Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolli kërkoi sot ndjesë, (megjithëse me vonesë), për mungesën e plotë të saj, nëpër institucionet arsimore, atje ku dhunohen egërsisht fëmijët. Kërkoi ndjesë e mirë bëri, por kur doli në mesditë për të përshëndetur kombëtarën e çbëri atë ndjesë publike që pati kërkuar përmes një mesazhi në facebook.
Dy mesazhe krejt të kundërta brenda një dite. Në të parin flet për fëmijën 3-vjeçar të dhunuar dhe në të dytin për fëmijën e saj që studion në Francë e për të ndjehet krenare, sepse ajo u ndje krenare për Kombëtaren e Shqipërisë. Një lidhje pa lidhje në fjalimin e saj para djemve të Kombëtares shqiptare.
Në mesazhin e parë ministrja Nikolla flet për përgjegjësitë e saj në krye të institucionit për dhunën ndaj fëmijës 3-vjeçar në një kopësht privat në Tiranë. Merr përgjegjësitë që i takojnë për mungesën e ligjshmërisë në institucionin ku ndodhi dhuna. Megjithëse thekson se nuk po përpiqet të ndajë përgjegjësitë me të tjerët, brenda të njëjtit mesazh ajo në fakt e bën, e ndaj veten nga përgjegjësia kur thekson:
“Kam dëgjuar me vemendje maksimale çdo zë, duke takuar, së pari, familjarët e vogëlushit, babain dhe gjyshin, përulësisht me një ndjesë të madhe për dhimbjen e tyre, sy më sy dhe larg ditirambeve mediatike e fejsbukiane. “Nuk ke asnjë përgjegjësi”, më thonin në çdo fjalë timen. Por unë e di dhe po i them çdokujt që shqetësohet me shumë të drejtë, por edhe çdokujt që ngjarjen do ta përdorë për të më veshur lloj-lloj etiketimesh, atë që u thashë babait dhe gjyshit të vogëlushit: E ndiej përgjegjësinë. Ministri brenda meje nuk është as më shumë e as më pak, por përgjegjësi, përgjegjësi për të shërbyer me cilësi e transparencë dhe për të thënë gjithmonë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, shkruan Nikolla.
Më tej akoma ajo na kujton ngjarje edhe më të rënda që kanë ndodhur me fëmijët, si për shembull ajo e Gërdecit, ku humbën jetën tragjikisht fëmijë: “Unë nuk do ta përdor këtë formë komunikimi për të ndarë thjesht përgjegjësinë me të tjerët, as për t’iu referuar situatave dramatike, kur fëmijët braktisnin shkollën për të demontuar armët dhe për të humbur jetën në Gërdec, as për të thënë se dhuna në shkollë ndodh edhe në shoqëri më të përparuara, as për të thënë që dhuna në shkollë nuk lindi sot, por për t’u përgjigjur se çfarë kemi gjetur në sistem dhe çfarë kemi bërë e po bëjmë?”, shkruan ministrja.
Na kujton gjithashtu se si e gjeti sistemin arsimor kur erdhi në krye të këtij institucioni. Pra, aty për aty brenda të njëjti tekst, ndjesa çbëhet.
Mesazhi i dytë është ai që dha në fjalën e saj para Kombëtares shqiptare.
“I nderuar De Biasi! I dashur Lorik, të dashur lojtarë të Kombëtares. Ju falenderoj shumë për gjithçka bëtë. Nuk kam fjalë për të shprehur këtë që ndjej në këto momente. Kam një vajzë dhe ndjehem shumë krenare për të, për rezultatiet e saj, për shkollën që studion në Francë. Ajo mori shumë mesazhe nga shumë shokë të saj europianë, për këtë arritje të djemve, të kuqezinjve. Edhe ne morëm shumë mesazhe që nga miqtë tanë europianë, që u shprehën të çuditur prej Kombëtares në Francë. Nuk gjej fjalë t’ju them çfarë emocioni kam që dhjetra shqiptarë kanë përjetuar të njëjtin gëzim.
Unë si ministre e mbyll me një mirënjohje të madhe për ju që treguat me shembullin tuaj sa larg mund t’ju çojë sakrifica e mundi për t’ia dalë në të ardhmen. Ju falenderoj dhe jam krenare për ju”, tha ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla para lojtarëve të Kombëtares shqiptare.
Sapo kishin mbërritur në Tiranë pas performancës së mirë që ata patën në Francë në Kampionatin Europian. Siç duket në mesazh, ministrja ka zgjedhur vajzën e saj si personazh për të përcjellë nëpërmjet saj, mirënjohjen për lojtarët. Por, pikësëpari ajo iu tha të gjithëve se vajza e saj studion në Francë dhe është me rezultate shumë të mira, se ajo është krenare për të, se vajza e saj ka shumë miq europianë dhe në fund se vajza e saj kishte marrë mesazhe të shumta nga miqtë e saj europianë për performancën e lojtarëve të Shqipërisë. Më pa lidhje se kaq nuk bëhet. Vajzës së ministres i urojmë shumë suksese në shkollë e në jetën e saj, sepse ka të drejtë të shkollohet sa më mirë të jetë e mundur. Por e ëma, duhet t’ia kursejë karshillikun, shumicës së nënave shqiptare që jo vetëm s’kanë luksin të shkollojnë fëmijët në Francë, por as t’i ushqejnë ata. Të kursehej në këto mesazhe të paktën në këto ditë, ndaj nënave të këtyre fëmijëve të dhunuar, qoftë në jetimoren e Shkodrës, të Durrësit apo në rastin e fundit, në kopshtin ku u dhunua fëmija 3-vjeçar.