Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka treguar mirënjohje për BE për hapjen e negociatave. Përmes një postimi në Facebook ajo ka përshëndetur çeljen e negociatave, ndërsa e ka cilësuar këtë moment si fillimin e një kapitulli të ri. Kryetarja e LSI nuk heziton të kritikojë sërish politikën, teksa thotë se njerëzit në karrige nuk e duan dhe do të bëjnë çmos për ta dështuar këtë rrugë, në favor të autokracisë së pushtetit të tyre.
“Ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri, ndërsa detyrat për ta çuar përpara këtë rrugë, e ngarkojnë çdo aktor politik e shoqëror në vend, me përgjegjësi të reja për të realizuar transformimin rrënjësor e të gjithanshëm që Shqipëria europiane ka nevojë! Njerëzit në karrige nuk e duan dhe do të bëjnë çmos për ta dështuar këtë rrugë, në favor të autokracisë së pushtetit të tyre. Qeveria shqiptare institucionalisht, duhet të çlirohet nga praktikat e deri tanishme korruptive, klienteliste, në shkelje të ligjit dhe ndrydhje të të drejtave e lirive të qytetarëve”, shkruan ajo. Ndërsa theksoi se deri më tani tepër kohë është humbur me dështime për shkak të vendimeve personale të politikës së ditës.