Nga Ilir Babaramo
Me një zgërdhitje kodoshi në fytyrë, duke zgjatur kokën kërcënueshëm e duke zgurdulluar sytë për pesë vjet ekran më ekran, Edi Rama i është drejtuar çdo gazetari që ka guxuar ta pyesë përse ka mbushur parlamentin me të inkriminuar: “Më thuaj një emër, më thuaj një emër të vetëm!”. Gjuha e trupit ishte fare e qartë: “shqipto një emër të tyre po ta mbajti b…”.
Në fillim, për hir të vërtetës, ky shantazh i pacipë ka funksionuar. Gazetarët janë tërhequr duke menduar pasojat e mundshme. Por, zullumi është trashur kaq shumë sa frika ka filluar të vritet dhe minarja nuk mund të fshihet më në thes. Në një zbythje totale në sytë e opinionit publik, ndërkohë që ndjek me ankth se çfarë do thotë Babalja (o Zot sa poshtë ka rënë pazari), Rama po përpiqet të ndryshojë mjet. Sërish manu military, por jo me të fortë që mbajnë kobure në brez, por struktura shtetërore, me të cilat beson se do mbyllë gojët e atyre që nuk janë në rresht. I tillë mund të konsiderohet sulmi i verbër që ka shpallur kundër mediave sociale, të cilat nuk i kontrollon dot.
Qeveria aktuale mund të konsiderohet më mediokrja në 28 vite tranzicion. Me përjashtime tepër të rralla, kabineti qeveritar është ndërtuar me vetëm një kriter: argjilin, të cilit mund t’i japësh dhe formën më absurde që fantazon. CV personale dhe politike nuk ka thuajse asnjë vlerë, mjafton që të zgjedhurit të jenë totalisht yesmen. Të tillë njerëz, që nuk kanë thuajse asnjë kontribut politik, nuk ka patur as Enver Hoxha, politikani më paranojak në historinë e Shqipërisë. Doni një shembull? Ministër i drejtësisë i qeverisë Hoxha ishte Manol Konomi, një burrë me integritet të rrallë njerëzor e profesional, ndërkohë ministre e drejtësisë së Ramës është një Matilda, Matilda, kulmi i CV së saj është sekretare e Fatmir Xhafës. Nëse Konomi rrezikoi kokën, duke dhënë dorëheqjen, duke refuzuar të nënshkruajë skenarin e bombës në ambasadën sovjetike, kjo sekretarja e Xhafës firmos gjithçka që i kanë vënë mbi tavolinë.
Për të patur luksin që ta ketë kabinetin si një rresht qypash me baltë si ato që stilizon në studion e tij diku andej nga ish-ndërmarrja gjeologjike, Ramës i është dashur të bëjë pakt me nëntokën shqiptare. Nëse shumë prej tyre nuk i ka më në vitrinë është e sigurt që i ka në magazinë. Ato emrat e të inkriminuarve, që gazetarët kanë filluar t’ia përplasin në fytyrë, është e vërtetë që nuk janë më në parlament, për shkak të ligjit të dekriminalizimit që imponoi opozita dhe Brukseli, por është po aq e vërtetë sa shpërblimin për shërbimet e tyre në fushata elektorale i marrin në dy forma; në natyrë përmes benefiteve që Rama shpërndan si salsiçe dhe përmes emrave që ata fusin në listat e deputetëve dhe emërimeve në administratën e lartë shtetërore.
E megjithatë, nuk ia ka vlejtur barra qeranë. Për të dyja palët. Mark Frroku, si shumë të tjerë që Rama i ka përdorur për të marrë vota, duhet të ketë mallkuar ditën, kur Perëndia i mori mendtë. Fare mirë mund të kishte qëndruar larg projektorëve të opinonit publik, me bindjen se askush s’do kujtohej për atë si për qindra të tjerë që jeta i ka futur në vorbulla, që tashmë që kanë thuajse gjithçka, do të donin t’i harronin. Por, nuk ndodhi kështu. Doli një grua që i kujtoi të kaluarën josocialiste Mark Frrokut. Ishte Jozefina Topalli. Ai e fyeu sipas kodit të tij. Dihet çfarë ndodhi më pas. Për të minimizuar skandalin Rama e përjashtoi nga grupi parlamentar i PS. Kujtoni se si Rama bërtiste një javë më parë: “…shpifje, shpifje, Frroku nuk ka qenë deputet i PS!”. Por, opinioni publik ka kujtesë. Ka në kujtesën e tij dhe si Frroku refuzoi kerkesën e Ramës për t’i kërkuar ndjesë Topallit.
Rama duket i mposhtur në fushën e betejës së opinionit publik. Fajin e shikon dhe tek pamundësia për të kontrolluar mediat sociale, të cilat e masakrojnë çdo ditë. Kjo nuk ndodh, vetëm sepse ata që ka caktuar për këtë punë kanë zënë dhjamë dhe nuk kanë më kohë për t’u përballur, sepse ditën e zënë me pazare sa me Zamon, aq dhe Çetin. E ka kuptuar se nuk mund ta arrijë dominimin e opinionit publik me mjetet, me të cilat fitoi vite me parë. Për këtë arsye kërkon të ndryshojë rregullat e lojës. Ai që i ka shtënë në vesh këtë betejën kundër portaleve ngjason me atë çunin e beut që kërcënonte: “…topi është i mi, penalltinë do ta gjuaj vetë”.
Eshtë mëse e vërtetë që mediat sociale në Shqipëri janë një kaos i vërtetë, ku është e vështirë të ndash lajmin nga fake news. Por, të besosh se njeriu që 10 vjet më parë pataksi Parlamentin Evropian me “lajmin” se banditët e PD i nxorrën Xhensilës nga barku foshnjën, është sikur të besosh që të ngjallet Gëbels dhe të bëhet Bob Woodward. Kaq i pafuqishëm duket për t’u përballur me të vërtetat që rrjedhin në mediat on line, sa shpëtimin e kërkon tek censura, tek krijimi i atij që ai e quajti “departamenti antishpifje”, një strukturë e ngjashme me drejtorinë e shtypit në KQPPSH. Por, nëse Ramizi kishte në krye të kësaj drejtorie Sofon, i cili për hir të vërtetës ishte një nga gazetarët më të mirë të kohës, Sofua i ramës nuk mund të shkruajë tre fjali rresht.
Ka vetëm mënyrë si mund të vihet rendi në mediat on line, acquis communautaire, tërësia e ligjeve që zbatohen në hapësirën evropiane. Çdo mjet tjetër, ca më tepër manu military, dëshmon vetëm panik dhe rezultati i vetëm është boomerang. Nuk mund të ketë tjetër rezultat. Jetojmë në epokën e Mark Zuckerberg.
Rama u përbetua dje se nuk do ketë monopol on line për bastet, por pak çaste më pas, në facebook, Bastarena njoftonte klientët e saj se pak javë më parë ka marrë licencën dhe aktiviteti i saj do vazhdojë. Të gjithë e dinë se kush fshihet pas kësaj kompanie dhe s’ka Sofo t’u ndryshojë mendim.
Mirë gjithë portalet mbyllen, por a mund të mbyllet facebook si në Anadollin e byrazerit? Megjithatë le të abstragojmë për një çast, sikur jetojmë ne kohën e Gutenberg. Edhe në këtë rrethanë nuk mund t’i mbyllet goja njerëzve. Dhe në kohën e Hoxhës, regjimit më represiv komunist, një barcaletë që thoshte Tef Palushi tek Kafja e Madhe në Shkodër përfundonte brenda javës në Qafë të Pazarit në Gjirokastër.