Reagon deputeti: Që nesër do të jem në seancë në Kuvend. Vij të përfaqësoj qytetarët e mi të cilët më kanë zgjedhur
Partia Socialiste nuk mban asnjë përgjegjësi për Armando Prengën në Kuvend pasi ky deputet është përjashtuar nga kjo parti. Kjo është deklarata e deputetit socialist Alfred Peza i cili reagoi pas akuzave të opozitës për mazhorancën lidhur me kthimin në kuvend të deputetit të akuzuar për plagosje me armë zjarri. “Armando Prenga është përjashtuar nga Partia Socialiste qysh ditën që u gjend i përzier në konfliktin famëkeq të Laçit. Ne nuk pritëm as prokurorinë, as gjykatën për ta përjashtuar deputetin nga radhët tona, ndërkohë që Partia Demokratike të ndaluarit dhe të dënuarit e radhëve të saj për korrupsion i ka shpallur të persekutuar politikë. Qytetarët dinë ta bëjnë dallimin e të kuptojnë se kush do shtet e kush do sherr; kush i trajton njësoj të gjithë kur shkelin ligjin dhe kush i bën të gjithë kundërshtarët e vet hajdutë, ndërsa hajdutët e vet, heronj; kush do drejtësi dhe kush është duke i ikur ne mënyrë të vazhdueshme drejtësisë”, tha Peza.
Ndërsa deputeti i Lezhës i është përgjugjur vetë deklaratve të opozitës kur than ë media se do të marrë pjesë në jetën parlamentare normalisht, dhe për këtë nuk mund ta ndalojë askush. “Do të marr pjesë në punimet e Kuvendit ditën e enjte dhe do të jem çdo ditë rregullisht në mbledhjet e komisioneve parlamentare. Unë do të vij të përfaqësoj qytetarët e mi të cilët më kanë zgjedhur. Mua më kanë zgjedhur banorët e Lezhës, dhe jo Sali Berisha”,-tha Armando Prenga. Ai u përgjigjet akuzave të opozitës me një rast paralel, duke u kujtuar kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, që sipas tij, vijon të jetë në detyrë dhe pse është i dënuar me burgim për shpërdorim detyre.
Sipas Prengës, ky është një standard i dyfishtë i përdorur nga Partia Demokratike.
Deputeti Armando Prenga, u lirua pak ditë më parë nga Gjykata e Lartë, e cila i hoqi masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Ai akuzohet ndër të tjera edhe për veprën penale të plagosjes me armë, armëmbajtjte pa leje.