Balla: PD të mos bëhet mburojë politike për deputetin e armatosur në kundërshtim me ligjin
Partia Socialiste i kërkon opozitës të mos bëhet mburojë politke për deputetin e PD-së Gent Strazimiri. Deputeti Strazimiri u fotografua me pistoletë në brez, gjatë protestës së djeshme tek Parku i Liqenit. Nënkryetari i Grupit parlamentar të PS Taulant Balla, i ka kërkuar prokurorisë të vihet në lëvizje për të ndjekur penalisht deputetin e PD-së Gent Strazimiri.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha dhe deputetë të tjerë të kësaj partie, thanë se Strazimiri nuk mbante pistoletë në brez por kishte një kthef celulari. Përkundrejt këtyre qëndrimeve pak orë pas protestës, vetë deputeti Strazimiri e pohoi se kishte pistoletë kur ishte në protestë. I pyetur nga mediat për pistoletën e tij, Strazimiri e justifikoi këtë veprim, i cili sipas tij nuk ishte asgjë përkundrejt rastit të deputetit socialist që ka qëlluar me armë në komisariatin e policisë. Është fjala për çështjen e deputetit Armando Prenga.
Në këtë situatë, PS kërkon nga PD që të vërtetojë se kërkon zbatimin e dekriminalizimit shoqëruar me thirrjen drejtuar prokurorisë që të vihet në lëvizje për kërkesën e policisë për hetim ndaj Strazimirit.