U duk sikur kampionati do të rihapej sërish, por ishte vetëm një iluzuion që zgjati më pak se tre orë. Kukësi, skuadra më në formë për momentin, e bëri atë që kishte premtuar, duke fituar (1-0) në “Zeqir Ymeri” ndaj kampionëve të Skënderbeut. Interesante është që ekipi i Duros luan në funksion të çdo kundërshtari që ka përballë, diku duke dominuar me qarkullimin e topit dhe diku tjetër duke u treguar më pragmatist, siç ishte 90 minutëshi ndaj korçarëve. Mjaftoi goli i Shametit në pjesën e parë dhe më pas ishin miqtë që kishin më shumë terren në dispozicion, ndërsa kuksianët mund edhe ta mbyllnin ndeshjen më shpejtë me anë të kundërsulmeve. Aq e vërtetë ëhtë kjo, saqë lojtari më i mirë i ndeshjes u shpall portjeri i Skënderbeut, Orges Shehi. Ndërsa drejtuesit e Partizanit nuk kanë pse të ankohen më për aleanca, apo gjykime në disfavor, pasi skuadra e tyre nuk po shfrytëzon dot aftësitë e këmbëve të saj. Pas barazimit me Laçin, vjen një tjetër në Vlorë, pavarësisht se të kuqtë e Agostinelit kaluan të parë në avantazh, me anë të Xhevahir Sukajt. Flamurtari ka shënuar tre minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt me autor brazilianin Alvesh, por duhet thënë se nuk vodhi asgjë. Partizani nuk krijoi shumë, ashtu si edhe kundër Laçit një javë më parë, ndërkohë që pritej e kundërta, qoftë edhe për faktin që Skënderbeu e kishte përfunduar më parë ndeshjen e tij.
Tirana ndërkohë vazhdon garën për një vend në Europa League sezonin e ardhshëm dhe për të ruajtur ritmin mendon po ai, Elis Bakaj, autori i golit të vetëm të ndeshjes së djeshme ndaj kurbinasve, por pavarësisht një tjetër 3-pikëshi, bardheblutë vazhdojnë të jenë pothuajse të abandonuar nga tifozët e tyre.