Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut në Shqipëri, Nikollaq Neranxi, paraqiti sot në Gjykatë një padi ndaj bashkisë së Tiranës për rritjen e taksave ndaj biznesit.
Shoqata kërkon shfuqizimin e vendimit që sipas tyre, dhjetëfishon taksat për lokalet që vendosin tavolina në hapësirat publike.
“Në prezencë të një përfaqësie prej gati 20 vetash, kur ne i shpjeguam se edhe një biznes i suksesshëm, i cili ka 25 vite në treg, që ka punësuar mbi 300 veta, me këto taksa falimenton, përgjigja e tij ishte: ‘Le të falimentojë’!
Alternativat e tij për të riparë faturat e dy muajve dhe reduktimi i diskutimit vetëm në taksat e tavolinës dhe zënies së hapësirave publike, është shumë djallëzore dhe dashakeqëse nga ana e tij”, tha Neranxi.
Ai deklaroi se me taksat e vëna falimenton çdo lloj biznesi. Padia në gjykatë, vjen pas dështuan negociatat mes biznesit dhe bashkisë së kryeqytetit.