Nga Klodian Tomorri
Kryetari i Partisë Demokratike akuzoi qeverinë se ka rritur pabarazinë dhe varfërinë në 5 vitet e fundit duke ju referuar një raporti të Forumit Ekonomik Botëror.
Raporti është i vërtetë, por 5 vitet për të cilat Forumi Ekonomik thotë se është thelluar pabarazia dhe është rritur varfëria janë vitet 2008-2012.
Në fakt Forumi Ekonomik Botëror nuk e mat varfërinë as pabarazinë. Për varfërinë, burimi i shifrave që përdor Forumi është Banka Botërore. Dhe e thotë qartë tek tabela e raportit këtë. Nëse dikush nga opozita do e kishte hapur raportin, do e kishte parë, por askush nuk e ka bërë. Opozita i do gjërat gati nga gazetat.
Ky është linku me të dhënat që referon Forumi. http://iresearch.worldbank.org/PovcalNet/povOnDemand.aspx
Sipas Bankës Botërore varfëria (përqindja e popullsisë që jeton me 3.1 dollarë ose më pak në ditë) në Shqipëri u rrit nga 6.1 për qind në vitin 2008 në 6.8% në vitin 2012. Kjo është 0.7 për qindëshja e famshme për të cilën Forumi thotë është rritur varfëria në 5 vitet e fundit. Dhe arsyeja është se ato vite ishin piku i krizës.
Madje edhe Banka Botërore nuk e mat vetë varfërinë, por përdor shifrat e INSTAT-it tonë. I vetmi institucion në botë që mat varfërinë në Shqipëri është INSTAT-i, askush tjetër.
Nuk ka asnjë të dhënë për varfërinë në Shqipëri në 5 vitet e fundit. E dhëna më e fundit është ajo e vitit 2012, që ka nxjerrë INSTAT.
E njëjta gjë vlen edhe për pabarazinë. Për këtë tregues, Forumi Ekonomik Botëror përdor të dhënat e Standardized World Income Inequality, një projekt nga një profesor i Universitetit të Iowa-s që quhet Frederick Solt. Edhe këtë e shpjegon qartë tek tabelat e raportit.
Edhe për pabarazinë me 5 vitet e fundit, Forumi i referohet periudhës 2008-2012. Ky është linku:
http://fsolt.org/swiid/
Kjo e dhëna është Gini Index Disposable Income, pra pabarazia e matur pas taksave dhe transfertave. Dhe ka një arsye pse është rritur. Taksa e sheshtë. Dhe kjo nuk është domosdoshmërisht e keqe. Siç thotë Thatcheri, pabarazia nuk është shqetësim për sa kohë rriten të ardhurat në të gjitha shtresat e popullsisë, përfshirë dhe ato të të varfërve. Përndryshe duhet te ishim akoma duke duartrokitur shokun Enver.
Puna kryesore e opozitës është të lexojë, të kërkojë, të formulojë alternativa. Sepse po të ishte për lajme mediash, s’do kishim nevojë për opozitë, na mjaftonin mediat.