Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është gati të rifillojë dialogun me Kosovën mbi normalizimin e marrëdhënieve vetëm pasi Prishtina të heqë tarifat e importit për mallrat serbe të vendosura vitin e kaluar. Këtë gjë kreu i shtetit serb ja ka bërë të ditur presidentit të SHBA, Donald Trump në një letër të dërguar ditën e enjte.
Në letrën drejtuar Trump, Vuçiç tha se taksa e importit të Kosovës mbetët “një barrë dhe një pengesë e pakapërcyeshme për vazhdimin e dialogut”.
“Në momentin kur Prishtina ta heqë këtë masë të paarsyeshme dhe të dëmshme, jemi të gatshëm të vazhdojmë dialogun në kërkim të një zgjidhjeje të qëndrueshme”, thuhet në letrën që Vuçiç i ka dërguar Trumpit, në përgjigje të një letre që presidenti amerikan i ka dërguar atij më 14 dhjetor.
Si BE ashtu dhe Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Kosovës që të heqë tarifat e importit, por Prishtina deri më tani ka refuzuar.