Ka than' i moçmi: 

"Sod nuk don me dijt kush si je, po si dukesh e si paraqitesh."

- Anton Harapi

Për të rinjtë që duan të bëhen si Rama, Berisha e …

Nga Media 0

Nga Luljeta Progni

Nëse pyet një të ri në PS, i cili sapo ka nisur karrierën: Cili është modeli juaj në politikë? – padyshim që do të thotë: Edi Rama. Nëse pyet një tjetër në PD, pa asnjë dyshim që do të thotë si Sali Berisha, e nëse pyet një tjetër në LSI, gjithashtu do të thotë si Ilir Meta.

Në këto zgjedhje ka shumë të rinj nëpër listat e kandidatëve për deputetë. Ata të gjithë “do të bëhen” si Edi Rama, Ilir Meta, Sali Berisha (ndoshta ndonjë mund të zgjedhë edhe Lulzim Bashën). Po çfarë përfaqësojnë këto modele? A është ky realiteti i politikës shqiptare pas 27 vitesh në pluralizëm, apo personazhet e një drame që po ndodh në Shqipëri. Ky epilog, kjo skenë e fundit (në qoftë e fundit) mund të jetë edhe fundi i shpresës tonë për një Shqipëri demokratike, për një vend normal për fëmijët tanë.

Sepse, Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta, Lulzim Basha e lukunitë që i rrethojnë janë projektuesit e këtij vendi, i cili pa mëdyshje është vendi më i korruptuar e më i varfër në Europë, vendi ku mungon liria e dinjiteti i çdo qytetari. Shoqëria shqiptare ndjehet e skllavëruar, e marrë peng nga kjo elitë oligarkësh të lidhur këmbë e krye me krimin, përmes të cilit qeverisin nëpërmjet aferave korruptive.

Ky grup njerëzish, që na drejton prej 27 vitesh, autorët e akteve të mbrapshta të 1997, një viti më pas 1998, të Gërdecit, 21 janarit e kështu me radhë janë po ashtu administratorët e pothuajse të gjitha pasurive kombëtare, të bllokimit të Shqipërisë në rrugën drejt bashkimit me kombet e tjera europiane, janë arkitektët e projektit për ta kthyer Shqipërinë në vendet më të prapambetura. Ia kanë dalë ta skllavërojnë çdo shqiptar edhe përmes mediave apo “shoqërisë civile”.

Ia kanë dalë të na skllavërojnë, sepse ushtria e tyre e përhershme e servilëve, militantëve dhe kriminelëve vendos për ne para se fleta e votimit të futet në kuti. Ushtarët e tyre gjenden në pikat më nevralgjike të institucioneve shtetërore, gjykatave e mediave. Qytetarët e ngujuar brenda këtij sistemi, të heshtur dhe të kërcënuar çdo ditë edhe për shërbimet më jetike nuk kanë më asnjë mundësi zgjedhjeje, përveçse Edi Ramës dhe gjithë klonimeve të tij në PS, Ilir Metës e të gjithë klonimeve të tij në LSI, e kështu njësoj edhe Sali Berishët e PD-së.

Mbetemi spektatorë të lojës së ndyrë të këtyre “politikanëve” që  prodhojnë konflikt sa herë ju nevojitet, për ta mbajtur peng Shqipërinë, që të na mbajnë ne peng. Jo se kanë konflikt mes tyre. Aspak. E mbajnë gjallë konfliktin, sepse iu shërben interesave të tyre, sepse për ta konflikti është garant i imunitetit të tyre, është një batak, ku mund të vazhdojë cikli i tyre i shumimit. Aty, në batak, janë bashkë të gjithë, duke bërë marrëveshje për të mos u marrë vesh, kur është fjala për të mirën e shoqërisë shqiptare.

Kanë tre muaj që e mbajnë vendin në një krizë që i kushton shumë vetëm qytetarëve, atyre që përpiqen të jetojnë me djersë. Kanë tre muaj që bëjnë zhurmë mediatike me gjoja nevojën për zgjedhje të lira, e më keq akoma me vetting-un.

Është fyerje e madhe të besojmë se Berisha kërkon zgjedhje të lira e Edi Rama kërkon vetting, dhe po ashtu anasjelltas. Nuk ka mundësi të pranojmë, se Edi Rama e dëshiron vërtet vetting-un, duke e përmendur nëpër ekrane televizionesh gjithë ditën, ndërsa me këtë kartë mban të ndezur krizën politike. Është po aq e pabesueshme që Sali Berisha përmes Lulzim Bashës mban të ndezur krizën politike, duke kërkuar zgjedhje të lira. Nuk mund ta besojmë për një arsye fare të thjeshtë: Edi Rama pati katër vjet kohë të vinte në vend drejtësinë për korrupsionin e kryer në tetë vite nga qeveria Berisha dhe nuk hodhi as më të voglin hap. Përkundrazi, qeverisi për katër vjet në po atë rrugë korrupsioni, madje  me shifra të padëgjuara më parë. Nëse do të ketë vërtetë vetting, së pari do të veprojë mbi të.

Ndërkohë, çadra e Berishës që po menaxhohet nga Lulzim Basha, kërkon zgjedhje të lira, por s’mund ta harrojmë se për 27 vite, vetë ai është autori i dhunimit të votës së lirë brenda partisë së tij dhe jashtë saj.

Dje, ishte gjoja afati i fundit për një marrëveshje mes palëve pas ndërhyrjes së zyrtarit të lartë amerikan Hoyt Brian Yee. Ndodhi ajo që pritej në fakt, Lulzim Basha “e pranoi” Paketën McAllister për zgjidhjen e krizës, ndërsa Edi Rama nuk e pranon atë paketë që vetë e kishte pohuar pak ditë më parë.

Kjo lojë e ndyrë luhet përsëri nga ata, të cilët kanë bërë të vriten mijëra shqiptarë dhe nuk iu ka hyrë gjemb në këmbë kurrë. Asnjë politikan nuk është dënuar, megjithëse na kanë qeverisur me korrupsion në shifra rekord në të gjithë botën. Nëse i kemi duruar deri më sot këta dhe etërit e tyre, nuk duhet të durojmë më pasardhësit e tyre: Edi Ramat, Sali Berishat, Ilir Meta… Duhet t’ju tregojmë të rinjve se “të bëhesh” si ata, përfundon në sallën e gjyqit dhe jo në vila miliardash e makina luksoze. Duhet t’ju tregojmë te rinjve që të zhvatësh e nëpërkëmbësh popullin tënd nuk është burrëri e as nder. Nuk mund të jemi më memecë, gojëmbyllur, pa liri e pa dinjitet, sepse turpi i tyre, është turpi ynë.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej