Nga Lajme Sportive
Abdurrahman Roza Haxhiu ose Roza Haxhiu, siç njihet nga të gjithë, lindi në qytetin e Lushnjës në lagjen “Kongresi i Lushnjës” më 30 shtator 1930. Djali i Bajram Haxhiut, një nga anëtarët e Komisionit nismëtar të thirrjes së Kongresit të Lushnjës. Qysh në fëmijëri Roza, ëndërronte të bëhej futbollist. Talenti i tij u duk që në moshë të re në ekipin e Traktorit të Lushnjës.
Roza Haxhiu ishte një futbollist i shquar shqiptar i viteve 50-60, talent i rrallë si dhe golashënues i klasit të parë me ekipin kombëtar, Shqipërinë, Lushnjen, Dinamon, Besën dhe Partizanin. Abdurrahman Roza Haxhiu, jetoi shumë pak, rreth tri dekada e gjysëm, e thuajse gjysmën e viteve të moshës së tij, ja kushtoi futbollit, sportit të zemrës. Madje, në rast se do të thonim se sporti ka martirët e tij, Roza është nga ata luftëtarë që me të vërtetë ra në fushën e blertë të stadiumit, i aksidentuar për vdekje, nga një goditje vdekjeprurëse në kokë, e cila i ndërpreu në mes jetën që aq bukur dinte ta jetonte. Dhe kjo i ndodhi, kur ai mbante veshur fanellën e kuqe të Partizanit, duke nderuar jo vetëm ngjyrat e tij, por edhe të sportit mbarëkombëtar. Kësisoj, ai është një nga dëshmorët më të spikatur të futbollit partizanas dhe shqiptarë.
Roza Haxhiu këpucët e futbollit i veshi fillimisht me Besën e Kavajës më 1950, ku u dallua si një mesfushor me vizion të gjerë. Vetëm një vit më vonë, pasi “ra në sy”, kalon tek Partizani, përkrah emrave të shquar të futbollit tonë si Boriçi, Resmja apo Kraja. Dhe pa kaluar dy vjet Loro Boriçi (tashmë trajner), së bashku me Jançen i besojnë fanellën e përfaqësueses në Festivalet Botërore të Rinisë. Rrugët tashmë janë hapur: në vitin 1955, kur Dinamo do të ndeshej me Dozhën e Budapestit, Roza thirret si përforcim në radhët e kryeqytetasve. Hungarezi i madh i atyre viteve, Suza do të shprehej pas ndeshjeve: “Ai (Roza Haxhiu) është një futbollist i kalibrit evropian.”
Në atë takim Roza ka patur detyrën e një mbrojtësi të lirë. Ekipi hungarez ka hedhur në fushë lojtarët më të mirë të asaj kohe, që edhe pse në fushën e vet nuk ka mundur të marrin më shumë se një barazim. Lojtarët hungarezë ishin të nivelit botëror në atë kohë. Megjithatë, Dinamo me lojën e saj ka mundur të tërheqë vëmendjen e specialistëve ndërkombëtarë. Roza Haxhiu luajti edhe për skuadrën kombëtare të Shqipërisë. Nuk mund të ishte rastësi aktivizimi i Roza Haxhiut me përfaqësuesen. E rëndësishme në atë kohë ishte aktivizimi i ndonjë ekipi shqiptar në veprimtarinë ndërkombëtare. Ekipi që kishte fatin i nevojiteshin lojtarë me cilësi. Teknika dhe cilësia e pakrahasueshme e Rozës, nuk kishte sesi të shpëtonte nga vëmendja e Federatës. Pas kësaj, nuk mund të harrohen fitoret ndaj Çekosllovakisë 3-0 dhe fitorja me Poloninë. Në ato ndeshje Roza Haxhiu dha maksimumin, duke u kthyer në një simbol të futbollit shqiptar. Në dy vitet e mëpasme, ai është i kudondodhuri i Partizanit, i papërtueshëm, i shkathët, teknik, me një diapazon të gjerë për lojën, e mbi të gjitha, me një shpirt tepër të madh. Bashkëkohësit kujtojnë padyshim Roza Haxhiun që shënoi golin e tretë dhe të fundit të ndeshjes Partizani-Dinamo në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, e cila përfundoi me fitoren e merituar të Partizanit 3:1 dhe qe i dha titullin kampion i vitit 1957 në kampionatin e 20-të kombëtar, Partizanit.
Dhe për të plotësuar figurën e tij komplekse,si futbollist, nuk mund ta lësh pa përmendur takimet e paharruara të Partizanit në Leipzig të Gjermanisë, në shtator të vitit 1958 ku krahas gjithë ekipit, kontribut të veçantë për fitimin e medaljeve të argjendta dha edhe Roza Haxhiu. Në vitin 1958, Partizani merr pjesë në një turne miqësor në Bullgari. Në një nga takimet e forta me skuadrën e Plevenit, të të njëjtit qytet, i cili përfundoi 2:1 në favor të ekipit tonë, Roza dëmtohet rëndë. Megjithëse i dëmtuar, me shpirt të lartë sakrifice, ai luajti për më shumë se 1 vit edhe me ekipin e Dinamos e më pas kthehet në qytetin e tij. Kur kthehet në Lushnje, duke mos u shkëputur nga futbolli, merr drejtimin e skuadrës, duke luajtur edhe vetë. Pas dy finalesh me Erzenin, të fituara 3-2 e 6-2, Roza Haxhiu bën që Traktori i atëhershëm të futej për herë të parë në elitën e skuadrave të vendit. Ekuipazhi sportiv i konsoliduar nga Abdurrahman Roza Haxhiu triumfon në kampionatin e kategorisë së dytë duke u shpallur kampionë i tij në 1960. Futja në kategorinë e parë i hapi shtegun futbollit lushnjar për t’u përfaqësuar më 1960 në kampionatin kombëtar të rezervave bashkë me Partizanin, Dinamon, Vllazninë, Flamurtarin, Skënderbeun, Labinotin, Besën dhe Tomorrin duke zënë edhe vend nderi. Në maj-korrik 1963 caktohet për përzgjedhjen dhe përgatitjen e një grup moshe 13-14 vjeçarësh për Spartakiadën Kombëtare që zhvillohej çdo vit në kampin e pionerëve “Qemal Stafa” në Durrës. Në periudhën shkurt-mars 1964 punoi si mësues i edukimit fizik në shkollën e mesme të qytetit të Lushnjes “18 Tetori”. Goditja e Poldovit e vitit 1958, kur Partizani mori pjesë në një turne miqësor në Bullgari, ku Roza u dëmtua rëndë nuk e kishte “harruar”. Ajo, madje është shndërruar në sëmundjen e përbindëshme që i kërcënonte jetën. Pas shumë përpjekjesh burokratike, arrin të sigurojë një lejekalimi për t’u operuar në Itali, por, është tepër vonë. 19 Maj i vitit 1964 rrëmben Rozën nga gjiri i familjes, shokëve, miqve, të afërmëve, bashkëlojtarëve.
Abdurrahman Roza Haxhiu iku si rrallëkush; ai pati fatin të ndahet nga jeta duke merituar respektin, vlerësimin dhe përjetësinë. Mijëra sportdashës lushnjarë e nga rrethet e tjera, banda nga Kavaja drejtonte kortezhin. Ashtu me duart e lëshuar Xha Bami (i ati) hedh vështrimin rreth e qark. Mizëri njerëzish. Përkulet tek koka e arkivolit dhe i thotë: “Ah mor bir. Nuk e dija se kishe pasur kaq miq e shokë.”
Roza Haxhiu ka vdekur vetëm fizikisht, ai do të mbetet i pavdekshëm në fushën e blertë shqiptare. Por, ka edhe një kuriozitet që lidhet me emrin e këtij legjende të futbollit lushnjar. Emri i vërtetë i Roza Haxhiut është Abdurrahman. Vëllai i tij Ali (Lika) Haxhiu e sqaron edhe “pagëzimin” e Abdurrahmanit në Roza.
“Fundi i viteve 40, dera e dhomës së vizitave u hap dhe në prag të saj një djalë i gjatë, mjaft simpatik u shfaq para doktor Çabej. Ishte Abdurrahmani, i cili kishte ardhur për t’u vizituar. Në formën e një supersticioni doktor Çabej propozoi që atij t’i ndryshohej emri. Ai ishte i pari që e quajti Roza, për të simbolizuar më shumë një lule të bukur, siç është trëndafili. ROZA-Trëndafil ai përcaktim i doktorit doli jashtë dhomës dhe nuk u desh shumë kohë që Roza të zëvendësonte Abdurrahmanin që sportdashësit lushnjarë e më gjerë të mos e ndanin emrin e parë nga i dyti Abdurrahman Roza Haxhiu. Roza-Trëndafil e quajti, sepse trëndafil qe në jetë dhe në fushën e futbollit, prandaj dhe populli e thirri me këtë emër menjëherë dhe nisi ta quajë Roza-Abdurrahmanin”, tregon vëllai i tij.
Roza Haxhiu u nderua pas vdekjes në vitin 1971 me titullin e lartë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, në vitin 1999 nga ministri i Kulturës, Edi Rama i është dhënë titulli “Nderi i Sportit Shqiptar” dhe nga Bashkia Lushnje u nderua me titullin “Qytetar Nderi”.
Në kuadër të 30 vjetorit të vdekjes, 21 Maj 1994 u përkujtua në qytetin e Lushnjes legjenda e futbollit shqiptar, Abdurrahman Roza Haxhiu. Ceremonitë e organizuara nga Bashkia Lushnje dhe kryetari i Bashkisë Lushnje, Kujtim Haxhiu, në nderim të figurës dhe veprimtarisë së A. Roza Haxhiut, nisën me një ndeshje që u zhvillua në stadiumin “A. Roza Haxhiu”. Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë futbollistë, këngëtarë e aktorë si Vaçe Zela (këngëtare), Margarita Xhepa (aktore), Ilia Shyti (aktor), Hysni Zela (këngëtare), Kolec Kraja (futbollist), Robert Jashari (futbollist), Ismet Bellova (komentator sportiv), e plot të tjerë. Ndërkohë, në sallën e kinoteatrit “Vaçe Zela”, u zhvillua edhe një aktivitet zyrtar nga Bashkia Lushnje ku, folën miqtë e shokë mbi jetën dhe veprimtarinë e futbollistit legjendar Abdurrahman Roza Haxhiu.
Në maj të vitit 2007 është realizuar dokumentari “Trëndafili i fushës së blertë” nga Televizioni Shqiptar TVSH i sponsorizuar nga Altin Haxhiu kushtuar Abdurrahman Roza Haxhiut mbi jetën dhe veprimtarinë e futbollistit. Në këtë dokumentar kanë marrë pjesë familjarët, futbollistët që luajtën me të, miqtë e shokë të Roza Haxhiut, të cilët nëpërmjet intervistës shprehën respektin dhe mirënjohjen ndaj talentit të papërsëritshëm legjendës së futbollit Abdurrahman Roza Haxhiu për kontributin që ka dhënë ky futbollist dhe trajner në futbollin lushnjar dhe atë shqiptar.
Stadiumi i Lushnjes “A.Roza Haxhiu” mban sot emrin e tij në shenjë respekti për kontributin që ka dhënë ky futbollist dhe trajner në futbollin lushnjar dhe atë shqiptar.