The Daily Mail: “Dikur Shqipëria njihej për Nënë Terezën, por asnjëherë për futbollin”
Menjëherë sapo ka përfunduar fushata eleminatore dhe u bë fakt i kryer kualifikimi i Shqipërisë në finalet e Euro 2016, Kombëtarja jonë është vendosur në qendër të vëmendjes edhe të mediave prestigjoze ndërkombëtare, gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë. E përditshmja angleze “The Daily Mail” e cilëson skuadrën e De Biazit si një grup që ka bërë evolucion në futbollin e vendit në mënyrë të habitshme, madje në një kohë rekord. “Dikur Shqipëria njihej për Nënë Terezën, por asnjëherë për futbollin”, është batuta e përdorur nga gazetari anglez, i cili më pas vëren se jo shumë kohë më parë kjo përfaqësuese nuk ndryshonte shumë nga ajo e Luksemburgut dhe si arritjen më të madhe regjistron një fitore me Greqinë në vitin 2004. Ndërsa në këto eleminatore renditen fitorja në Aviero ndaj Portugalisë, dy barazimet me Danimarkën, tri pikët pas incidenteve të Beogradit, por edhe futbollistë që ia vlen t’i ndjekësh në Francë, si Taulant Xhaka, Lorik Cana, apo Elseid Hysa.
Ndërsa për posterat e yjeve të çdo skuadre, dedikuar pikërisht atyre që pritet t’i tërheqin ato drejt sukseseve të mundëshme, ku përfshihen Kristiano Ronaldo, Garet Bejl, Zlatan Ibrahimoviç, apo Pol Pogba, për Shqipërinë është përzgjedhur portjeri veteran Orges Shehi… Ndoshta një lapsus, ose ndoshta se i shkonte më së miri logjikës së diçiturës: “Më shumë se fluturimi i parë”.