MIinistri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar në lidhje me deklaratat e ambasadorit amerikan Donald Lu, për mungesën e arrestimit të Klement Balilit, duke thënë se shqetësimin për rastin e Balilit e ka ngritur prej kohësh.
“Mbështes plotësisht shqetësimin e shprehur ditën e djeshme nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zoti Donald Lu, në lidhje me mos arrestimin e shtetasit Klement Balili. Gjej rastin t’ju informoj se, sikurse edhe mund të jeni në dijeni prej 7 muajsh dhe në mënyrë të përsëritur e kam shprehur dhe publikisht këtë shqetësim”, tha Manjani
Nga Sllovenia, ku po merr pjesë në Forumin e Ministerialit të Ballkanit Perëndimor për Çështjet e Drejtësisë dhe ato të Brendshme, Manjani ka theksuar se, “mostrajtimi apo trajtimi i gabuar i kësaj çështje nuk mund t’i barazojë institucionet e shtetit në përgjegjësi dhe as të luhet “ping-pongu” i radhës”.
“Ligji shqiptar, vijon Mnjani, përcakton qartë se kush arreston, kush ndalon, kush akuzon dhe kush dënon persona të përfshirë në shkeljet e ligjit”.
Ministri i Drejtësisë vetëm ndihmon me transmetim leter-porosish dhe/ose përkthim zyrtar të dosjeve dhe këtë detyrë e kemi bërë në kohë rekord, u shpreh Manjani.