“Anembanë gjëmon këmbana, Edi Rama! Edi Rama! Me punë e kthesa të forta sup më sup na pret Europa. Vendosi me shpresë dhe bindje, për rilindje për rilindje”…. “Jam i ri, jam beqar, trim i rritur në Skrapar; Kush m’i qan hallet e mija; Ilir Meta LSI-ja!”
Në “çadrën e lirisë” e cila prej më shumë se një muaji është instaluar para zyrës së kryeministrit Rama, dëgjohen shpesh këngë të ndryshme por njëra përsëritet më shumë se të tjerat. Është kënga që i këndohet Sali Berishës dhe që nga fundi i tekstit përmendet edhe Lulzim Basha. Ka një histori interesante me këngët që populli shqiptar i ka kënduar udhëheqësve të tij edhe pse bilanci i tyre në drejtimin e Shqipërisë është në tërësi negativ. Ka raste kur është bilanc i tmerrshëm si ai i diktatorit Enver Hoxha i cili është udhëheqësi që populli shqiptar i ka kënduar më shumë se kujtdo tjetër.
Më poshtë rendisim disa këngë e poezi që shqiptarët i kanë thurur udhëheqësve të tyre qysh nga koha e Ahmet Zogut, për të vazhduar me diktatorin Enver Hoxha e të gjithë udhëheqësit që e kanë pasuar atë deri në ditët e sotme.
Janë vargje zemre të pastra si “ujët e kristaltë të maleve të Kurveleshit e të Valbonës”. Këto vargje burojnë nga shpirti i popullit për udhëheqësit që në dy shekuj ia dolën me sukses të lënë këtë popull si askush tjetër, në këtë ditë të lumtur, si një kala të pamposhtur varfërie, korrupsioni e cannabis-i, mu në zemër të Europës.
Pa u zgjatur ju sjellim vargjet unike për mbretin Ahmet Zogu, të shkruara me zjarr e dashuri. Po të mos e kesh mendjen duket sikur je duke dëgjuar këngë për Enver Hoxhën, sepse është ai vargu i famshëm “Rrofsh sa malet tona!” ose “Rrofsh sa moshë e kësaj toke, apo març’ nga ditët tona…”.
Me të njëjtën dashuri i ka kënduar populli edhe Sali Berishës ku spikasin vargjet: “Në qiellin blu o e t’lir t’jet shqipja, prin në ball o Sali Berisha, Si një lule rrit nër pisha, emri tij Sali Berisha”. Është po kaq e ndjerë kënga për Edi Ramën: “Anembanë gjëmon këmbana; Edi Rama Edi Rama; Me punë e kthesa të forta sup më sup na pret Europa”.
Për të mos u humbur është kënga për Ilir Metën: “Jam i ri, jam beqar, trim i rritur në Skrapar; të mbajë në pëllëmbë të dorës…;Kush mi qan hallet e mija; Ilir Meta LSI-ja!”. Po kaq emocionuese është edhe kënga që i kushtohet Lulzim Bashës: “O moj Serbi, o varrin ta plasa, O se k’tu po i thon’ more Lulzim Basha”.
Këngë për Ahmet Zogun
Rroftë mbret Zogu i Parë
Që si dragua nuk përtoi
Po me nji grusht atdhetarë
Armikët i ç’qeu e i coptoi
Është ylli i Shqipërisë
Që Perendia ia dhuroi
Ngriti flamurin e Shqipnisë
E nga rrezikët na shpëtoi
Është i lumtur shteti ynë
Sa askush tjatër s’ia shkon
Si dragua e ka synë
Sa gjithë botën e copton
Kjo është dita e shkëlqyer
Kur flamuri kuq e zi valon
Flamuri i papërlyer
Rrofsh o mbret sa malet tona
Këngë për Edi Ramën
Që nga Shkodra gjer në Vlorë
dje e mori partinë në dorë
uragani popullor vendosi me votë
Vendosi me shpresë dhe bindje
për rilindje për rilindje
Foli prapë historia nuk përkulet Shqipëria;
S’duron t’i preket liria ajo të gjykon
Vendimi që merr sovrani peshë e rëndë jatagani
Vlorë e dallgës Vlorë e nurit me zemër uron
Anembanë gjëmon këmbana
Edi Rama! Edi Rama!
Me punë e kthesa të forta sup më sup na pret Europa
Këngë për Enver Hoxhën
Dëgjo Argjiro shqiponja, këngën që të sjellë gjitonja
Ç’të ka lezet lëmi i këngës për birin e shtrenjtë të zëmrës
Moj nëna gjirokastrite gjiri yt me qumësht drite
Dhe mbi gjithë djepet që rrite, ç’t’i jepje shqipes e dite
Lum si ne……
Shqipërisë fjala jote
Ushtrim dhe flamur epoke
Ju bë dritë si ëndërronte
Rrofsh sa moshë e kësaj toke…
Këngë për Sali Berishën
Në qiellin blu o e t’lir t’jet shqipja
prin në ballë o Sali Berisha
Si një lule rrit nër pisha
emri tij Sali Berisha
Sot po je për në Tiranë
po n’Tropojë zemrën ke lanë
Shumë njerëz t’kan inatin,
ty 12 po t’rrin sahati
https://www.youtube.com/watch?v=5eEwbwXznvg&feature=youtu.be
Këngë për Ilir Metën
Jam i ri, jam beqar, trim i rritur në Skrapar
të mbajë në pëllëmbë të dorës
Jam i ri, jam beqar nuk kam borxhe për të larë
e kam zemren si behar lindur rritur në Skrapar
Thellë në malet e Skraparit lindi burri i vatanit
Kush m’i qan hallet e mija
Ilir Meta, LSI-ja!
Këngë për Lulzim Bashën
O moj Serbi, o varrin ta plasa,
O se k’tu po i thon’ more Lulzim Basha!
O moj Serbi, u murin ta prisha,
O k’tu po i thon o Sali Berisha!
O moj Serbi, o zemrën ta kalli,
O k’tu poi thon’ o Azem Hajdari!
O po qan zemra, o n’demokraci e
O t’kem Lulzim Bashën, o kryetar bashkie!
https://www.youtube.com/watch?v=gZBTfw171MQ&feature=youtu.be
Populli po vazhdon të shkruajë këngë. Të tjerë udhëheqës do të gëzojnë çastet e lumtura që të jep ai moment, kur populli të këndon këngë zemre.