Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Gara për të shpjeguar atë që nuk do të ndodhë!

Nga Media 0

Nga Alfred Peza

Ka një nxitim të shfrenuar të gjithkujt këto orë, që ka mundësi të shprehet diku, për të ofruar me siguri absolute, skenaret që pritet të ndodhin menjëherë pas refuzimit që Ilir Meta i bëri dekretit për emërimin e Sandër Lleshit ministër i Brendshëm. Kurrë nuk kish ndodhur më parë, që Presidenti të kthente mbrapsht një propozim si ky, nga Kryeministri. E duke qenë se kjo situatë është krejt e ndryshme nga shumë të tjera, atëherë nxitimi për të ofruar skenare të njëjtë politikë me ato që mund të kenë ndodhur deri më sot, mund të rezultojë në fund, i gabuar.

Ajo që ka ndodhur këtë radhë, ka disa specifika që e bëjnë unike në llojin e vet, këtë qasje të paprecedentë të kreut të shtetit ndaj Kushtetutës, Parlamentit, vullnetit politik të mazhorancës dhe legjitimitetit të saj. Më shumë se për çdo gjë tjetër, ky moment ka nevojë për transparencë me opinionin publik, për qetësi dhe maturi. Aq më tepër në një situatë si kjo, kur çështje të natyrave thelbësore të funksionimit të demokracisë, shiten si çështje proceduriale; ose përplasjet për interesa të pastra politike, mundohet që të fshihen pas interpretimeve të ndryshme që i është dashur të bëjnë në kohë të ndryshme, të njëjtës frymë dhe gërmë të Kushtetutës.

Njoftimi se kreu i shtetit refuzoi propozimin e Kryeministrit, për shkak se “nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së zotit Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm”, më shumë se përshkruan tablonë e madhe të asaj çfarë ndodhi, duket thjeshtë si një diçiturë e saj. E në vend që ta sqaronte, kjo e ka shtuar edhe më shumë misterin e situatës. Duke qenë se është hera e parë, që një President refuzon të dekretojë një ministër të propozuar nga Kryeministri, precedenti dhe kazusi i krijuar, gjithmonë kanë nevojë më e pakta, për një sqarim të thelluar dhe shterues. Aq më tepër që, kur Presidenti kthen një ligj të Parlamentit, në çdo rast ky vendim shoqërohet më një shpjegim shumë të detajuar të arësyeve që e çuan atë, drejt këtij hapi.

Sipas “Zërit të Amerikës” ky qëndrim i Presidentit “rrezikon që sipas të gjitha gjasave, të hapë një konflikt kostitucional, dhe një përplasje të fortë me qeverinë, në kushtet kur Gjykata Kushtetuese është jashtë funksioneve.” Pyetja që lind pas kësaj është, se çfarë pritet të ndodhë një ditë më pas. Për kampin e shumicës sigurisht që e gjitha kjo nuk ishte një befasi. Pas pushimeve verore, ka kohë që qarkullon nëpër Tiranë, skenari sipas të cilit pritej të kishte një polarizim ekstrem politik, e shoqëruar me shpresat e të interesuarve, që gjërat të shkojnë deri në një pikë, sa mund të mos i kontrollojë dot më askush.

Një nga skenarët e parë që qarkulloi pas bërjes publike të lajmit për refuzimin e dekretimit nga Presidenti, ishte ai sipas të cilit, kryeministri mund ta emërojë zotin  Lleshaj zëvendësministër të parë dhe ta komandojë si ministër të Brendshëm, deri në një vendim të dytë të zotit Meta. Situatë e njëjtë kjo, me atë që prej një viti ndodh edhe me kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror. Duke besuar se e njëjta situatë mund të krijohet më pas, edhe me kreun e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Nëse kjo ndodh, duket sikur nuk bën gjë tjetër, veçse na rikthen pas në kohë, në periudhën kur ish Kryeministri socialist Fatos Nano, qeverisi për një kohë jo të shkurtër, me zëvendësministra.

Menjëherë pas kësaj, siç edhe pritej, sirenat nga të dyja anët e ngushticës nëpër të cilën duket sikur po kalon anija e qeverisë, kanë nisur ta nxisin atë, që nëpërmjet grupit Parlamentar të ndërmarrë hapa për ta sfiduar Presidentin në Kuvend. Hapa që shkojnë nga votimi për të rikthyer legjitimitetin kushtetues të aktit të dekretimit të ministrit të Brendshëm nëpërmjet votimit parlamentar, e deri tek nxitja për të shkarkuar Presidentin e Republikës. Heshtja, me të cilën u prit dhe po përcillet nga qeveria, periudha pas refuzimit të dekretimit nga ana e kreut të shtetit, tregon se është kuptuar që maturia dhe koha, janë aleatët e saj më të mëdhenj, në kushtet e krijuara.

E sigurtë është që mazhoranca nuk mund të qëndrojë duarkryq. Jo për një luftë të re “bajlozësh”. E as për një betejë me të njëjtët “armë”. Por, për një ndeshje të vështirë shahu, që ka nisur tashmë, me hapje të pazakontë loje nga ana e atij që është përballë. Sigurisht, kjo mënyrë e të menaxhuarit të situatës së krijuar, nuk do të kënaqë në fund, të ekzaltuarit dhe të mllefosurit e sotëm.

Në fund, nuk ka rëndësi çfarë parashikojnë ata sot, por mbi të gjitha, sesi do përfundojë kjo përplasje në realitet. Ndaj nuk kemi pse nxitohemi. Për aq kohë sa një mjeshtër i madh si Uinston Çurçilli, na mëson se “politika është aftësia për të parashikuar atë që do të ndodhë nesër, javën tjetër, muajin tjetër dhe vitin tjetër. Dhe më pas, që të kesh aftësinë për të shpjeguar, pse e gjitha kjo nuk ndodhi.”

ALFRED PEZA/ Gara për të shpjeguar atë që nuk do të ndodhë!

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej