidhjen e kësaj tragjedie të Kombit shqiptar kanë shqiptarët e Kosovës dhe Diaspora, të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen nëpër botë.
Edhe një bisedë e thjeshtë me fqinjin, aty ku jeton ndihmon çështjen. Edhe një rrëfenjë apo një foto në rrjetet sociale ndihmon dhe nuk e keni idenë se sa shumë.
Nëse nuk e bëjmë Çështjen Çame të të gjithë shqiptarëve ta dini që nuk ka për të patur zgjidhje as të shpejtë, as të vonë.
A mendoni se do të zgjidhjej mëvetësia e Kosovës, nëse do e konsideronim Çështjen Kosovare, hall vetëm të shqiptarëve të atyre trevave?
Kurrë nuk do të zgjidhej!
Kur e pamë si Çështje Kombëtare erdhi dhe zgjidhja dhe suksesi.
Kjo duhet bërë edhe për Çështjen Çame. Hapat e parë të mëdhenj janë kryer.
Komisioneri Hahn është një provë e madhe. Tani na takon neve të lëvizim si shqiptarë kudo që ndodhemi që ta bëjmë tonën Çështjen Çame.
Për ne nuk ka rëndësi, nëse për këtë çështje flet edhe në emrin tonë Presidenti i Kosovës apo i Shqipërisë. Për ne kanë rëndësi që të gjithë të punojnë për Çështjen Çame.
Të dashur anëtarë të Këshillit Kombëtar,
Gjatë kësaj kohe ndoshta na keni parë në sallën e Kuvendit, studio televizive, media që jemi përfshirë në debate, polemika të ashpra.
Pa dyshim, nuk kemi kurrfarë dëshire të grindemi me njeri dhe të shpenzojmë energji pozitive apo negative, kur mund të merreshim me punë të tjera më të dobishme. Por, kemi qenë të detyruar nga meskiniteti, pabesia, xhelozia dhe në fund fare dinakëria për ta futur Çështjen Çame në sepetet e harresës.
Jo nuk mund të heshtnim, sepse Çështja Çame është një çështje e të drejtave të drejtave të njeriut dhe si e tillë është çështje e së sotmes, jo një çështje e së shkuarës si u munduan pak ditë më parë ta shisnin në Athinë apo në Tiranë.
Aq sa janë të vërtetë dhe mes nesh Dhëndurët e Çamërisë, aq është e së sotmes Çështja Çame.
Aq sa jemi të vërtetë ne, përfaqësuesit tuaj politikë, aq është e së sotmes Çështja Çame.
Aq sa janë të fortë dhe shëndetshëm fëmijët, nipërit dhe mbesat, aq është e së sotmes Çështja Çame.
Nuk mund të lejonim dhe nuk do të lejojmë asnjëherë dalldisje që synojnë ta dënojnë Çështjen Çame me harresë.
Nuk ndodh! Nuk ndodh, sepse janë gjallë Dhëndurët e Çamërisë, bijtë e tyre, nipërit dhe mbesat.
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet u krjua mbi një kauzë morale të madhe. U krijua mbi lotët, të rënët, shpërnguljet dhe torturat që lamë pas në Çamëri, në dheun e të parëve. Na është dashur të zhvendosim malet e paragjykimit dhe ta kthejmë Çështjen Çame në motiv krenarie dhe shtysën e brendshme për të rritur shpirtërisht, por edhe për të imponuar politikisht të vetmen zgjidhje që është ajo e dënimit të genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë si çështje e të drejtave të njeriut, dhe në këtë çështje të gjithë shqiptarët jemi bashkë.
Sot dalin disa nopranë politikë dhe guxojnë të na tregojnë përfitimet elektorale që ne mund të kemi, kur bërtasim se ministrit grek Kotzias, që mbron ende sot xhelatët e Çamërisë nuk i puthet dora, por i tregohet e drejta ndërkombëtare. Këtyre nopranëve sot po i përgjigjem, unë dhe të gjithë sa jemi shqiptarë me zemër e gjak, do konsiderohemi mburoja njerëzore për çdo të drejtë të nëpërkëmbur të shqiptarëve të Çamërisë që është shpirti i shqiptarisë, por edhe për jetët dhe ëndërrat e shqiptarëve të ndarë sot në pesë shtete, nuk ka dhe nuk do ketë një tjetër varrezë ushtarësh grekë pa u ndërtuar Memoriali i genocidit grek në Çamëri. Eshtrat e të parëve tanë që vdiqën në tortura, në dëbim e vrasje nuk janë mish për top e as plaçkë pazari për ato forca që kujtojnë se mund të bëjnë llogari politike me shitje flamujsh e parimesh. Dhe kjo nuk është e s’do jetë kurrë llogari politike, sepse nga të rënët nuk vijnë vota, por ky është moral e humanizëm. Ata që gjithë jetën e konsiderojnë veç zgjedhje, politikë e baltosje nuk mund të presin që ne të mbyllim gojën një vit para çdo fushate, sepse ky vend ka zgjedhje çdo dy vjet e kjo do të thotë që në duhet të heshtim përgjithnjë ashtu siç do na donin në fakt, të dobët e pa gojë. Në të kundërt ne do thërrasim fort, çdo ditë e çdo muaj të vitit që ta kuptojë çdo gazetar apo politikan, i vogël e i madh, se ne nuk do lëshojmë asnjë gërmë, asnjë presje, asnjë minutë, ditë a vit në atë që ne e quajmë shpirtin e shqiptarisë, Çështjen Çame.
Tani po ju bëj me dije dy hapa jetikë që do fillojmë së bashku:
E para, është krijimi i komisionit të posaçëm parlamentar për Çështjen Çame. Deputetët e PDIU dhe deputetë të tjerë do kërkojnë zbardhjen e ngjarjeve të qershorit 1944, ato që ndodhën para kësaj date, por edhe pasojat që prodhoi e sjelljet e mëpastajme shtetërore. Për herë të parë do krijojmë një dosje parlamentare, me dëshmi, evidencë e dokumente arkivore dhe një qëndrim moral e njerëzor për këtë çështje. Qëllimi nuk është hakmarrja por kujtesa, zbardhja e të vërtetës dhe respekti për të drejtat njerzore të vrara të 30 000 shqiptarëve të Çamërisë.
E dyta, është rregjistrimi i të zhdukurve, të vrarëve dhe atyre që humbën jetën gjatë genocidit grek mbi popullsinë çame. Organizata botërore për të zhdukurit do ketë gjithë të dhënat e të afërmve tanë, e të afërmve tuaj që humbën jetën dhe bashkë me të dhe varret. Ky është detyrimi ynë moral dhe këtë nuk e shesim e nuk e blejmë për asnjë qëllim apo vota.
Na kanë akuzuar që po e përdorim Çështjen Çame për konsum elektoral.
Po mirë, si mund ta përdorim këtë çështje për vota, kur na duhet edhe gati një vit të shkojmë tek kutitë.
Ç’është kjo marri? Edhe sikur mos të jesh profesionist dhe me eksperiencë në politikë si mund të kërkosh vota me një gjë të këtillë këtu e nëntë muaj përpara?
Pastaj, unë sapo ju drejtova shqiptarëve kudo që gjenden që të përfshihen në Çështjen Çame pa dallim politik, krahinor apo besimi fetar. Pse duhet të bëj një autogol të tillë? Po të ishte për vota duhej ta mbaja këtë “thesar” veç për një komunitet të vogël?
Jo pra, nuk na intereson Çështja Çame vetëm për çamët dhe votat e tyre, sepse nuk po bëjmë llogari dredharake politike të vogla. Nuk kërkojmë pushtet në emër të Çështjes Çame, por zgjidhen e saj.
Pushtetin e shohim si mjet që duhet përdorur për të arritur tek zgjidhja, jo si nevojë për të qenë në Kuvend apo në qeveri.
Kjo është çështje e ditës dhe e dritës dhe jo e harresës dhe e territ.
Dhe ja ku po jua them me forcë, Çështja Çame e tillë do të jetë derisa të gjejë zgjidhjen përfundimtare europiane!
Të dashur miq,
Çështja Çame mund të jetë çështje elektorale jo për ne, por për ata që na sulmuan dhe kërkuan zbehjen e saj, veçanërisht minimizimin e rolit të Brukselit dhe Komisionerit Hahn.
Për ata është çështje elektorale, sepse janë të trembur prej të dhënave që vijnë nga matjet e opinionit publik që tregojnë një rritje të madhe të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, dëshmi e së cilës janë anëtarësimet e shumta që nuk rreshtin asnjë ditë.
Kjo i ka trembur polemizuesit apo profesionistët e helmit mediatikë.
Tani, me të gjithë këtë racë pjellore ngatërrestarësh nuk kemi as kohë, as mundësi të merremi përditë.
Por, diçka mund t’jua themi sot nga kjo sallë e Këshillit tonë Kombëtar: Vazhdoni mbillni farën e helmit, sepse vetëm ndihmoni në shpërthimin e Çështjes Çame dhe rritjes së qënësishme të PDIU-së.
Jua dimë shumë për nder që tentoni të fusni shkopinj në rrota, sepse po na e lehtësoni kaq shumë rrugën tonë politike, aq sa as ne vetë nuk e prisnim.
Por, jua themi hapur, copë se nuk do të pranojmë që Çështja Çame dhe Çështja Kombëtare të jenë çështje të kopshtit zoologjik të politikës shqiptare, ku ka dhe strucë, dhe hiena, dhe luanë. Po jua lemë vetë ta gjeni veten në këtë fermë kafshësh, sepse e dimë mirë që pemës plot me kokrra i gjuhet me gurë. Vetëm se ai gurë që që hidhet lart, bëni kujdes se do kthehet poshtë dhe ju thyen kokën.
Motra dhe vëllezër,
Në gjithë këtë situatë të ngarkuar politike, nuk kemi patur mundësi të mërzitemi, sepse na ka zbavitur shumë shpirti gaztor i zotit Nikos Kotzias.
Ministri i Jashtëm grek befas na shfaqi anën e tij qesharake duke e pasuruar gjithë këtë hulli ballkanike me humorin e tij të pasur.
Besoj se e ndoqët kërcënimin e tij me sulme nga ajri, toka dhe deti dhe forcën që ka ushtria e Greqisë.
A e dini se çfarë më është kujtuar kur ndiqja përroin psiqik të shefit të diplomacisë së shtetit fqinj?
M’u kujtua shoku Enver.
A e mbani mend, kur kërcënonte Aleancën Euroatlantike se Sazanin e kemi hekur dhe beton?
Tigër prej letre shoku Enver, tigër prej letre shoku Nikos.
Këta marksistë-lelinistët duket në një pikë puqen të gjithë. Janë megallomanë.
Tani si të përgjigjemi ne këtij?
T’i kujtojmë se jemi vende anëtare të NATO-s dhe nuk ka pse t’i numërojmë avionët reaktivë njëri-tjetrit.
Apo t’i përgjigjemi me zell patriotik, vargje plot pathos dhe këngë patetike?
Jo, unë them ta lëmë pa përgjigje kërcënimin e tij, por t’u kujtojmë puthadorëve dhe helmatisëve të Shqipërisë se Nikos Kotzias kërcënoi gjithë shqiptarët, jo disa syresh.
Ne edhe nga historia jonë i njohim grekët jo pak, e dimë si dhe kur bëjnë dhurata, njohim simbolin e Kalit të Trojës, sepse tek e fundit Homeri në tokat e Thesprotisë u lind dhe u rrit.
Njohim dhuratat që si kuajt e Trojës hyjnë e dalin në politikën shqiptare, në Kuvend dhe gjetkë.
Prandaj, ngaqë i njohim të gjitha këto nuk jemi antigrekë, përkundrazi dëshirojmë të kthehemi në Çamëri në paqe me një degë ulliri në dorë si simboli i flamurit të PDIU-së.
Fatkeqësia është se na rezultojnë grekët-politikanë dhe jo vetëm antiçamë.
Por, aq na bën, se kemi të drejtën me vete, e cila së fundmi u lartësua në Bruksel.
Shumë thonë pse nuk jeni në opozitë, pse sot jeni në pozitë. Unë këtyre zërave i përgjigjem sot dhe njëherë e përgjithmonë: Çështja Kombëtare nuk është dhe nuk mund të jetë në opozitë, përveçse me një qeveri antishqiptare. Opozitën e vetme e gjen tek ata që e shesin Kombin për pushtet e për para. Çështja Çame progreson, vetëm kur fytyrës së shtetit shqiptar i japim forcën e tragjedisë sonë dhe kjo e vetëm kjo është arsyeja që më bën të kaloj çdo divergjencë e mosaprovim të thellë, kur shoh se marrëveshja qeverisëse dhe ajo e pushtetit vendor është respektuar veç në 1 % të saj. Ju kujtoni se nuk dimë të bëjmë pazar dhe t’ju japim votat për reformat e për ligjet dhe t’ju kërkojmë ministrat e postet që na takojnë në bazë të peshës sonë e votave që ju kemi dhënë? Sigurisht, që e njohim mirë këtë soj politike të lakut që shtrëngohet, por dimë që për asnjë rast ne nuk do shkëmbejme post apo votë, për parim, reformë apo ligj që nuk është në të mirë të shqiptarëve. Luajaliteti nuk është plaçkë për ta lozur poker. Do ju përgjigjemi në çdo rast sipas parimeve dhe forcës që ne kemi, por edhe sipas sjelljes së secilit ndaj nesh.
Nëse do të kishim vrepruar për poste, ne nuk do kishim vepruar pa kushte, si jemi sjellë përherë edhe për reformën në drejtësi apo së fundmi për ligjin e mbetjeve, ku qëndrimi ynë ishte shumë i qartë dhe jashtë konjukturës.
Do kisha dashur shumë që të kishim një sistem zgjedhor, ku forcat politike, secila më vete të konkurronte në një sistem proporcional kombëtar të korrektuar, ku sipas numrave së çdo force të ishte dhe numri i deputetëve, por kjo është një Reformë, e cila nuk mundet kurrsesi të kryhet tetë muaj para zgjedhjeve, por kërkon vite përgatitje për sistemin, sepse ne nuk jemi laborator i vullneteve dhe tekave të forcave politike të tjera. Por, abuzimi i të “mëdhenjve” nis qysh me përzgjedhjen dhe me kontrollin që i bëjnë sistemit, zgjedhjes, numërimit dhe më pas duan të na kontrollojnë edhe rezultatet e votimit. Kjo nuk është as drejtësi e as moral. Ne kemi votat tona, deputetët tanë, këshilltarët tanë bashkiakë, kryetarët tanë të bashkive dhe askush nuk guxon të na tregojë se kush është pozicioni ynë, se sa e si duhet të kërkojmë. Meritojmë më të mirën, sepse jemi më të mirët, jemi njerëz që humbjen e kthjejmë në forcë dhe krenari, përbuzjen e diskriminimin e kemi kthyer në turp për ata që e dhanë e jo për ne.