Reagim ndaj komenteve të zotit Berisha në ABC News të datës 30.1.2018
Nga Petrit Kasemi*
Komunikimi ndër shqiptar, sot falë transmetimeve live, mundëson jo vetëm opinionin e brëndshëm në Shqipëri për t’u informuar, por është edhe një mundësi e madhe, që shqiptarët kudo në botë, përfshirë dhe ata që kanë marrë pjesë në politikën dhe diplomacinë shqiptare te viteve të ndryshme, të dëgjojnë se çfarë thonë dhe komentojnë liderët politikë sot në Tiranë.
Si një ish-diplomat në qeverinë e parë Berisha, konsumova kohën duke ndjekur me përqëndrim dhe me interes të veçantë debatin televiziv, të ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit, Sali Berisha, me gazetarët Lorenc Vangjeli dhe Baton Haxhiu. Sinqerisht, u indinjova thellë, kur ish-kreu i shtetit komenton Ligjin e Luftës dhe Traktatin e Miqësisë me Greqinë, si një dokument historik dhe meritë e tij, madje duke mos e thënë të vërtetën, duke pretenduar se, ky dokument është firmosur nga vetë ai. Kështu deklaroi i ashuquajturi “historik”, gazetarëve në studio para shikuesve shqiptarë. E dëgjuam edhe ne ish-specialitët, ku bëj pjesë edhe unë, që jemi marrë direkt me hartimin dhe finalizimin e këtij dokumenti bazal, për marrëdhëniet e fqinjësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Prisja që të shikoja një Berishë tjetër, nga ai që kam njohur deri më 1997. Por së paku, pozita e tanishme dhe gjithë koha që ka kaluar, dëmet që ai i ka bërë diplomacisë shqiptare, duhet të kishin shërbyer si reflektim në ndërgjegjen e tij. Por, më rezultoi ai që kam njohur, një demagog i pandreqshëm.
Jo zoti ish-President! Nuk është e vërteta e këtij dokumenti, ashtu siç jua servirët shqiptarëve në këtë emision televiziv. Na detyrove, por njëkohësisht, ka ardhur koha të dëshmojmë, e t’u themi gjithë shqiptarëve, se cila është e vërteta. E ndjej si detyrë dhe përgjegjësi kombëtare ta bëjë këtë reagim.
Tirana dhe Athina zyrtare vendosën për herë të parë më 1996, të nënshkruajnë një document, ku të shprehen dhe formulonin më së fundi vullnetin e mirë, për të arritur një dokument të munguar, që do të institucionalizonte dhe kodonte marrëdhëniet e dy vendeve fqinjë, për një periudhë 20 vjeçare. Kjo u prit mirë nga të dy vendet tona. Ishte rasti më ideal, që të shfrytëzonin këtë moment duke ju dhënë popullit tonë dhe atij grek, atë që duhet. Mungesa e sinqeritetit dhe fryma e një besimi të ndërsjelltë, e shfaqur në tërë historinë e dialogut bilateral, kishte nevojë dhe shtronte si domosdoshmëri, për preçizime politike zyrtare dhe vullneti të mirë, të shprehura në Traktatin në fjalë, si rrugëzgjidhje për çështjet dhe problemet e pa zgjidhura që trashëgojnë vendet tona, nga e kaluara deri më sot. Por, nuk ndodhi kështu. Pala greke e parashtroi një draft, ku ajo po kërkonte t’u shmangej përgjegjësive. Në disa pika ajo kishte formuluar interesa që binin ndesh me realitetin historik të këtyre marrëdhënieve. Ishte më tepër një grumbull frazash standarte, sikur kishim të bënim me një situatë midis dy vendeve të largëta.
Po pala shqiptare si veproi?
Sipas procedurave të rastit, gjëja e parë që u kalua në filtër, për shqyrtim apo propozim të gjitha hallkave të Ministrisë së Jashtme, ishte kalimi i këtij drafti grek tek të gjitha drejtoritë e institucionit tonë. Egzistojnë dokumenta të plota e të pa kundërshtueshme, që disponohen për atë kohë, se Ministria e Punëve të Jashtme, drejtoritë e saj politike, rrëzuan shumë pika të draftit grek, si të papranueshme për ne, sepse nuk i përgjigjeshin marrëdhënieve reciproke dhe mbi të gjitha dëmtonin rënd çështjen tonë kombëtare.
Për rrjedhojë, ministri ynë i Jashtëm në atë kohë, zoti Alfred Serreqi, urdhëroi të formulohej një draft shqiptar. Pa pritur përfundimin e këtij drafti nga ne, këshilltari diplomatik i Presidentit Berisha, zoti Fatos Beja më telefonoi dhe kërkoi takim urgjent në ambjentet tona të Ministrisë së Jashtme. Ai më përcolli mesazhin se për dy ditë duhej gati Traktati i Miqësisë, mbasi do të vinte për vizitë Presidenti i Greqisë, zoti Stefanopullos dhe me këtë rast do të nënshkruhej një dokument për marrëdhëniet shqiptaro-greke. I raportova këshilltarit, se drafti grek është rrëzuar nga ne dhe duhet, që për pikat e papranueshme, të formulohet edhe varjanti ynë përfundimtar. Pa pritur, zoti Beja reagoi në mënyrë të paprecedent, duke kërkuar paraqitjen e draftit grek si të pranueshëm për të dyja palët. Arsyeja? Se nuk premtonte koha!!!
Duke shtuar më tej presionin, pa pritur kërkoi që të shkonim së bashku tek zëvendësministri zoti Arian Starova, në një kohë kur zoti Serreqi si ministër, po konsultohesh direkt me ne për këtë problem.
E habitshme!!! Përse tek zëvendësministri dhe jo tek ministri?. Zoti Starova na priti menjëherë dhe i shqetësuar dëgjoi mesazhin dhe presionin e Presidentit Berisha, i cili nëpërmjet këshilltarit të tij, i kërkonte me ngut Ministrisë së Jashtme që të finalizonte draftin grek!!!
Zoti Beja reagoi fort duke thënë: “Serreqi ka marrë urdhër, që të mos ketë asnjë diskutim dhe menjëherë të njoftohet ambasada greke, se pala shqiptare është dakord të pranohet drafti grek, si dokumenti përfundimtar”. Beja shkoi edhe më tej duke iu drejtuar zëvendësministrit: “Si lejoni ju këto sygjerime që më raportoi Petriti, kur kemi urdhëruar që kjo çështje nuk pranon më diskutim!!!”.
Mbeta i shokuar, nga kjo ndërhyrje e paprecedent e Presidentit të Republikës, që nëpërmjet këshilltarit të tij, po ushtronte presion mbi diplomacinë, duke dëmtuar rëndë interesat tona kombëtare. Në këtë situatë të rëndë zoti Starova vuri në dijeni, “se ne kemi rezervat tona në shumë pika për draftin grek dhe prandaj, po bëjmë sygjerimet tona të domosdoshme. Dhe më tej zoti Starova shtoi: “Nëse zoti Berisha kërkon me ngut një draft të tillë, ju lutemi le të na urdhërojë me shkrim, që unë të ta delegoj pastaj tek Drejtoria e Ballkanit dhe specialist për të rënë dakord”.
Këshilltari Beja, kërcënoi zëvendësministrin duke i thënë: “Si guxoni ju, t’i kërkoni Presidentit të Republikës me shkrim një urdhër të tillë, kur ai vetë do ta firmosë këtë Traktat?!!!”
Si specialist direkt për këtë çështje, i revoltuar reagova për të mos pranuar presione dhe urdhëra të kësaj natyre. Në mbështetje të zotit Starova ndërhyra duke thënë: “Zoti zëvendësministër ka plotësisht të drejtë. Ne nuk mund të paraqesim si draft tonin, vetëm interesat e palës greke. Ne si qeveri demokratike kemi në program midis të tjerave dhe mbrojtjen e Çështjes Çame. Duke pranuar draftin grek ne i dëmtojmë rëndë çështjet në fjalë.”
“Jo, – i thashë prerë, nuk mund ta pranojmë si draft shqiptar variantin grek”.
Këshilltari Beja duke vazhduar me arrogancë u drejtua ndaj meje si specialist referent për marrëdhëniet shqiptaro-greke, duke më thënë: “Dil përjashta!!!”.
Duke marrë pëlqimin edhe të zotit Starova u largova nga zyra e zëvendësministrit i fyer, por edhe njëkohësisht i bindur në veten time se mbajta qëndrimin e duhur dhe e ndjeja si detyrë që çështjet e tilla duhen mbrojtur pa kompromis, kur dëmtohej çështja kombëtare. Mbas largimit të zotit Beja, zëvendësministri më thirri përsëri në zyrën e tij dhe më la si detyrë që të pranonim e të paraqitnim draftin e urdhëruar nga lart, (draftin grek). Duke parë dorëzimin e zotit Starova para presionit Berisha, kuptova që përgjegjësia po binte mbi Drejtorinë tonë për Ballkanin. Atëherë, gjykuam së bashku me drejtorin tim, të ndjerin zotin Eqerem Meta, të gjenim një rrugë dalje përballë këtij presioni të zotit Berisha. E vetmja pikë reale dhe me vlerë afatgjatë që rezultoi pozitive, ishte ndryshimi dhe riformulimi nga ana e Drejtorisë tonë e Nenit 15 të këtij Traktati, një fakt i pakundërshtueshëm, që hedh poshtë sot, pretendimet e zotit Berisha, se është ai formuluesi i këtij neni. E denoncoj me forcë këtë mashtrim mediatik të zotit Berisha, sepse ishte insistimi ynë dhe i jo i Berishës, varianti përfundimtar shqiptar, me të cilin variant, u sanksionua detyrimi i palëve për njohjen e të drejtave pasurore. Ky nen për hir të së vërtetës historike i është imponuar në minutën e fundit ambasadës greke në Tiranë në ecejaket e saj për të sqaruar se çfarë kuptonte pala shqiptare me disa pika të draftit, përfshirë edhe këtë nen. Formulimi ynë nuk ishte pranuar nga pala greke deri në ato moment, por ishte sygjeruar një formulim grek i papranueshëm për pretendimet pasurore, por edhe i qëllimtë. Propozimi grek nuk i përgjigjej realitetit të bllokimit të këtyre pasurive dhe e trajtonte jo si detyrim, por si mundësi zgjidhjeje. Vendosmëria e diplomatëve shqiptarë të Drejtorisë së Ballkanit, të cilët morën personalisht riskun në momentet e fundit dhe duke dalë edhe kundër urdhërit të dhënë, duke bërë përpjekje që të kemi sot një sanksionim më të qartë për njohjen dhe zgjidhjen e të drejtave pasurore, ku të dyja palët marrin përsipër detyrimin të heqin pengesat ligjore për të dyja palët.
Kjo vendosmëri ishte edhe një vlerë e madhe për t`i hapur rrugën Çështjes Çame, të anashkaluar e injoruar në draftin grek që na imponohej nga ky mashtrues mediatik me emrin Sali Berisha. Gjithashtu, ndërhyrja jonë brenda këtij neni, preku direkt dhe insistoi në heqjen nga pala greke të Ligjit të Luftës, si pengesë kryesore për njohjen e të drejtave pronësore të shqiptarëve në përgithësi, por dhe rrjedhojat negative që sillte ky ligj në dëm të Çështjes Çame. Kjo çështje u mundësua që të gjente nën këtë nen një zgjidhje bashkë me Ligjin e Luftës.
Një ditë përpara vizitës, ambasada greke në orët e vona të natës kërkoi përsëri një takim urgjent. Sekretari i kësaj ambasade, zoti Jandaj na bëri me dije se kishte dalë një problem i madh ligjor për palën greke. Kushtetuta greke, nuk parashikonte që Presidenti grek të firmoste një Traktat Miqësie jashtë vendit, por i takonte një rangu tjetër më poshtë. Mbas njoftimit të palës greke, morëm kontakt të menjëhershëm me ministrin Serreqi, për ta informuar, për atë ç’ka pretendonte pala greke, se do të firmoste ministri i Jashtëm zoti Pangallos. Reagimi i tij ishte i menjëhershëm duke na thënë i revoltuar: “Përse duhet të firmos unë?” e më pas, kërkoi që të komunikonim direkt me ambasadën tonë në Athinë, e cila të na faksonte Kushtetutën greke, për t’u bindur, nëse pretendimi i palës greke qëndronte. Atë çast, kuptuam se kishte filluar një konflikt i hapur, midis institucionit të Presidencës dhe ministrit të Jashtëm për çështjen në fjalë. Pra, po bëhej e qartë se anashkalimi i ministrit Serreqi, nga ana e këshilltarit Beja për pranimin nga ana jonë e draftit grek duke u imponuar kanalit të zëvendësministrit zotit Starova, ishte një përpjekje e juaj zoti Berisha në dëm të çështjes shqiptare, të cilën nuk mund ta gëlltiste zoti Serreqi, sepse e ndjente veten shqiptar dhe si i tillë e kishte të vështirë të pranonte, të bëhej thika pas shpine e çështjes kombëtare.
Për dijeni të opinionit publik shqiptar, të dyja palët përpiluan dhe firmosën kështu më datën 21 mars 1996, në prani të dy delegacioneve të udhëhequra nga Berisha e Stefanopullos, si dhe në prani të mediave, një Traktat Miqësie. Diçka e pazakontë, do të mbahet mend nga kjo vizitë e nivelit të lartë, ku me këtë rast, u nënshkrua një dokument historik midis dy vendeve, të mos jepej asnjë konferencë shtypi. Protokolli i Presidencës bëri shumë kujdes në atë kohë, për të shmangur ballafaqimin me mediat e vendit dhe ato të huaja të pranishme.
Dhe ishit pikërisht ju, zoti Berisha, që urdhëruat këshilltarin tjetër tuajin filogrekun, Genc Pollo, që të deklaronte me gotën e shampanjës, se nuk është parashikuar një konferencë shtypi për gazetarët, duke mos u dhënë mundësinë mediave, të bënin pyetje rreth këtij dokumenti bazal shqiptaro-grek.
Dalja juaj zoti Berisha, si në të shkuarën edhe sot në televizionet shqiptare, për të deklaruar se jeni pikërsisht ju ai, që paskeni luftuar për të realizuar një marrëveshje me Greqinë, për të mirën e çështjes shqiptare, në një kohë, që rezulton e kundërta, tregon se jeni po ju dëmtuesi më i madh i saj.
* Petrit Kasemi, ish-diplomat dhe specialist i marrëdhënieve shqiptaro-greke në Ministrinë e Punëve të Jashtme më 1992-1996.