Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka thënë për mediat serbe se nuk mendon se Amerika do të kalojë në anën e Serbisë në lidhje me çështjen e Kosovës, por ka shtuar se amerikanët janë të gatshëm të dëgjojnë se çfarë mendon Serbia për këtë çështje. Vuçiç ka thënë gjithashtu se Serbia mund të bisedojë për këtë me partnerët amerikanë më hapur se më parë.
Ambasadori i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell do të bisedojë të premten me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç. Pas marrëveshjes për hapjen e linjës direkte ajrore Prishtinë-Beograd, nga diplomati amerikan kërkohet që të sjellë rezultate të reja për një periudhë të shkurtër kohore, shkruan gazeta serbe “Novosti”. Duke paralajmëruar takimin me Grenell, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka thënë “Amerika është e gatshme t’i dëgjojë kërkesat e Beogradit kur është fjala për Kosovën”.
“Pozita e Serbisë për çështjen e Kosovës është e vështirë dhe raporti i SHBA ndaj Kosovës është i kundërt nga ai i yni. Nuk them se tani Amerika do të kalojë në anën tonë, siç do të kishte menduar dikush, por janë të gatshëm të dëgjojnë se çfarë mendon Serbia për këtë çështje. Në këtë kuptim konsideroj se kemi hapur një derë pas të cilës mund të bisedojmë me partnerët amerikanë më hapur se më parë,” ka thënë Vuçiç.