Nga Fiona Dinollari
Marr shkas të shkruaj këtë status, sepse pak më parë lexova një tjetër, që të them të drejtën më zhgënjeu pak, duke marrë parasysh që ishte një postim i bërë nga një profesionist i ardhshëm i shkencave politike.
Dje, dolëm në protestë. Të gjithë e dinim pse ishim atje. Tashmë, nuk jemi fëmijë të shkollës fillore që na tërheqin me zor për të dalë diku. Më e bukura ishte se, ne nuk ishim atje vetëm për veten tonë, po për të gjithë ata që studiojnë në universitetin publik. Ne protestuam sepse nuk ka sens të japim qindra euro për mbrojtjen e gjuhës së huaj ndërkohë që mund ta mbrojmë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Ne protestuam për të hequr gjobat absurde të krediteve. Ne protestuam për t’i kthyer studentëve fakultetin e tyre. Për më tepër, ne protestuam për përgjysmimin e tarifave, dhe kjo nuk ishte vetëm për ne, por ishte dhe për familjet tona.
Unë nuk jam eksperte politike, jam një psikologe e ardhshme, ndaj me falni nëse jam gabim, por i them këto fjalë sepse nuk janë vetëm fjalët e mia.
Unë nuk jam aktiviste e Lëvizjes për Universitetin, jam për momentin një studente e thjeshtë. Miqte e mi janë pjesë e Lëvizjes. Mua nuk më tha njeri të dilja në protestë. Unë dola vetë. Nuk më tha Arlind Qori të dilja. Dola vetë. Ne e dinim pse ishim aty. Të gjithë.
Kjo ishte një protestë e studentëve, jo një përpjekje e dëshpëruar për të korrur sukses. Ishte një demostratë e fuqisë tonë të përbashkët.
Një student i shkencave politike duhet ta kuptonte që nuk kishte fare të bënte me komunizmin, por me fjalën e lirë. Kërkimi i të drejtave nuk na çon në diktaturë. Gjithsesi kjo ishte e parëndësishme për mua.
Mua më preku përqasja për figurën e studentit të universitetit publik. Një student i universitetit privat, i cili ka mundesi ta paguajë tarifën, nuk e kuptoka dot se ç’do të thotë shkollim për një student jo të pasur. Ne jemi dembelë. Ne nuk mësojmë. Ja ku qëndron gabimi. Ne kemi tejkaluar shumë gjëra e pamundësi për të qenë aty ku jemi. Jo të gjithë jemi ekselentë. Jo të gjithë kemi mundësi ta bëjmë mësimin si duam e kur duam, e të kemi kohe të lirë që edhe të punojmë, edhe të mësojmë.
Ne nuk jemi dembelë. Ne nuk zgjodhëm të bëjmë një gjimnaz profesional, sepse ne duam të bëjmë shumë më shumë. Dhe nëse mendoni se ne kërkojmë ulje tarifash sepse “eksitohemi” nga fjala falas, ju ftoj të shikoni përtej hundës suaj, ju ftoj të shikoni përtej Tiranës. Shqipëria nuk është e gjitha si Tirana. Nëse nuk e dini, është shumë herë më keq. Ne kalojme edhe 12 orë në ditë në shkollë duke llogaritur dhe rrugën, na e thoni juve ku ta gjejmë atë punën me lehtësira studentore për ta bërë shkollimin të mundur. Ne duam të mësojmë, për këtë vijmë në Tiranë. Jo për të bërë jetë luksi. Shikojeni jetën e studentëve, qoftë dhe për kuriozitet.
Për të mos e zgjatur shumë e për të mos thënë ato 100 pikat e tjera ku nuk jam dakord, po kaloj pak nga fusha ime. Pak a shumë, ne në psikologji themi që të gjitha qeniet e gjalla jetojmë me “interes”, kemi diçka që na motivon. Ky jo domosdoshmerisht është i keq. Ne nuk dolëm në protestë për të vënë dikë në pushtet, ne dolëm për veten tonë. Edhe ti që shkruajte atë artikull, normalisht si një qenie e gjallë, e pate një interes…