Opozita në dorë të Koços e Rexhepit!
Nga Mero Baze
Nuk ka fallxhor që mund t’ia dilte ta parashikonte që Partia Demokratike në vitin 2016 do t’i kishte sytë nga Koço dhe Rexhepi. Pas një dreke me Ilir Metën në Hotel “Grand”, opozita shpërtheu në ekstazë, thua se fitoi zgjedhjet me Koçon dhe Rexhepin. Aq shumë u ekzaltua, sa në blogje të turreshin po t’u thoje ndonjë fjalë të keqe, sidomos për Koçon.
Në të vërtetë dreka ishte një ngjarje reale, por jo për opozitën.
Ilir Meta me Meidanin besoj nuk ishin takuar që nga viti 2002, kur kanë bashkuar votat kundër Fatos Nanos, për të hequr Arben Rakipin nga Prokuror i Përgjithshëm. Prej asaj kohe Rexhepi ka parë punët e veta dhe hallet e djalit, për të cilin iu gjend pranë Berisha, duke e bërë një farë drejtori në Dogana. Meidani ka arsye të jetë i mërzitur me Edi Ramën, jo vetëm për punën e djalit, por dhe mënyrën se si Rama e përdor atë sa herë i duhet në Kongrese apo momente krizash.
Koço, po ashtu ka arsye të jetë i mërzitur me Edi Ramën. Jo për ato që thotë për arsye parimore, por për faktin se Rama nuk e çoi dot deri në fund betejën për ta detyruar Partinë Socialiste të pranonte modelin e Koços. Nuk ia doli dot dhe e la Koçon vetëm përballë PS, dhe ai u fshi sikur nuk ekzistonte. E vetmja gjë çfarë i ka mbetur Koços, janë drejtorët që ka emëruar dhe fakti që bën ende si faktor i rëndësishëm për të majtën shqiptare.
Aktualisht Koço është një armik i Edi Ramës, por Edi Rama nuk është një armik i Koços. Ai ndjehet keq që nuk e bind dot Koçon, që as Zoti nuk e ndihmonte dot, para Gjykatës dhe para PS.
Edhe Ilir Meta ka hallet e tij. Përpjekja për të pasur një pakt me PD për reformën dhe për të imponuar konsesus me çdo kusht, është një betejë për të faktorizuar opozitën dhe për të poshtëruar partnerin në qeveri, përballë opozitës. Kjo ka rritur tensionet dhe ka prodhuar një krizë reale në koalicion. Por kjo është kriza mes Metës dhe Ramës dhe jo fitorja e PD kundër qeverisë.
Ilir Meta mund të shkojë në vitin 2017 me PD dhe është në të drejtën e tij, mund të rrijë po ashtu me PS, apo të dalë më vete. Ai do marrë vendimin e duhur për të, kur ta bindet për skenarin më të mirë.
Por, ky gëzimi i opozitës që ai ka ngrënë drekë me Koçon e Rexhepin dhe pas kësaj ata mund të rrëzojnë qeverinë, është fundi i energjive opozitare. Kulmi i poshtërimit të opozitës, është, kur pas kësaj del kryetari i saj Lulzim Basha dhe thotë se nuk hyn në zgjedhje pa qeveri teknike. Pra ai nuk do të besojë se ëndërra e Koços dhe Rexhepit, ishte një ëndërr vere 24 orëshe, që mbaron shpejt.
Ilir Meta doli sot sërish dhe sqaroi se nuk kishte shkuar tek “Grandi” për mesazh, por për masazh. Kjo e kthen Bashën në pikën zero, 24 orë më parë, kur sytë veshët, mendja dhe zemra e opozitës ishte tek dreka e Koços dhe Rexhepit. Nuk di, nga se u zhgënjye më shumë, nga masazhi i Metës, apo mesazhi i munguar i Koços, por di të them se asnjëherë opozita shqiptare, qoftë PD, qoftë PS, nuk ka qenë kaq e pashpresë, e paqartë, e pamend dhe e papërgjegjshme, sa opozita e Lulzim Bashës, që mbështet gjithë shpresat e opozitës tek Koço dhe Rexhepi. As PS që i ka të vetët dhe i ka përdorur, kur i janë dashur, si ka pasur kurrë shpresë, por problem. Vetëm Lulzim Basha di të bëjë opozitë të tillë dhe të fillojë të vajtojë, që sot para një viti, se nuk hyn në zgjedhje, po nuk u bë siç do Koço. Do me thënë qeveri teknike.
/gazetatema.net/