Nga Enkel Demi
Kërkojmë që të çajmë kufinjtë e Europës, kurse për vete do i mbyllim ata. Ndryshe nga sa mendohej Edi Rama, kryeministër i vendit është shprehur në një intervistë për Sokol Ballën se nuk ka pse të bëjmë një zgjedhje të ndryshme nga zgjedhja që kanë bërë vendet e tjera të korridorit. Ai ka thënë shkoqur se kufiri nuk do të hapet për refugjatët sirianë. Rama shkon më tej, tek thotë se nuk ka arsye ta bëjmë këtë gjë, sepse Shqipëria nuk ka as kushte, as fuqi dhe as delirin që të shpëtojë botën. Sipas tij Serbia e mbyll kufirin, Maqedonia e mbyll, pse u dashkan të vijnë tek ne?
Duhet pranuar që është hera e parë që një kryeministër shqiptar del kundër vullnetit europian për një çështje kaq madhore. Madje, Rama shfaqet pragmatist. Ai e thotë shkoqur që nuk kemi përse t’i hapim derte vetes, derisa të tjerët po i vënë kyçin derës. Në rregull, politikisht Edi Rama ka bërë një zgjedhje, të cilën mund ta kundërshtojnë më së shumti të majtët, të cilët i bie të besojnë tek vlerat e solidaritetit njerëzor. Mund të ketë nga ata që thonë që është zgjedhje antieuropianiste, meqë trysnia e BE-së është e madhe, por kemi të bëjmë me një zgjedhje populiste. Me siguri shumica dërrmuese mund të thotë sa hap e mbyll sytë që mirë bën Edi Rama, aq më tepër që ajo puna e muxhahedinëve nuk është përcjellë fort këndshëm, megjithë thirrjen patetike të Pandit.
Por, sipas meje shqiptarët nuk duhet t’i mbyllin dyert. Ne jemi një popull emigrant, një popull që deri në vitet 2000 e cilësonim të njëjtë fjalën “refugjat” dhe “emigrant”. Ne jemi një popull që vuajmë nga miti i Uliksit, nuk kemi ndjenjur kurrë në një vend dhe përherë kemi trokitur në dyert e botës. Shqiptarët janë ata të lajmeve “profugi albanesi”. Vetë Edi Rama ka qenë refugjat, e ka rrëfyer madje historinë e kequshqyerjes në kampin francez, shkak i asaj fotos me tasin e makaronave.
Në vitin 1999 treçereku i shqiptarëve të Kosovës u kthyen në refugjatë. Shumë vështirë e patën në kufi ata që zgjodhën fjala vjen Maqedoninë, trenat e tyre të vuajtjes janë përshkruar në mënyrë ngjethëse nga Antonio Russo apo Baton Haxhiu. Si mund të sillemi kështu pas kaq pak vjetësh me sirianët? Ata i ka zënë një hall, për të cilin nuk kanë kurrfarë faji. Ne na zuri njësoj, kur rrëmbyem anijet.
Tash në 2016 janë me mijëra ata që kërkojnë azil në Gjermani e gjetkë. Kosova kërkon me forcë liberalizimin e vizave, pra kërkon të çajë kufinjtë, kurse ne kërkojmë t’i mbyllim.
Ndoshta, ky është këndvështrim pak kristian, meqë dhe kryeministri e identifikon veten të këtillë, por sirianët kanë nevojë për një çati dhe dinjitet. Shqiptarëve nuk takon t’ua mohojnë, nëse kanë ndonjë gjë në dorë.
/27.al/