Nga Glavo Luda
“Parashtrimi i Çështjes Çame nga ana e qeverisë shqiptare në tryezën me homologët grek, nuk është një pengëse për dialogun konstruktiv dhe integrimin evropian të Shqipërisë?”.
Kjo pyetje e një gazetarjeje greke përgjatë konferencës së shtypit të ministrave të jashtëm Bushati dhe Kotzias, konfirmon pikërisht dhe titullin e këtij shkrimi reflektues mbi vizitën e ministrit të jashtëm grek, Nikolaos Kotzias, si dhe marrëdhëniet dypalëshe më gjerësisht.
Pikë së pari, shoqëria greke dhe sidomos shtypi grek po fillon të familjarizohet me konceptin e të pasurit një çështjeje, siç është padyshim Çështja Çame. Ky është dhe hapi para në këtë marrëdhënie të larmishme kompleksiteti dhe afrimiteti.
Së dyti, produkti i pashmangshëm i kësaj njohjeje është perceptimi i cunguar mbi rrezikshmërinë e të diskutuari për një çështje sado të ndjeshme që mund të jetë, si dhe lidhja e kësaj çështje me procesin e integrimit europian të një vendi, ose më saktë mbështetjen ose bllokimin e këtij rrugëtimi, për shkak të mospranimit të kësaj çështjeje nga pala tjetër. Padyshim që hapi i parë në këtë familjarizim mbetet i majtë.
Këtu duhet dalluar ministri Kotzias nga gazetarja greke, pasi ishte vetë ai që ju drejtua asaj duke deklaruar që ne “sapo dolëm nga bisedimet”. Këto bisedime në vetvete janë një hap para për marrëdhëniet elastike të dy vendeve, por, disa prenoncime të Kotzias nuk të lënë shumë vend për optimizëm, ose të paktën, shpresë për një marrëveshje në një kohë afatmesme.
Këtë deklarata lidhen me bashkëpunimin e çamëve me gjermanët, bashkëpunim i dënuar nga gjykatat greke, dënime të cilat i “detyruan çamët në largim vullnetar nga Greqia”.
Pra në këtë rast, duket se kemi të bëjmë me një marrëveshje për të mos rënë dakord, pra një hap prapa, edhe pse majtas. Çështja e dytë, e cila të lë përshtypje kontradiktore, është fati i Ligjit të Luftës. Nga njëra anë, pala greke flet për një anashkalim të këtij Ligji me një VKM të vitti 1987 për vendosje të marrëdhënieve si dhe me anë të një traktati miqësie të vitit 1996, por duke anashkaluar faktin që ky Ligj kërkon vetëm miratim nga Parlamenti për t’u hequr, si dhe faktin që me anë të këtij Ligji, shqiptarët e Çamërisë nuk mund të vizitojnë tokat e tyre e jo më pastaj t’i shfrytëzojnë ato.
Ajo çfarë mund të mbahet shënim më së shumti nga ky takim, përveç këtyre përshtypjeve kontradiktore, por sidoqoftë pozitive, është fryma për dialog nga ministri grek, i cili bëri një dallim midis vetes së vet dhe Ministrisë së Jashtme greke (për reagimin e saj ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama) duke dhënë përshtypjen e një debati të brendshëm në familje, nga i cili kanë lindur dhe mosmarrëveshjet e para për çështje që deri dje as që nuk flitej.
Ky fakt, pra përfshirja në dialog të disa çështjeve diametrikisht të kundërta për nga pikëpamjet midis palëve, është një fitore e palës shqiptare, e cila tashme ka hedhur grepin e saj palës greke, e cila duket ende e hutuar për të pranuar këtë realitet, të ri për atë.
/lexo.al/