Nga Enkel Demi
Është interesante të studiohet se si një forcë ish-komuniste, me një të shkuar staliniste dhe me një të sotme, ku pinjollë të regjimit më të egër totalitar shkruajnë reformën në drejtësi, del më perëndimore se sa opozita, e cila u themelua si një front i gjerë antikomunist me aspiratën ta çonte Shqipërinë në Europë. Ky lloj mutacioni duhet parë me vëmendje, sepse ka gjasë të jetë krejt unik në llojin e tij, pra veç shqiptar.
Nëse ndjek me vëmendje konferencën e fundit të shtypit të kryeministrit Edi Rama has në një fjalim emocional, plot pathos, ku përshkruhet një sistem drejtësie i përzgjedhur nga shumica e dikurshme në pushtet. Por, Edi Rama, një mjeshtër i propagandës, nuk harron të përmendë dy zanat e tij mbrojtëse, të cilat në fakt më së shumti ia la në derë Lulzim Basha. Ai përmendi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Madje, përdori të njëjtën strategji komunikimi që përdorte Partia Demokratike në vitet e para të jetës së saj, kur thoshte që nuk na sulmoni thjesht neve, por Europën dhe Amerikën. Këtu ngulmoi Edi Rama, tek mbronte parimisht një reformë, e cila ka mbështetjen e pakursyer të Perëndimit.
Është paradoksale, por një një politikan si Lulzim Basha, i cili sipas legjendës është formuar në Hollandë që ka një leje qëndrimi në këtë vend, është rezident në këtë shtet, nuk e merr pasaportën, sepse përndryshe as nuk voton në Shqipëri si bashkëshortja, sak ky njeri ngjan sikur ka ardhur nga stepat e muzhikëve rusë.
Gjatë gjithë këtyre viteve në krye të opozitës, Lulzim Basha është dalluar që nuk merr vendime, madje edhe kur duket sikur merr i ndërron ato të nesërmen, pasi i bërtet dikush në telefon ose e lë të presë tek dera. Kësaj here ai vendosi të bëjë udhëheqësin. Ngulmoi për një takim sy më sy me shefin e qeverisë. Një takim i tillë në Shqipëri është parë gjithmonë si çertifikimi më i mirë i dikujt që do të marrë damkën e drejtuesit të pakicës. Takimin deshi, takimin mori. Ra në grackën e mikpritësit ose si thonim dikur për gardalinat: “Ra në lesë pa çikore”. Por ama mori një vendim. Më në fund vendosi të qëndrojë fort, të mos lëshojë pe. Zgjodhi antiPerëndimin. Këtu qëndron çudia, sepse tani duket si na ngjante në vitin 1990 Gramoz Ruçi, Kastriot Islami apo Fatmir Xhafa, ngjan si komisar partie që e ka marrë opozitën dhe e ka futur në thes.
Pikërisht, studiuesit e politikës duhet të shohin se si një parti politike e themeluar me sytë nga perëndimi, nën udhëheqjen e një kanakari të perëndimit përshkruan një rrugëtim që e shndërron në një forcë reaksionare. Po kështu, duhet parë se si një forcë politike e themeluar si qëndrestare e Perëndimit për të ruajtur trashëgiminë komuniste, sot del në pozita progresiste, megjithëse ka ende në kupolën drejtuese sekretarët e parë të partisë apo rinisë komuniste, të cilët në fillesë kishin detyrë ta luftonin Perëndimin, jo të shndërroheshin në perëndimorë.