Rrugëtimi i çamëve, patriotëve nga të gjitha trevat e shqiptarisë, këtë vit është kryer në vigjilje të marrëveshjes që Tirana po arrin me Athinën, ku mësohet se Çështja Çame është bërë kurban, ashtu si deti, në shkëmbim të një vule apostile. Mijëra shqiptarë kanë bërë sot homazhe në Varrezat e Kllogjerit, ku kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka mbajtur një nga fjalimet e tij më të ashpra, ndërsa është shprehur se Çamëria nuk mund të zgjidhet, nëse në tryezën e bisedimeve ulen njerëz që nuk i ka deleguar kush për të negociuar, por vetëm nëse përballë me grekët ulen vetë çamët.
Më poshtë gjeni fjalimin e tij të plotë të mbajtur në Varrezat e Kllogjerit.
https://www.facebook.com/pdiu.al/videos/1913737565332630/
Vëllezër dhe motra,
Kthehemi çdo vit në këtë vend, ku mesazhi që vjen nga të vdekurit shumë shpesh është më i kthjellët se sa ai i të gjallëve.
Vijmë këtu në çdo qershor që të vendosim një lule dhe të ndalojmë në heshtje për të kujtuar të parët tanë, të cilët nuk ikën nga kjo botë si gjithë të tjerët, por i vranë ata që na kanë pushtuar tokat, i vrau mjerimi dhe pamundësia e atij eksodi biblik.
Ne nuk ju harrojmë!
Ne jemi këtu për t’ju përjetësuar e për t’ju bërë të pavdekshëm.
Ne jemi këtu për t’ju takuar, për t’jua lehtësuar dhimbjen.
Ne jemi këtu e jam i bindur se ju doni të jemi pikërisht këtu sot.
Ne nuk ju harrojmë!
Ndaj, ju ftoj të gjithëve të mbajm një minutë heshtje!
I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre e Zoti i mëshiroftë!
Por, ajo çka është më e keqja sot, duan të na i rivrasin të parët tanë të Çamërisë me harresë.
Haresa është çelësi i suksesit që njohin qeveritë shqiptare për të gjetur fjalën me fqinjët e përtej kufirit.
Si nuk ndodhi një herë e vetme të ulen në bisedime si njerëz me dinjitet, të mbrojnë interesat e qytetarëve të tyre që garantohen me Kushtetutë?
Si ka mundësi që sa herë ulen të bisedojnë me grekun kanë vetëm një merak si ta kënaqin grekun…
Dhe ja si po e kënaqin përsëri; po duan ta harrojnë Çamërinë, nuk do e zënë më në gojë emrin “çam”.
Çamëria është peshë e rëndë dhe do burra, shtetarë e diplomatë si Mehdi Frashëri e Rauf Fico apo Fan Noli. Shkoni e lexoni mbrojtjen që ata i bënë Çështjes Çame në Gjenevë në Lidhjen e Kombeve e mësoni të uleni në tryezë me grekët.
Por, kuptoni qartë dhe prerë, askush nga nuk ju ka deleguar të drejtën të negocioni për Çamërinë, sepse as nuk mundeni e fatkeqësisht as nuk dini. Si mund të mjaftoheni pas pesë vjetësh duke thënë lehtësisht: Çështja Çame është çështje e të drejtave të njeriut, po Greqia nuk e pranon?
Po mirë, për të bërë ligjin për toponimet, ligjin për minoritetet, varrezat e turpit të ushtarëve grekë që erdhën si pushtues, për të mbajtur akoma Ligjin e luftës, greku bashkë me ju pranonit që nuk kishte problem.
Sovraniteti Kombëtar, Çamëria e identiteti kombëtar nuk negociohen, por zgjidhen me reciprocitet e dinjitet.
Që të zgjidhet Çështja Çame duhet të jenë në tryezë vetë çamët, Shoqata “Çamëria” e PDIU, se na është desh’ t’ju mesonim dhe historinë e Çamërisë, ngaqë nuk e kishit haberin… e pastaj do ta gjeni dhe forcën dhe argumentin.
Po si është e mundur që këta politikanë që i vërsulen njëri-tjetrit si të dehur nga hashashi e pushteti, shburrërohen e të mbesin në dorë, kur ulen me grekun…
Kështu duan të na e vrasin xhixhon dhe nunë, duke ju harruar emrin!
Por, pse mund të harrohen të rënët tanë që vijmë i takojmë përvit këtu në Kllogjer!
Mund të harrohen ata fëmijë kërthi që i vranë, i prenë i mbytën dhe i lanë pa një varr, vetëm se ishin çamë! Vetëm se ishin shqiptarë!
Kurrën e kurrës!
Qielli me tokën të puqet!
U mundua Napoleon Zerva dhe nuk ja doli!
U mundua Enver Hoxha dhe nuk ja doli!
E mendoni që do t’ja arrini me tradhëtinë ju tani e radhës mbi faktorin politik çam?
Po si ju shkon mendia, kur ne çamët kemi mbajtur mbi vete kalvare vuajtje e diskriminimi, ndërsa askush nuk na ka dhuruar as një gotë ujë… do na përulni ju?
Po shkoni more…
Ne jemi në këmbë të gjallë, krenarë që jemi shqiptarë të Çamërisë, pasardhësit e Pirros së Epirit, të Dora D’Istrias, Marko Boçarit, Abedin Bej Dinos, Xhavellës e Bubulinës, Hasan Tahsinit, Mitrush Kutelit, Koli Idromenos e Bilal Xhaferrit, si dhe të katër firmëtarëve të pavarësisë së Shqipërisë.
Jemi vendi i Tempullit të Dodonës e lumit Akheron, Çamikos e Osman Takës, një vendi me njerëz të pasur e krenar e kurrë shërbëtorë të askujt.
Vetëm një mundësi keni që ta bëni Çamërinë të harrohet, një dhe vetëm një; të na zhdukni nga faqja e dheut të gjithë ne çamët!
Pastaj të zhdukni fizikisht të gjithë patriotët e Shqipërisë, Kosovës, Diasporës!
Nëse na e merrni jetën të tërëve, po keni për t’ia dalë.
Por, sa kohë të jenë këto gurë varri, sa kohë të jemi ne gjallë që lutemi dhe kujtojmë shpirtrat e të parëve tanë, kurrë nuk do të na bëni ta harrojmë Çamërinë!
Sepse, Çamëria është toka që kanë pushtuar grekët, prandaj ne e duam!
Sepse, Çamëria janë shpirtrat e të rënëve tanë të masakruar, prandaj ne kurrë nuk do i harrojmë!
Sepse, Çamëria është amaneti që na kanë lënë nuja dhe ne nuk shuhemi pa e çuar në vend!
Sepse, Çamëria janë doket, zakonet, këngët, vallet, kultura jonë, ndaj ne nuk do rreshtim kurrë pa i lartërsuar!
Sepse, Çamëria janë kujtimet, rrëfenjat, historitë e shtëpive tona, ndaj ne kurrë nuk do i harrojmë!
Sepse, Çamëria jemi ne të gjallët, ndaj këtu do na keni!
Përballë, në këmbë, sy për sy e dhëmbë për dhëmbë deri në fund!
Vëllezër e motra,
Gjatë Javës Çame ritreguam historinë tonë, vlerësuam njerëzit që i janë bashkuar Çështjes Çame dhe ata që nuk i frikësoi trysina apo keqdashja e fqinjit tonë.
Një grup artitësh shkuan në Çamërinë tonë, ja atje përtej dhe pikturuan shtëpitë tona të mbetura gërmadha, të braktisura, sepse kanë frikë të na i zërë kush.
Treguam nëpërmjet patriotit Hektor Sejko me dëshmi dhe dokumenta se gjatë Luftës Antifashiste në Çamëri, të parët tanë zgjodhën armën kundër çizmes së pushtuesëve nazi-fashistë, jo si Napoleon Zerva apo gjyshi i Nikos Kotzias që u lidhën kokë e këmbë me Gestapon dhe hitlerianët.
Treguam se si donte të na harronte Enver Hoxha duke na e shuar farën nëpërmjet ish-Sigurimi i Shtetit.
Pamë me dokumente përndjekjen sistematike të çamëve, 54 burra të vrarë e të dënuar me 1500 vjet burg.
Dhe ja ku jemi sot, të mbijetuar në shtegtimin tonë në Qafë Botë, ku do nderojmë të rënët tanë e të ripërsërisim betimin për të punuar çdo ditë për të bërë të mundur kthimin në trojet tona e ndryshimin e rrjedhës së historisë për nga e drejta, nga respektimi i jetës dhe dinjitetit njerëzor.
Vëllezër dhe motra,
Gjatë gjithë kësaj kohe kam në kohë disa pyetje që ia kam drejtuar vetes shpesh e më shpesh:
A është kjo e jona një kauzë që popullsia çame e ndjen ende?
Përgjigjia jeni ju.
A është ende kjo padrejtësi që ngren peshë shpirtin e revoltën e pasardhësve të viktimave?
A do gjejmë mënyrën e duhur për ta përmbysur rrjedhën e historisë dhe të çojmë kah rrjedha e të drejtës njerëzore e europiane historinë tonë tragjike e të mbrujtur me padrejtësinë e fatit e me egërsinë e politikës së fqinjëve?
E pra, për gjithë këto pyetje kam vetëm një përgjigje të prerë: Po!
Po, unë besoj në kauzën çame!
Po, unë besoj që padrejtësia që ka dënuar çamët, e ngre lart shpirtin tonë të revoltës!
Po, unë besoj sot, më shumë se kurrë në zgjidhjen e plotë të Çështjes Çame!
Të dashur miq, kur për herë të parë më treguan varrezën masive të Kllogjerit, një masiv dheu që vendasit i thoshin nën zë “varret e ature…”, i dhashë një premtim vetes dhe dëshmitar kam Zotin: Këta njerëz do e kishin një varr të madh e që do bëhej tempulli ynë i përkujtimit.
Mbi varret e të parëve, në kujtim të jetës së tyre të marrë pa asnjë të drejtë, ne kemi ngritur veprën tonë të së ardhmes.
Sot, jam para jush e mbi të gjitha para Krijuesit me një premtim të mbajtur.
Varrezat e Kllogjerit janë realiteti më i dhimbshëm, por dhe më i vërtetë që na bashkojnë të gjithëve neve, shqiptarëve të Çamërisë, madje duke i kapërcyer dasitë.
Është një premtim që e kemi mbajtur të gjithë bashkë, duke u mbështetur çdo ditë në supin e njëri-tjetrit.
Kur Shoqata “Çamëria” gjakosej në derën e Kuvendit të Shqipërisë, u bë e qartë që politikës nuk i qëndrohet kokëulur, por përballë.
Në çastin, kur e lamë mënjanë konjukturën politike, interesat meskine të saj, ne ja dolëm, sepse nuk e lidhëm çështjen tonë pas pazareve të pushtetit.
Në atë çast fituam Rezolutën Çame në Parlament, i vetmi dokument zyrtar që e detyron shtetin shqiptar të kërkojë në çdo tryezë qeveritare dhe në çdo nivel zgjidhjen e Çështjes Çame.
Prandaj edhe sot, jashtë konjukturës, jashtë pazareve të ulëta që shpikin çdo ditë sallonet e politikës shqiptare, jam i bindur që ne do e çojmë deri në fund Çështjen Çame!
Shumë prej jush mund të më pyesë sot se si do e zgjidhim heshtjen e dhjetra viteve, frikën e drojën që shteti shqiptar tregon sa herë qe del para tyre zgjidhja e çështjes tonë?
Ja pra, ku jemi edhe sot para një marëveshje dhe prapë kanë heshtur, kanë qepur gojën. Prandaj, shumë kush mund të thotë: Si do t’ia bëjmë?
Sot, po ju them, që vetëm një përgjigje kemi: Të çohemi në këmbë!
Dhe jo një herë, si jemi sot, këtu në Kllogjer, por dhjetra herë, veç për të zgjidhur njëherë e mirë ngërçin, ku e ka futur politika e mbrapshtë e fqinjit dhe sejmenëve të tyre në shtetin shqiptar çështjen tonë!
Kujtuam se u trimëruan këta tanët në politikën shqiptare, por këta e paskan lepurin në bark të madh sa s’ka.
Ndaj, të gjithë bashkë, ne çamët, shqiptarët e mirë patriotë kudo që janë, do mund ta zgjidhnim njëherë e mirë padrejtësinë e kryer.
Por, ja ku po ju them se tradhëtinë e nënshtrimin e radhës të shtetit shqiptar ndaj fqinjit, do i përgjigjemi vetëm me një kryefjalë dhe kusht të vetëm për bashkëpunim; një program të përbashkët, ku zyrtarisht të kërkohet nga shteti shqiptar zgjidhja e kësaj çështje pranë insitucioneve të së drejtës Europiane.
Ky është premtimi im, por vetëm bashkë me ju do mundim t’ia dalim.
Çdo ditë e lus Zotin që së bashku me ju, të gjejmë forcë, energji, frymëzimin për t’u ringritur e për të mbajtur gurin e rëndë të tragjedisë sonë kolektive, që me apo pa dëshirë të gjithë do duhet ta çojmë deri në majë.
Vetëm pasi ta kryejmë këtë punë mund të vimë këtu në Qafë Botë ballëhapur!
Vetëm pasi ta zgjidhim këtë mund të shkojmë në shtëpitë tona të qetë.
Dhe jo në shtëpitë që kemi këtu në këtë anë të kufirit, por në shtëpitë tona atje, ku tokës i thonë Çamëri!
Rroftë Çamëria!
Rroftë Shqipëria!
https://www.facebook.com/pdiu.al/videos/1913737565332630/?notif_id=1529771705263681¬if_t=live_video_explicit