Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Si u rrit me 2.5 here kostoja e Milot-Balldren?

Nga 27.al 0

Nga Klodian Tomorri

Kur qeveria programoi për herë të parë ndërtimin me koncesion të rrugës Milot-Balldren, kostoja zyrtare e përcaktuar në buxhet ishte 14 miliardë lekë ose rreth 110 milionë euro.

Tenderi u bë në tetor të vitit të kaluar dhe u fitua nga kompania ANK. Por, kostoja nga 14 miliardë lekë që ishte programuar në buxhet, kërceu në 20.1 miliardë leke. Qeveria e justifikoi rritjen me rreth 50 për qind të faturës me faktin se projekti kishte ndryshuar dhe rrugës i ishin shtuar kalimet dytësore plus ndërtimi i hyrje-daljeve për fshatrat përreth.

Por, nuk mbaroi me kaq. Kjo ishte vetëm vala e parë e çmendurisë. Pas rritjes me 50 për qind nga programimi buxhetor deri në tender, kostoja e rrugës Milot-Balldren është rritur edhe me 60 për qind të tjera pas tenderit.

Një javë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi kontratën e koncesionit për Milot -Balldren. Megjithëse tenderi për këtë rrugë u fitua 20.1 miliardë lekë, në total taksapaguesit shqiptarë do t’i paguajnë kompanisë koncesionare plot 32 miliardë lekë. Pra, 11.9 miliardë lekë shtesë ose 90 milionë euro më shumë se sa çmimi i tenderit. Këtu nis historia tjetër.

Shtesa prej 90 milionë eurosh është ajo që teknikisht quhet kosto e kapitalit. E thënë më thjesht, ky është interesi që qeveria do i paguajë kompanisë koncesionare, meqenëse ajo do e ndërtojë rrugën me paratë e veta, ndërsa buxheti do e shlyejë me këste për 13 vjet. Dhe fatura për qytetarët rritet.

Pra, në dhjetor të vitit 2017 kostoja e koncesionit të rrugës Milot-Balldren u programua nga vetë qeveria 110 milionë euro, por në vetëm 1 vit e gjysmë, fatura totale e saj kërceu në 256 milionë euro. Gati dy herë e gjysmë më shumë.

Kjo rritje drastike, është arsyeja se përse FMN i kërkon qeverisë të bllokojë ofertat e pakërkuara. Mekanizmi i ofertës së pakërkuar e bën tenderin thuajse fiktiv dhe pa garë, jo vetëm në aspektin praktik, por edhe atë ligjor. Për dy arsye; së pari, bonusi prej 10 për qind të pikëve që qeveria i jep ofertuesit të pakërkuar para tenderit, praktikisht e bën atë fitues të paracaktuar në tender. Së dyti, edhe në këtë garë të kufizuar, kompanitë që marrin pjesë në tender garojnë vetëm për çmimin e ndërtimit. Pasi shpallet fituesi, Ministria e Infrastrukturës negocion koston e interesit kokë më kokë me kompaninë private. Pra, kostoja e interesit, e cila është sa 40 për qind faturës totale, nuk bëhet me garë, por me negocim të drejtpërdrejtë, në një tavolinë zyre apo ndoshta edhe private mes drejtuesve të ministrisë dhe kompanisë private.

Si mund të lihet një institucion të negociojë kokë më kokë pa asnjë gare, 90 milionë euro prokurim? Kjo është e paligjshme. Është njësoj sikur një institucion publik të shpenzojë 90 milionë euro nga paratë e qytetarëve pa asnjë tender, por me negociata të drejtpërdrejta.

Ligjërisht do duhej që gara e koncesioneve të bëhej për të gjithë vlerën e faturës, pra jo vetëm koston e ndërtimit të rrugës, por koston e ndërtimit plus koston e kapitalit. Në të kundërt, ndodh kjo që ndodhi. Një rrugë që u nis me 100 milionë euro, do ta paguajmë 256 milionë euro. Dy herë e gjysmë më shumë, gosti për firmën e afërt me një ish-deputet të Partisë Socialiste, shumë i afërt me kryeministrin Edi Rama.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej