Nga mbajtës i dosjes së Nanos tek i plotfuqishmi i Rilindjes
Të ngjisësh shkallët e karrierës në politikë është e vështirë, ndonjëherë është çështje prejardhjeje familjare, ndonjëherë çështje lidhjesh të forta dhe ndonjëherë ka të bëjë me aftësitë për të shfrytëzuar mundësinë, për t’u përshtatur dhe për të shërbyer atyre që duhet dhe kur duhet.
Ky i fundit është rasti tipik i ngjitjes në karrierë të Taulant Ballës, një të riu që sapo kishte mbaruar studimet në Rumani dhe jetonte në shtëpi me qira me djem të tjerë në Tiranë, në përpjekje për të ndërtuar jetën në kryeqytet.
Gjetja e punës në nivel dytësor në selinë e Partisë Socialiste do të ishte për çudi përpjekja më e madhe që ai bëri, pasi falë kësaj pune që shumë të rinj mund ta kishin refuzuar, ai u ngrit me shpejtësi deri në majën e kupolës së pushtetit, i bindur, punëtor dhe “yesman”. Taulanti ra drejt e në sy të shefit të tij, në atë kohë Fatmir Xhafa që drejtonte zyrën e Marrëdhënieve me Jashtë në PS, i cili ia rekomandoi “të riun e shkathët” mikut të tij Arben Malaj, në atë kohë ministër.
Por, pa kaluar as disa muaj dhe fjala për të do t’i shkonte në vesh Fatos Nanos, kryeministër, i cili e mori në stafin e tij, për t’u bërë më tej deputet dhe për t’u ndarë nga hija e Nanos…jo drejt lirisë, por në një hije tjetër, atë të Edi Ramës.
Në 2009 Rama i dha Librazhdin, një bastion i palëkundur i socialistëve në vite. Dy vjet më pas, në 2011 Taulanti humbi Bashkinë e Librazhdit. Ishte i vetmi deputet që nuk u ndëshkua nga rezultatet negative në zgjedhje. Në 2013-n kandidoi në vendet e para të Qarkut Elbasan dhe pas pushtetit mori rolin e “Komisionerit të Punësimit”. Rol për të cilin ka shumë thashetheme apo thënë ndryshe legjenda urbane sikur Taulanti përfiton miliona lekë duke shitur vendet e punës në emër të Rilindjes. Fakt është që ai në publik mbahet për sqimën në të veshur me luks dhe bën jetë të shtrenjtë.
Shpesh është bërë objekt sulmesh të ashpra nga qytetarët në rrjete sociale. Janë shfaqur në media por kryesisht në rrjetet sociale, fotografi ku tregohen aksesorë të shtëpive të mëdha të modës. Në fund të fundit, Taulant Balla është vetëm një deputet dhe si i tillë ka një pagë mujore modeste. Jo vetëm Taulanti shfaqet me këtë luks, por edhe deputetë të tjerë të Kuvendit, apo ministra e zyrtarë të tjerë.
Sot, Taulant Balla, është zëri i PS-së në Kuvend, në grupin parlamentar, në emisione televizive. Eshtë kthyer në një farë “padroni” i zonës së Librazhdit e Elbasanit si i ngjashmi i tij në Jug, Koço Kokëdhima.
Balla është vetëm deputet i zonës, ai është edhe kryetar Bashkie, edhe kryetar dege i partisë, edhe drejtor drejtorie, që vendos kush dhe ku do të punësohet, edhe shef i klubit të futbollit, të cilit ja bëri uniformat mavi.
Taulanti është sot ai që del në anën tjetër të llogores, kur flet Ben Blushi. Jo, sepse Taulant Balla përfaqëson ndonjë histori, grup apo vlera brenda Partisë Socialiste (nëse ai nesër s’do të jetë më deputet askush nuk do të kujtohet për të), por sepse është i gatshmi i përhershëm për t’u bërë masha e shefit të radhës dhe për kapur thëngjinjtë, me të cilët Rama do të godasë kundërshtarët.
Ndoshta Rama do të preferonte që t’i kthente përgjigje kundërshtarit të tij me gojën e Gramoz Ruçit, por vetëm Taulanti mund të marrë guximin ta sulmojë Blushin për shkrimin e një libri, duke sjellë ndërmend skenat e deklasimit që i bënte Enver Hoxha kundërshtarëve të tij.
Ja çfarë thoshte Balla pas incidentit me Blushin në Elbasan, ku simpatizantët e partisë e sulmuan fizikisht kur hyri në sallë:
“Kam menduar se Blushi e kishte të vështirë të rikthehej në Elbasan, pasi e shpalli Qazim Sejdinin një kandidat të vdekur dhe populli i Elbasanit e votoi Qazimin me afro 70 përqind të votave…”
Ai madje edhe justifikoi sulmin e militantëve të partisë duke shtuar:
“Shumë njerëz në këtë sallë janë “të armatosur” me inat të justifikuar ndaj një deputeti që ju mori votën dhe i la në harresë”.
Ka gjasa të kujtohen ndonjëherë për djaloshin që morën si ndihmës, por u bë më i fortë se ata, Arben Malaj, sot larg PS-së pas një përplasje me Ramën, Fatmir Xhafa, që mban një profil të ulët në debatet e partisë. E vërteta është se Balla sot është i fuqishëm në Partinë Socialiste në pushtet, për aq kohë sa ka krahët e ngrohtë nga shefi i tij, ndërsa edhe zyrtarisht ka arritur të ngjitet në majë duke marrë postin e zëvenës kryetarit të grupit parlamentar socialist.
Ku i dihet nesër ministër me kostum e kollaro….për t’u treguar ish-shokëve, me të cilët ndante shtëpinë me qira se rruga e politikës është më e shpejta për të vënë katandi, anipse mund të mos jetë më e ndershmja.
Taulanti eshte çun tamam,ka dit të jete ne vendin e duhur ,ne momentin e duhur,çun me 5 gjuhë të huaja,LIBRAZHDJOT-KAMPION,Hallall ja boft zoti.
Çun kampion, Librazhdjot 100/ ,jo legen si Blushi qe do karrike
Balla eshte njish ,çun kampion rrespekt per Ballën.
Gjithë lugina e Shkumbinit kanë rrespekt për Tolen. Ballen.