Nga Ben Andoni
Vizita e fundit e zotit Lulzim Basha, kreut të opozitës shqiptare në Kosovë, mund të vlerësohet për protokollin e ndjekur dhe përpjekjen e tij të shfaqet realisht si faktor. Ka takuar të gjithë piramidën shtetërore të Kosovës, madje edhe opozitën. Është sjellë si pushtetar i vërtetë, pasi ka dhënë mesazhe dhe është distancuar me format e ndjekura prej opozitës kosovare, paçka se i mungon realisht forca reale në partinë e vet. E veçanta ka qenë se opozita kosovare nuk mund të quhet simotër për PD-në, pasi jo fare paradoksalisht Basha po e orienton më shumë bashkëpunimin politik me PDK-në, në maxhorancë. Një parti që ka pushtet në Kosovë tej pushtetit de jure. Basha në një farë mënyre ka filluar të mendojë realisht me kartat e veta dhe duket se kalkulimi është shumë i mënçur. Duhet thënë se formacioni i LDK-së është më afër frymëzimit bazik të Partisë Demokratike shqiptare dhe bashkëpunimi i tyre ka qenë më i afërt, pasi edhe vetë lideri historik i PD-së, Berisha është shprehur publikisht pro LDK-së rugoviane. Por, Basha duket se po zgjedh pragmatizmin, kundrejt patetizmit të Berishës. A mjafton kjo vallë?
Në fakt, si ai edhe zyrtarët e tjetër shqiptarë po e shfrytëzojnë Kosovën për të rritur pehashin e tyre patriotik. Edhe pse, pak muaj më parë, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, nuk e rriti dot të vetin, dhe u largua pa bërë asgjë për mosmarrëveshjet e politikës kosovare. Kurse kryeministri aktual Edi Rama e ka ende në nivelet më të larta, sepse e artikuloi për herë të parë në Beograd kërkesën për Kosovën. Krejt ndryshe, kryeministri i dikurshëm dhe figura më e fuqishme në hije e PD-së, zoti Berisha, e ruan nderimin, sepse është mbajtur pas arsyetimeve patriotike dhe aktit realisht që mbetet për t’u përshëndetur: “Rrugës së Kombit”, për të cilën zoti Basha ka ende një faturë llogarie morali, pasi ajo administrative penale duket krejt e tejkaluar me erën Rama.
Interesant dhe e zgjuar është se Basha mund ta bëjë këtë udhë Kosove edhe për të tatuar mbështetësit e PD-së në Kosovë, që për zgjedhje vinë të organizuar dhe votojnë thjesht në mbështetje qoftë edhe pa asnjë ide se çfarë mund të jetë më e mira për Shqipërinë!
Larg këtyre argumenteve, Atdheu Amë dhe Kosova, megjithë fjalët e bukura që shkëmbejnë, ende nuk kanë qartësuar shumë gjëra mes veti, por kjo është temë për vizitat e burokratëve të niveleve më të ulëta. Vijojnë jo pak pengesa tregtare të dy vendeve, nuk njohin ende si duhet tregun e njëra-tjetrës, sot e kësaj dite po vazhdon të punohet për diplomat e universiteteve private, kurse të dy vendet megjithë retorikat e zhurmshme respektive, pothuaj i kanë braktisur shqiptarët e Preshevës.
Me pak fjalë, Kosova tej kalkulimeve patriotike, është një qokë për zyrtarët shqiptarë, ashtu si Shqipëria për zyrtarët kosovarë. Thjesht se të dy klasat politike respektive nuk i referohen njëra-tjetrës, kurse në hije kanë dalë mosmarrëveshje dhe qesëndisje. Reagimi i Isa Mustafës për ministren shqiptare të Mbrojtjes, Kodheli, është një nga këto, ashtu si moszbatimi i shumë prej angazhimeve të ministrive të linjave, që nuk i kanë plotësuar detyrimet e tyre, që rridhnin nga takimi i dy qeverive. ‘Shemria’ po zbret dhe në sport dhe anëtarësimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA do të tregojë realisht sesa mirë do shkojnë shqiptarët në të ardhmen.
Shqipëria është mirë të qëndrojë larg çështjeve në Kosovës nëse nuk ndih për ndonjë zgjidhje, paçka se dy njerëzit kryesorë të Shqipërisë sot, Rama dhe Basha, janë të mirëpritur. Mbase është koha t’i themi njëri-tjetrit hapur se jemi vëllezër por tashmë me kulme të ndryshme. Po të donim një kulm, do të silleshim dhe do vepronim si të tillë, dhe nuk do t’i vendosnim shkopinj tjetrit nën rrota. Ndaj vizita e kujtdo zyrtari shqiptar mbetet një qokë. Që Basha po e shfrytëzon edhe t’i tregojë Berishës dhe PD-së, se edhe ai mund të jetë faktor dhe të marrë pak nga hija e paraardhësit të vet. Të paktën, sipas mendimit të tij.
/javanews.al/