Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Milot-Fier, po vjen afera e radhës? Kompania greke po komandon shtetin?

Nga 27.al 0

Nga Klodian Tomorri

Projekti i rrugës Milot- Fier është “gjylja e fundit” e premtimeve bombastike në infrastrukturë pas ëndrrave 3D të tuneleve, që nuk u dihet akoma kosto financiare e mjedisore dhe atyre për hidrocentralin madhështor të Skavicës. Ky i fundit, madje riciklohet nga çdo qeveri një herë në katër vjet, ndonëse askush nuk i hyn llogarive ekonomike e mjedisore të projektit, i cili edhe në kohën e diktaturës e bënte udhëheqësin fuqiplotë të djersitej nga ideja e përmbytjes masive dhe shpërnguljes së gjithë banorëve në zonën më pjellore të Dibrës.

Ambalazhimi dhe marketimi i ëndrrave infrastrukturore në periudhën me depresionin më të madh ekonomik duket se u shërben promovuesëve për të fshehur dështimet spektakolare të viteve të fundit. Ky dështim është i qartë kudo, madje edhe tek projektet me financim të siguruar e që u filluan me aq zell nga qeveria dy-tre vite më parë. Rruga Delvinë-Kardhiq, hekurudha Tiranë-Durrës apo unaza e kryeqytetit nxjerrin në pah jo vetëm pa-aftësinë administruese të proceseve, por edhe dalldinë korruptive të “qenve të oborrit që kanë dalë nga zinxhirët” dhe luftojnë për çdo kockë të fundit të thesarit të gjymtuar publik.

Por, le të kthehemi tek Gjylja e fundit Milot-Fier, e cila sipas ministres së Infrastrukturës do të jetë një investim i ngjashëm me gazsjellësin TAP. Në fakt, këtu historia bëhet sa komike aq edhe obskure e korruptive, sidomos e thënë shkarazi gjatë inaugurimit të Bypasit te Fierit, një tjetër dëshmi e gjallë e dështimit të një projekti të filluar nga qeveria e Sali Berishës dhe që u zgjidh vetëm në mandatin e dytë të Edi Ramës.

Komike, sepse në çdo dalje publike Edi Rama dhe Belinda Balluku shpikin nga një projekt të ri madhor në infrastrukturë, por për asnjë prej tyre nuk ka nga pas ndonjë strategji apo dokumet zyrtar mbështetës. Një herë u trumbetua koncesioni për rrugën Tiranë-Durrës, më pas u shpik Thumanë-Rrogozhinë, që rrugës u tenderua si Thumanë-Kashar dhe pastaj u anullua për t’u bërë prapë Thumanë-Rrogozhinë. Por, saga qesharake nuk përfundon këtu.

Në një dalje publike vetë ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku tha se kishte anulluar koncesionet e rrugëve Milot-Balldren dhe Orikum- Dukat, pasi do të bëhej segmenti i Korridorit Blu. Më pas rezultoi që asnjë nga këto kontrata nuk është anulluar, por thjesht u janë hequr fondet për këtë vit. Ndërsa Thumanë-Kashar-Rrogozhinë së fundmi është zëvëndësuar nga varianti Milot-Rrogozhinë-Fier me koncesion dhe me pagesë.

Një qeveri, e cila në në një vit të vetëm shpik dhe ndryshon gjashtë projekte strategjike, në rastin më të mirë është strategjikisht qesharake. Në rastin më të keq i ndryshon prioritetet strategjike të vendit sipas parimit kush ofron bakshishin më të lartë. Me sa duket në këtë rast janë të dyja, Fundja korrupsioni të bën edhe qesharak.

Nëse kërkon projekt, dokument apo strategji se si u përcaktua gjylja e radhës Milot-Fier të gjithë ngrenë supet dhe sytë duke thënë….e di ai Lart. Kur kërkon informacion se kush është grupi i punës që po merret me këtë proces, siç kërkon ligji i partneritetit publik privat, pra komiteti i ekspertëve nga Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Financave, që duhet të përgatisin studimin e fizibilitetit dhe vlerësimin leverdisshmërisë ekonomike askush nuk e di, por të gjithë presin t’ia u sjellë të gatshme privati.

Në Ministrinë e Infrastrukturës ka kohë që flitet se një kompani greke po merret me këtë projekt duke ndryshuar mendje sa herë llogaritë nuk i dalin, ashtu siç ndryshojnë dhe deklaratat ministrore që siç duket ndjekin oreksin e privatit te interesuar. Ky projekt, i cili mendohet se do të shkojë mbi një miliardë dollarë si rregull duhet të përgatitet me shumë kujdes, pasi implikimet buxhetore janë të konsiderueshme dhe në kuadër te ndryshimeve ligjore, të cilat nuk lejojnë me projekte me propozime të pakërkuara shteti duhet të ishte lideri i këtij procesi. Teksa dëgjon deklaratat e ministres se me këtë çështje po merret një grup ekspertësh dhe se shumë shpejt do të hapet gara mendon që gjithçka ka përfundur dhe është gati.

Por, në ministri të gjithë ngrenë supet. Asnjë studim nuk është përgatitur, askush nuk e di koston e projektit, askush nuk ka bërë llogari të besueshme të trafikut potencial dhe si rrjedhim garancitë financiare që do të paguajë nesër buxheti i shtetit dhe qytetarët shqiptarë. Të gjitha këto të bëjnë të mendosh se një tjetër aferë e kobshme po përgatitet, ku një kompani e huaj punon për llogari të saj, përcakton shifrat sipas interesit të saj, madje duke bërë dhe studimin e trafikut dhe kostove, në kundërshtim të plotë më ligjit dhe në konflikt të pastër interesi.

Shkurt, askush nga ekspertët dhe zyrtarët e ngarkuar të ministrisë nuk di asgjë. Projektin dhe studimin e fizibiltetit do ja u sjellin të gatshëm për të vënë firmat dhe bashkë me të dhe haraçin që do të paguajë buxheti i shtetit dhe taksapaguesit shqiptarë. Ky është një film i përsëritur, të cilin shqiptarët e kanë parë njëherë me projektet e inceneratorëve, ku gjithçka u përgatit nga privati në mënyrë obskure dhe korruptive.

Tashmë, taksapaguesit po paguajnë faturat e panumërta të aferës korruptive, ndërsa në Ministrinë e Infrastrukturës dhe atë të Financave askush nuk di të thotë se sa do të shkojë kosto përfundimtare, që do të paguajë buxheti i shtetit per inceneratorët. Por, tani po vjen gjylja korruptive e radhës, Milot-Fier.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej