Nga Enton Palushi
Në maj të vitit 2018, Zëri i Amerikës paralajmëroi një intervistë të rëndësishme. Kishin kaluar vite nga intervista e fundit e Robert Hand, zërit më të rëndësishëm në Kongresin amerikan për Shqipërinë.
Këtë herë, Robert Hand do e “lëshonte dorën” me kritika të ashpra ndaj qeverisë shqiptare. Jo vetëm kaq, por Hand kritikoi për herë të parë edhe Komisionin Europian, që kishte rekomanduar nisjen e negociatave me Shqipërinë. Raporti i Brukselit ishte shumë i ndryshëm nga raportet që prodhonte Uashingtoni për qeverisjen shqiptare. Në mënyrë të drejtpërdrejtë, Hand tha se ndryshe nga Brukseli që kërkon vetëm miratime ligjesh, çka është diçka e lehtë, Uashingtoni kërkon zbatim ligjesh.
U desh më pak se një vit që Robert Hand të intervistohej sërish nga Zëri i Amerikës. Këtë herë ishte pranvera e vitit 2019 dhe situata politike në vend ishte ndezur ashpër. Opozita kishte dalë në rrugë dhe kishte djegur mandatet. Hand kritikoi ashpër opozitën për vendimin mbi mandatet, megjithatë shtroi për diskutim atë që do bëhej pikëpyetja më e madhe e këtij viti: si të gjejmë një rrugë që Edi Rama të pranojë zgjedhjet e parakohshme pa e pranuar se ka pësuar disfatë.
***
Koha i dha të drejtë veprimeve të opozitës. Po të mos ishin protestat e saj, vëmendja nuk do të ishte kthyer mbi problemet reale të Shqipërisë nga kancelaritë më të mëdha perëndimore dhe mediat e rëndësishme europiane. Nëse do bazoheshim vetëm te raportimet e Komisionit Europian dhe disa ambasadorëve në Tiranë, Shqipëria do të vazhdonte të rrëshqiste në autokraci pa zhurmë, kurse Europa do të vijonte të besonte historinë e artistit me atlete.
Mirëpo edhe Europa, ashtu siç kishte paralajmëruar Bob Hand në intervistën e famshme kur tha se Komisioni Europian kërkon më shumë miratim ligjesh se zbatim të tyre, vendosi të ndryshojë qasjen duke rrëzuar raportin e KE, që tashmë nuk quhet as progres-raport, por vetëm raport vjetor. Gjermania, Franca e me radhë shtetet e tjera kërkuan që prioritet të jetë zbatimi i ligjeve, duke e nisur nga reforma zgjedhore që nënkupton zgjedhje të reja e deri te Reforma në Drejtësi.
Se përse na e mbyllën derën e BE-së, për këtë nuk keni fare nevojë të shihni deklaratat për konsum politik. Mjafton që të lexoni se çfarë shkruan media e lirë europiane. Revista më e madhe gjermane, Spiegel raporton se Edi Rama dyshohet se mbahet në pushtet me paratë e mafies së drogës. Kurse gazeta e Amsterdamit ‘Parool’ thekson se Shqipëria ka ngecur në vend që prej vitit 2014, praktikisht që kur Rama erdhi në pushtet. Gazeta shkon më tej kur thotë se shqiptarët e mirëkuptojnë refuzimin që na ka bërë Franca e Holanda, sepse e dinë se në çfarë gjendje është katandisur Shqipëria.
Me fjalë të tjera, shqiptarët dhe të huajt bien dakord në një pikë: kjo qeveri e ka mbyllur historinë e saj. Tashmë duhet gjetur rruga për largimin.
***
Dhe dritarja e mundësisë për largimin është hapur më mirë se kurrë gjatë këtyre ditëve. Parlamenti gjerman ka shtruar udhën me dokumentin që kërkon plotësimin e nëntë kushteve, të cilat do e çojnë vendin drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme me një kod zgjedhor të pranuar dhe miratuar me konsensusin e të gjitha palëve. Maqedonia e Veriut, fqinji që e morëm peng gjatë këtij procesi, vazhdon të na tregojë se është përpara nesh edhe me vendimin për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.
Problemi i Edi Ramës në këtë moment është se njerëzit janë krijesa që shpenzojnë shumë kohë duke u krahasuar. Tek e fundit, po të mos bëjmë krahasime, nuk ecim përpara. Thuajse gjithçka bëjmë në jetë e kemi të bazuar te një krahasim. Edhe arsyeja se përse e duam kaq shumë integrimin në Europë vjen nga fakti se bëjmë krahasimet me mënyrën se si jetojnë europianët. Po të ishim diku në Afrikë, krahasimi do ishte shumë i vështirë, por në zemër të Europës presioni bëhet më i madh. Më e rëndë bëhet situata kur shohim se si ‘bari në oborrin e fqinjve është më i gjelbër’ se te ne.
Sikur të mos kishim mundësi krahasimi, çështja do ishte më e lehtë për Ramën. Por tashmë që Kosova dhe Maqedonia e Veriut na kanë dhënë leksione të rëndësishme demokratike, Rama nuk mund të shpresojë se ka rrugë tjetër përveçse të japë dorëheqjen dhe të çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja. Madje le ta përdorë edhe tezën se qeveria e tij i bëri të gjitha detyrat, por ia ‘futi’ Emmanuel Macron. Le të lëshojë edhe njerëzit e tij kundër presidentit francez se fundi i histe(o)risë dihet: ata që u zbythën para një deputeti gjerman si Gunther Krichbaum, pretendojnë se do merren me një peshë shumë më të rëndë duke e akuzuar si anti-europian. Çfarë marrie!
Kjo ka pak rëndësi tani. E nevojshme është që të shkojmë në zgjedhje, të cilat do e qartësojnë situatën në vend. Le të shkojmë aty dhe ta shohë mirë Rama se çfarë mendon votuesi shqiptar për të. Le të ikë tani me njëfarë dinjiteti sepse i është lehtësuar rruga e largimit. Rotacioni do e çlirojë ekonominë dhe politikën duke i dhënë një impuls të fortë vendit. Në rast se Rama nuk e kupton se kjo dritare e hapur është mundësia e fundit për të zgjidhur krizën e rëndë në vend, rrezikojmë katastrofën e vërtetë. Këto historitë me Kinëra, Rusira e Turqira do duken akoma më qesharake. Sepse europianët mendjehapur nuk duhet të druhen prej këtyre fuqive të huaja, por nga mungesa e zgjedhjeve të lira dhe shkatërrimi i demokracisë në Shqipëri. Kjo do ishte fatale për vendin.
/mapo.al/