Menjëherë pas përfundimint të procesit gjyqësor për dosjen “Babale” që vendosi të marrë të pandehur për kallëzim të rremë, ish- deputetin e PD, Ervin Salianji, ka reaguar kreu i PD, Lulzim Basha.
Në një dalje publike për mediat, Basha tha se ky shtet dërgon në gjyq ata që denoncojnë dhe gradon të korruptuarit.
“Kupola e shtetit është e përfshirë në skandal. Alfred Alizoti ka pranuar të bëjë 1 vit burg për të mbrojtur kupolën e shtetit, e cila është e zhytur deri në fyt në afera korruptive dhe skandale. Deputeti i PD Ervin Salianji ka bërë publike për mediat fakte të rënda sesi Agron Xhafaj bën trafik droge, zbuloi dëshmitarin e rremë Alfred Alizotin, që bën ndere për kupolën e korruptuar të shtetit. Prokuroria vetëm bën sehir dhe nuk vepron për zyrtarët e lartë e shtetit. Kjo sepse Prokuroria është kapur politikisht. Donika Prela dhe prokurorët e tjerë kanë marrë si të pandehur Salianjin, gazetarin Olldashi dhe denoncuesit e së keqes, e jo keqbërësit. Sot të pandehur për afera të tmerrshme kriminale shtetërore duhet të ishin Taulant Balla, Fatmir Xhafaj, zyrtarë të SHISH. Edi Rama ka marrë në mbrojtje Ballën, Xhafajn, zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit që dalin në përgjime duke bërë favore për kriminelë me damkë dhe gradohen nga kriminelët”, tha Lulzim Basha.