“I thuaj Nikos Kotzias që të gjejë një fotografi të vetme të ndonjë çami me ndonjë nazist dhe unë po të them se do t’i jap foton e Napolon Zervës me nazistët”
Zgjidhja e ligjit të luftës, varrezat greke në Shqipëri, varrezat çame në Greqi, konferenca shkencore për Çamërinë, traktati i miqësisë ekzistues dhe projekti për një të ri, të gjitha çështjet që përfshijnë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, ishin pjesë e pyetjeve të kryetarit të PDIU-së Shpëtim Idrizi për ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.
Kreu i PDIU-së ka pyetur me detaje ministrin Bushati, për vizitën e tij të fundit në Greqi. Bushati po raportonte në Komisionin e Jashtëm për këtë vizitë, atje ku Idrizi ka kërkuar shpjegime ndër të tjera se çfarë po bëhet nga pala shqiptare lidhur me kërkesën e mundshme për çeljen e konsullatës shqiptare në Çamëri. Idrizi kërkoi shpjegime nga Bushati edhe për toponimet, por edhe për organizimin e një konference shkencore për Çamërinë.
Sa i përket konferencës shkencore Idrizi ka sqaruar se do të ishte mirë të organizohej një aktivitet i tillë në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë për t’i dhënë përgjigje mashtrimeve, për historinë e Çamërisë. Idrizi i sygjeroi Bushatit të pyesë homologun e tij Kotzias nëse kishte ndonjë fotografi çami me ndonjë nazist duke i kujtuar se disponon fotografi grekësh me nazistët.
“Shqiptarët e Çamërisë janë rreshtuar me batalionin Çamëria, janë rreshtuar me batalionin “Ali Demi”. Kanë luftuar me partizanët kundër nazizmit. Nuk ka asnjë lidhje historia e Çamërisë me atë që serviret nga Nikolas Geixh, nuk ka asnjë lidhje Çamëria me nazistët. I thuaj Nikos Kotzias që të gjejë një fotografi të vetme të ndonjë çami me ndonjë nazist dhe unë po të them se do t’i jap foton e Napolon Zervës me nazistët dhe do t’i them se i vetmi që përshëndeti pushtimin e Shqipërisë ishte gjenerali grek ministër i qeverisë së këtij vendi”, tha Idrizi.
Një sërë çështjesh të ngritura nga kreu i PDIU-së, Shpëtim idrizi kanë marrë përgjigjen përgjithësuese nga ministri Bushati; çështjet do të adresohen për zgjidhje hap pas hapi.
Përveç çështjeve që kanë të bëjë me Çamërinë, Idrizi ka kërkuar shpjegime edhe për hapat që ka bërë pala shqiptare për hapjen e shkollave shqipe për emigrantët, për sigurimet shoqërore.
Fjala në Komisionin e Jashtëm e nënkryetarit të Kuvendit, Shpëtim Idrizi drejtuar ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati
Zonja kryetare, në rradhë të para doja t`ju falenderoja për këtë mundësi që na dhatë si anëtarë të Komisiont të Jashtëm, por edhe zotin Bushati për këtë ekspoze shumë të saktë që na dha. Dua të ndaj bashkë me ju opinionin që Greqia ka marrëdhënie shumë të mira me ne dhe vizita të tilla absolutisht që janë të mirëpritura dhe i bëjnë mirë përmirësimit të këtyre raporteve.
Kam disa pyetje për zotin Bushati:
Në fillim dua të theksoj faktin se përsa i përket Çështjes Çame ndaj të njëjtën konsideratë që do të ketë avancim. Kjo nuk duhet parë vetëm si çështje pronësore, por duhet parë edhe si çështje e të drejtave të njeriut në të gjitha dimensionet e saj, pra është në kuadrin e të drejtave të njeriut, jo thjesht dhe vetëm ajo padrejtësi e genocid që është bërë në fund të Luftës së Dytë Botërore, por pasojat e saj vazhdojnë sot e kësaj dite, nëpërmjet pasardhësve të atyre që u viktimizuan, sepse është një çështje aktuale. Pra, për sa kohë ka një komunitet të shqiptarëve të Çamërisë është një çështje e të gjithë shqiptarëve dhe e forcave politike shqiptare, kur akoma nuk është kërkuar ndjesë për atë genocid që është bërë, kur nuk janë nderuar akoma të vdekurit dhe viktimat, kur nuk është rishikuar zyrtarisht çështja e genocidit dhe ku futen brenda komponentë negativistë, edhe për çështjen e pronave.
Ndaj, përse në diplomacinë tonë publike ne nuk e themi qartë Çështjen Çame kam parasysh këtu edhe konferencen e shtypit me zotin Kocias? Edhe pse, unë e përshëndes faktin që ju e shikoni në një dimension tjetër Çështjten Çame, por është për të ardhur keq që për Çështjen Çame, nga e cila ne nuk kemi as pse të fshihemi, as pse të kemi turp, përkundrazi duhet të kenë problem ata që e kanë bërë këtë genocid, nuk artikulohet publikisht në konferenca shtypi edhe në takime bilaterale (të paktën në dijeninë time).
Çështja e dytë është çështja e ushtarëve grekë:
Unë e di shumë mirë zoti Bushati që kjo akt-marrëveshje është bërë në fund të vitit 2009, madje kur ka kaluar në Kuvend unë kam mbajtur një qëndrim bashkë me tuajin në atë kohë, për ngritjen e këtyre varrezave që ndërkohë ishin ngritur, por thjesht pritej që të legalizoheshin. Por, më bën përshtypje fakti që sot kërkohet zhvarrimi i eshtrave në 300 vendvarrime të tjera veç këtyre dy varrezave që janë ngritur.
Për mua personalisht, harta e kërkimit të këtyre 300 vendeve, me vjen keq ta them, por përkon me hartën e Vorio Epirit. Akoma më shumë që pala shqiptare duhet të ketë parasysh faktin e kërkesës që ne kemi bërë që nga viti 2006, por edhe në vazhdim, që për shkak të reciprocitetit në këtë rast, dhe për shqiptarët e Çamërisë, të cilët janë vrarë e masakruar, ne kemi vendbanimet dhe vendndodhjet e tyre masive në Greqi. Ne kërkojmë të ngihet një varrezë apo qoftë një lapidar, ndërhohë që është e papranueshme. Zoti minister a e keni ngritur me palën greke kërkesën tonë për ngritjen e varrezave të shqiptarëve të Çamërisë qoftë dhe një memorial, siç e ka Napolon Zerva? A jeni përgatitur për kërkesat në vazhim? Për shembull janë gati 7-8 mijë ushtarë grekë, pra do vazhdojë kërkimi i eshtrave të ushtarëve grekë, të cilët kanë kryer krime në Shqipëri?
Kishit ndonjë avancim në këtë vizitë për heqjen e ligjit të luftës dhe mbi të gjitha pasojat e ligjit të luftës? Unë jam shumë dakord edhe me trajtimin që i bëtë kësaj çështje edhe në planin historik që Greqia e ka hequr ligjin e luftës me Italinë, por e ka mbajtur në Greqi, një absurditet dhe që ne nuk jemi në gjendje lufte dhe që zoti Kocias, kur thotë që nuk jemi në gjendje lufte ka të drejtë, por për pikën e fundit të efekteve të heqjes së ligjit të luftës a ka ndonjë efekt për ligjin e pronave?
Ne kemi një Traktat Miqësie që ka 18 vjet në fuqi. A ka bërë Ministria jonë e Jashtme ndonjë bilanc për funksionimin e këtij traktati? Sepse, në dijeninë time për 18 vjet nuk ka funksionuar asnjeherë për palën shqiptare, nuk janë ngritur asnjëherë komisionet oër çështjet pronësore, për arsimimin dhe shumë çështje të të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Greqi?
Çfarë bashkëpunimi ka për ruatjen e trashëgimisë kulturore, historike, arsimore, të objekteve të kultit në Greqi?
Pyetja ime tjetër ka të bëjë me kërkesën çfarë ka bërë pala shqiptare dhe a keni ngritur në takimet me ta nëse ka ndonjë përmirësim për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, historike, arsimore të objekteve të kultit në Greqi?
Pyetja tjetër që unë kam është a ka ardhur koha që ne të bëjmë statusin e minoritetit historik shqiptar në Greqi? E kam fjalën për shqiptarët e Çamërisë që jetojnë atje apo për arvanitasit, status të cilin e kanë pasur që në kohën e Mbretit Zog apo të kryeministrit që në vitin 1926 dhe në këtë kuadër do të kërkoja dhe hapjen e një konsullate në Çamëri.
Për çështjen e kufirit detar unë do të doja në rradhë të parë të interesohesha që ne duhet të kemi një marrëveshje edhe për kufinjtë tokësore, sepse edhe për kufinjtë tokësorë ne nuk kemi një marrëveshje. Përsa i përket marrëveshjes për kufirin detar kam dëgjuar se keni thënë që keni rënë dakord, ndoshta jam i gabuar në këte pikë, por keni thënë që keni rënë dakord se principet dhe terminologjinë, me të cilën do ta trajtoni çështjen e ujrave me Greqinë. Nuk e di se sa e saktë është, por e kam lexuar në website-t tuaja, por do të doja të mos binim prapë në situatën ku kemi qenë. Do të doja që kjo gjë të bëhej transparente. Pra, është një çështje me interes publik dhe do të doja të di si qëndron kjo çështje.
Pika tjetër ka të bëjë me hapjen e shkollave shqipe në Greqi. Kam parasysh këtu jo vetëm për emigrantët, por edhe për arvanitasit dhe për shqiptarët e Çamërisë. Të gjithë i kemi parë, kur shkojmë në Greqi që të tërë flasin shqip, por nuk duhet të mjaftohemi vetëm me kaq dhe me natyrën e bukur.
Dhe e fundit fare zonja kryetare që është shumë e rëndësishme, megjithëse mund të kem diferenca këtu, por në pikëpamjen time ka të bëjë me atë që ju sapo thatë, me mbajtjen e një konference për Çështjen Çame, si ka bërë Ministria e Jashtme Greke. Unë zoti ministër, absolutisht që do t`ju inkurajoja. Në këtë pikë do të doja që të ishte i pranishëm dhe zoti Kocias dhe pse jo të më ftonit dhe mua aty, pasi do të bëhet një konferencë për 45 vjetorin e marrëdhënieve me Greqinë dhe do të doja shumë që të isha i ftuar bashkë me persona të tjerë që t’i përsërisja zotit Kocias vetëm dy gjëra. Dhe më vjen mirë që ju e keni emrin Ditmir dhe e dyta që dhe Shpëtim Idrizin të mos e marrësh si një relike të Luftës së Dytë Botërore, sepse nuk ngjaj si i tillë. Besoj se ka qenë i gjithi i keqkuptuar për faktin se ne kemi qenë bashkëpunëtorë të nazistëve, sepse kam të gjitha faktet dhe dokumentat për t’i treguar që jam pasardhësi i atyre të batalionit Çamëria.
E fundit që dua të them, kjo si konsideratë , duke ju shtyrë akoma më shumë që të keni marrëdhënie reciprociteti dhe dinjiteti dhe të bëni atë që quhet diplomaci publike, sepse ka një rezolutë për Çështjen Çame të miratuar nga Parlamenti i Shqipërisë, e cila në pikën e fundit ngarkon Qeverinë Shqiptare që këtë rezolute t`ja ngarkojë të gjitha qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare që do t`ju ndihmonte Ju. Nëse Greqia nuk e njeh ligjin e luftës, ne të shkonim në institucionin e NATO-s dhe të partnerëve tanë që t`ja bënim të qartë.
Zoti ministër, jeni totalisht në rrugë të gabuar dhe unë jam gati t`ju asistoj, kur të bëjmë një interpelancë për çështjen që mendoni ta trajtoni, Çështjen Çame si çështjen e gjermanëve apo të raportit Çeki-Gjermani. Kanë vetëm një dallim që mund t`ja thoni homologut tuaj grek, që Presidenti Havel ishte i vetmi që kërkoi falje publike për dhunim masiv që i bëri gjermanëve e sudetëve dhe këto çështje nuk kanë asgjë të përbashkët. Shqiptarët e Çamërisë janë rreshtuar me Batalionin Çamëria , me Batalionin “Ali Demi”, kanë luftuar rreth dy mijë partizanë, ndaj nuk ka fare lidhje me tezën e Nikolla Gejxhit. Ju them prapë, që t’i thoni zotit Kocia që të më japë vetëm një foto të një çami me dikë nga Gjermania dhe unë do t’i jap foto të Napolon Zervës e batalioneve të tjera dhe ashtu siç do t`ju kujtoj dhe faktin që i vetmi shtet që e përshëndeti pushtimin e Shqipërisë ishte gjenerali Metaxa i kryeministrit të Greqisë.
Ju faleminderit.
Komisioni i Jashtëm i Kuvendit 5 prill 2016