Imagjinoni 500 burra, që në kor, këndojnë këngë për mëmëdheun, për flamurin, për Kosovën e Çamërinë, brenda burgut ferr në Burrel. Të gjithë antikomunistë, të gjithë njëzëri kishin tronditur muret e këtij burgu, duke bërë që t’u dridheshin këmbët gjithë policëve të komandës dhe gjithë administratës së burgut. Ishte festa e pavarësisë, 28 nëntor 1947.
Në librin e saj “Përtej harrimit Abdulla Rami”, Ermira Xhomaqi Godo, sjell shumë kujtime të xhaxhait të saj Avni Xhomaqi, sidomos për periudhën e vuajtjes së dënimit në burgun e Burrelit, së bashku me gjyshin e saj Abdulla Ramin. Ndër kujtimet e shumta të Avni Xhomaqit, është edhe kjo ngjarje me të vërtetë e rrallë, ndodhur në burgun famëkeq të Burrelit. Xhomaqi kujton se atë ditë, të burgosurit kishin menduar ta përkujtonin kësisoj festën e Pavarësisë: Ata kishin nisur të këndonin fort, njëzëri për flamurin, për mëmëdhenë, për Kosovën dhe Çamërinë. Ngjarja e pazakontë kishte vënë në alarm gjithë adminsitratën e burgut. Ja si e dëshmon Avni Xhomaqi këtë ngjarje të rrallë.
“Nuk më del nga mendja 28 nëntori i vitit 1947. Mbasdite na kishin nxjerrë për të marrë pak ajër dhe për të mbushur ujë në pusin që ishte në mes të oborrit të burgut. Ishte Festa e Flamurit atë ditë, dita më e shënuar e shqiptarëve! Kjo datë e shënuar do të festohej atë ditë edhe aty, do ta festonim atë ditë edhe ne atë jubile në atë burg-ferr të Burrelit ku na kishin hedhur… do ta festonim ashtu duke ia marrë këngës. Dhe më shumë se 500 zëra burrash shpërthyen bashkërisht në oborrin e burgut. Burra, pleq e djem të rinj filluan të këndonin për flamurin, për mëmëdhenë, për Kosovën dhe për Çamërinë:
Kosovë e Çamëri/ Do të jetë prapë Shqipëri…
U tronditën muret e burgut nga kënga dhe gjëmimi i gjokseve tona. U vu në alarm policia, administrata e burgut dhe gardianët. Me automatikë në duar, u binin bilbilëve si të tërbuar dhe na detyruan të futeshim brenda. E ndaluan këngën. Drejtori i burgut, rrethuar me togën e policëve na pyeste një nga një:
-Kush e filloi i pari këngën, kush ia mori këngës?
-Të gjithë bashkë ishim në këngë, të gjithë ia morëm këngës, të gjithë bashkë!” – ishte përgjigjja e të burgosurve.
Atëherë të gjithë nuk na merrnin dot, por veçuan prej nesh rreth 30 veta, që i kishin gjithnjë në shënjestër; dhe midis tyre edhe ish-ministrin e Arsimit, Gjergj Kokoshin, Abdulla Ramin, Ibrahim Biçakçiun, Qemal Vrionin edhe të tjerë, dhe pasi i urdhëruan të hiqnin këpucët, çorapet e xhaketat, i futën në birucat e mbushura me ujë të akullt. Këto biruca ishin të posaçme për tortura të tilla. i lanë me orë të tëra…”