Nga Iva Tiço
Në morinë e titujve të portaleve, që gjatë ditës së dielë bëjnë çmos për të marrë klikime njerëzish, që janë duke u shullyer buzë detit, më bëri përshtypje një lajm, sipas të cilit një baba kërcënonte se nuk do e qaste në shtëpi të bijën… Si gjithë lexuesit e të dielës, edhe unë klikova sipër, për të lexuar ndonjë dramë familjare, telenovelë me personazhe realë, për të zbuluar më pas se, në fakt, lajmi ishte shumë më i bukur sesa këto historitë banale: një zotëri, në programin e Ardit Gjebresë, kishte thirrur të bijën që jetonte në Itali dhe ishte e martuar me një italian dhe veç falenderimeve dhe dashurisë së një ati, i kishte kërkuar që t’i mësonte të birit patjetër shqipen. I kishte vënë edhe afat, deri në fund të vitit, më duket, duke e “kërcënuar” se përndryshe mos të guxonte të shkonte në shtëpinë e tij (kjo pjesë më kishte ngatërruar në tituj).
Kolegët e mi të portaleve ndoshta do merrnin të njëjtat klikime, në mos edhe më shumë, nëse nuk do abuzonin me titullin. Sepse çdokush nga ne njeh ndonjë gjysh në moshë të thyer, që bën përpjekje titanike për të bërë ndonjë përshëndetje në anglisht, italisht, gjermanisht dhe edhe në gjuhë të rralla për të folur me nipër e stërnipër nëpër botë dhe në fund pasi nuk kuptohet me fjalë, merret vesh vetëm me gjuhën e dashurisë, të mallit, të lotëve. Po ashtu, çdokush prej nesh njeh shumë prindër, që mes vështirësive të jetës në emigracion, ia dalin të gjejnë kohën t’u lexojnë fëmijëve libra në shqip, të këmbëngulin e t’u flasin
shqip edhe kur fëmijët e tyre janë në moshën kur nuk duan të ndihen ndryshe nga shokët dhe duan të fshehin çdolloj prejardhjeje të ndryshme nga të tjerët, apo prindër që blejnë abonime satelitore, vetëm që në shtëpitë e tyre të dëgjohet shqipja, apo që sakrikojnë pushimet e vetme vjetore që mund t’i bënin nëpër resorte luksoze, për t’i sjellë fëmijët në vendin ku ajo gjuhë është e gjallë, edhe pse fëmijët mund të mos kenë lindur këtu e ndoshta nuk kanë asnjë plan të vinë kur të rriten.
Nuk është thjesht patriotizëm. Eshtë vetëdije për gjuhën, për atë që të bën t’i përkasësh një kombi. Kemi një farë kompleksi ne shqiptarët, kur vjen puna tek shqipja. Në rastin më të mirë themi që i urrejmë patriotizmat për gjuhën, pasi propaganda
pesëdhjetëvjeçare dhe filmat me sakrificat e Rilindasve (atyre prej vërteti) na e kanë sjellë në majë të hundës dhe na kanë bërë të zgjedhim ekstremin tjetër. Dhe në rastin më të keq, kryesisht nga padija dhe injoranca, themi se shqipja është një gjuhë e varfër,
që nuk na i thënka dot të gjitha! Nuk kam për qëllim të bëj një shkrim si i leksionet që kam bërë në shkollë, ku vërtetohej që shqipja është një nga gjuhët më të pasura dhe më të vjetra në botë. Veçse teksa mendoja për zotërinë që i lutej të bijës që t’i mësonte mirë fëmijës gjysmë-italian shqipen, nuk mund të mos më shkonte mendja tek dhjetëra fëmijë miqsh, të njohurish dhe kushërinjsh të mi, që nëpër shkolla private apo shtetërore të shoqëruara me kurse private gjuhësh të huaja, e kanë zëvendësuar shqipen me kohë me anglishten, edhe pse jetojnë në mes të Tiranës. Jo thjesht fjalët, që u vijnë fillimisht në anglisht, por dhe struktura të tëra fjalish, ç‘ka nënkupton që ata mendojnë në anglisht dhe kur flasin me ne, thjesht përkthejnë fjalë për fjalë. “E ç‘u duhet? As kanë për ta përdorur kurrë”, më thonë shumë prej prindërve, teksa tregojnë plane për shkollimin e tyre jashtë dhe se si edhe unë do mendoj po si ata, kur të bëhem vetë me fëmijë dhe se si kjo puna e gjuhës shqipe më dhimbset vetëm mua dhe një dore njerëzish që kemi shkollimin apo punën të lidhur me të, por për pjesën tjetër është vetëm një mënyrë për t’u marrë vesh.
Nuk mund të kthej tryezat e miqve në panel diskutimi televiziv, nuk më ka lënë mendja ta bëj këtë. Për më tepër që një mikeshë që më thotë të njëjtin argument, se fëmijëve nuk ka ç‘u duhet shqipja, e ka gjithashtu shkollimin dhe punën si pedagoge,
ngushtësisht të lidhur me gjuhën shqipe, por është krejtësisht e dorëzuar para anglishtes së dy fëmijëve të saj dhe shpirtit të tyre praktik, për të futur në kokë vetëm gjërat që u hyjnë në punë ose që i zbavisin. Nuk mund t’u mbush mendjen as me vjershat e Naimit, as me “Udhën e Shkonjave” e Dhaskal Todrin. Në fund të fundit, kjo është puna e Ministrisë së Arsimit dhe asaj Akademie Shkencash që është ka ekzistuar më kot, pa shpënë as shkencën përpara, por dhe pa mundur të mbrojë atë që është bërë deri tani.
Megjithë ndrojtjen për t’u shfaqur si patriote – patetike (se dhe unë futem në kategorinë e atyre që pasi kanë mësuar Naimin me zor përmendësh, u vjen turp të dalin ta citojnë tani), nuk do doja që dhe Ministria e Arsimit ta ketë marrë me kaq mendjelehtësi këtë punë, po aq sa prindërit, që në fund të fundit janë në të drejtën e tyre të vendosin ç‘të duan. Në progamet mësimore të shkollave private do të mund të punohej në atë mënyrë, që edhe kur lëndet si matematika, fizika e kimia bëhen në anglisht, së paku të arrihet që fëmijët ta përvetësojnë më së miri gjuhën shqipe dhe t’u nxitet dëshira për të lexuar libra shqip. Vetëm Ministria e Arsimit e ka për detyrë që “gjuha jonë sa e mirë” të mos jetë thjesht një varg më shumë i njërës prej vjershave të mësuara përmendësh si detyrë klase…. Duhet të bëjë dhe ajo së paku po aq sa ata emigrantët, si ai zotëria dje në emision, për të cilët kjo gjuhë është jo vetëm e mirë, por e vetmja gjë që i bashkon me njerëzit e tyre dhe i bën të ndihen pjesë e një kombi.