Nga Alma Nikolli
Pa u menduar shumë, pa tentuar të jemi në vendin e tjetrit, me të parë një sjellje, veshje apo komunikim të “dalë jashtë mode” apo që s’ka qenë kurrë “trend”, ne shqiptarët direkt të klasifikojmë. Në heshtje, gati të gjithë kemi rënë dakord mbi kuptimësinë “kombëtare” të disa fjalëve a fjalive që ia veshim kujdo me një vështrim të vetëm.
Një i ri i ardhur para pak vitesh nga fshati, i “gatuar” fshatçe e qytetçe me popullësinë e përzier të Tiranës, i rri indiferent kushëririt a ish-fqinjit të dikurshëm duke e parë shtrembër pas syzeve të errëta, e duke e quajtur katunar.
Ky qytetari me syze të errëta pak më vonë përballet me një menaxher që po tenton t’i shesë një “mall firmato”, e ky kinse i pakënaqur me cilësinë largohet me stil. Fill pas daljes së tij menaxheri me shitësit komentojnë: “Katunari me syze fallso dhe bën sikur ka lekë të blejë tek ne”.
E kështu zinxhir. Të gjithë janë katunarët e dikujt. Në parukeritë modeste të lagjeve ku herë nuk bën tharësja se nuk ka drita, e herë uji mungon, katunarja është ajo që del e fundit. Që nga muzika që dëgjon, modelet e flokëve që kërkon, vendet që viziton apo fotot që poston.
Në sallonet “aristokratike” të lagjeve ku jetojnë familje të nderuara, dritat nuk fiken, tharëset sikur bëjnë më pak zhurmë dhe intelektualet hyjnë e dalin pa frikën se do të përgojohen aty për aty. Thashethemet bëhen në qarqe më të zgjeruara. Si u vesh filanja në iks shfaqje teatri a opere, komentohet mes dy-tre prej tyre teksa në bregun e detit lexojnë bashkarisht romanet që u diskutuan si më të mirët në parukeri.
Burrat kanë edhe ata vendet e tyre. Ata “normalët” në lotarinë, zgarën a bilardon e lagjes. Në klube striptizmi e tallava ç’edukojnë shijet dhe zbrazin xhepat. Pastaj vinë në shtëpi e “armatosin” gratë me thathetheme të mjaftueshme për ta shtyrë ditën nesër.
Burrat intelektualë tashmë e kanë tejkaluar fazën private të të bërit thathetheme, i gjen kudo në media. Ata ushqehen me muzikë klasike, vishen me shije dhe nuk lënë para në loto duke përfunduar të dehur me raki. Ata i harxhojnë paratë intelektualisht, në kazino. Dhe ashtu si të parët kanë për gratë e tyre histori interesante…që do t’i bëjnë të fërkojnë duart dy-tre mikesha të nesërmen.
Në thelb secili nga dy llojet e thashethemexhinjve është një qenie afërpamëse. Të dy këta lloj shqiptarësh janë e keqja e vet dhe e tjetrit. Kushdo që është një “unë” është dhe një “tjetër” dhe kjo luftë e nëndheshme komentesh nga katunarët, për katunarët s’ndalet. Por nëse “i pashkolli” merret me llafe nga padija, intelektuali e bën nga zilia, xhelozia dhe babëzia…e kjo e dyta fatkeqësisht nuk ç’mësohet…as duke lexuar Dostojevskin, as duke dëgjuar Verdin.