Nga Mentor Kikia
Njëra nga fotot është bërë në Kepin e Rodonit këtë fundjavë dhe tjetra është huazuar nga kolegu Ardi Sefa, bërë në Palasë. Bregdet, njëri pejsazh më i bukur se tjetri. E njëjta panoramë e bukur dhe e shëmtuar njëkohësisht. Mbeturinat që hidhen në plazhe, në rrugë dhe përgjatë bregdetit.
Dy fajtorë, të pandashëm, shteti dhe individi. Sheti që nuk ndërton infrastrukturën dhe individi që i hedh mbetjet ku të jetë.
Asnjë qeveri nuk e ka patur prioritet këtë çështje. Të gjithë janë betuar e përbetuar për turizmin dhe asnjë nuk ka vendosur kosha e nuk ka zbatuar masat ndaj (me nder) qytetarëve që i hedhin mbetjet rrugëve. Të gjitha qeveritë kanë bërë show, me aksione pastrimi, duke nxjerrë administratën me urdhër të mbledhin kanaçe.
Të gjithë ministrat e turizmit dalin me tufa me lule në aeroport të presin turistët, por ja çfarë mjedisi u ofrojmë atyre.
Ne nuk jemi vend i ndotur, ne jemi vend i pistë!
Në shtator, sapo qeveria të kthehet nga pushimet, të gjithë ata që mendojnë se ky vend nuk meriton të jetë kështu siç e kemi katandisur ne, i ftoj në një protestë me qese në dorë.
Sot ju ftoj ta shpërndani këtë foto-denoncim dhe këtë ftesë. Për detajet flasim në ditët në vijim!